Adelajda e Big Brother:Adi Krasta më la vetëm, e dija që do të më zëvendësonin me Aidën

Kanë vendosur të flasin që të dy dhe të tregojnë më në fund për të gjithë lexuesit, se çfarë kanë ndjerë në zemrat e tyre pas ikjes nga programi “E Diell”. Ajo e detyruar nga sfida dhe Ai me dëshirën e tij, duke qenë i bindur se aty po bëhej një padrejtësi, një prapaskenë, jo një lojë. Sot mbas disa javësh pauze dhe reflektimi, ata kanë ide më të qarta për atë që ka ndodhur, mendojnë se kanë arritur të zbardhin të vërtetën dhe nuk fajësojnë veten e tyre për asgjë, por ama ndjejnë keqardhje për faktin se rruga e tyre tek ai televizion që i krijoi si personazhe, u pre pa filluar mirë akoma.
Duke qenë personazhe që kanë sjellë një risi në gazetarinë e shkruar, duke surprizuar gjithkënd me shitjet në tirazhe marramendëse, Adela dhe Bjordi janë të rinjtë e zakonshëm, që bëjnë momentalisht gjëra të zakonshme, por që popullaritetin ia ka zili edhe ai Vip-i i karrierës. Por kjo është diçka me të cilën ata tashmë janë mësuar, paçka se në fillim u ndjenë të shokuar nga ky fenomen. Tani kanë filluar të përdorin gjithnjë e më shpesh fjalën “nesër”, për të ngritur bazat e asaj që do të jetë e ardhmja e tyre, ashtu siç ata e kanë ëndërruar. Duan të ndjekin pasionet e tyre dhe të tregojnë se vlejnë dhe kanë aftësi dhe talente të cilat mezi presin t’i shfaqin. Por ama duan që kësaj here dera t’ju hapet me dashamirësi, me sinqeritet dhe mbi të gjitha nuk duan të zhgënjehen më, paçka se Bjordi thotë se për të rinj si ata, asnjë dramë apo tronditje në jetë nuk arrin që t’ju a prishë ekuilibrat pasi ata dinë që gjithçka ta kthejnë në favorin e tyre dhe nuk e kanë ndërmend të ndalen. “Stacioni” më i afërt? Do na e tregojnë vetë në intervistat e tyre…
Duke parë si rrodhën ngjarjet, a duhet ne të mendojmë se për të qenë në qendër të vëmendjes dhe për të bërë bujë, duhet patjetër që të krijohet një lidhje brenda shtëpisë së “Big Brother”?
Adela: Sigurisht që jo. Jam e bindur se, si Bjordi ashtu edhe unë, edhe po të mos kishim qenë të lidhur, gjithsesi do të kishim tërhequr vëmendjen. Kjo sepse historitë tona personale janë paksa më të veçanta se të tjerat, por nuk mund ta mohoj se lidhja jonë ka bërë që kjo vëmendje të jetë më e madhe.
A ke mundur ti t’i japësh një shpjegim këtij fenomeni?
Lidhja jonë ka ngjitur në publik pasi është kuptuar dhe parë qartë qysh në fillesat e saj se ajo ishte diçka e vërtetë dhe aspak e shtirur. Njerëzit kanë nevojë për gjëra të vërteta, por mbi të gjitha kanë nevojë për dashuri, edhe në ekran, pasi ata janë të lodhur nga një botë e ngarkuar me fenomene negative dhe e privuar nga dashuria.
Vëmendjes publike i është përgjigjur menjëherë media, ajo e shkruara sidomos. Si je ndjerë teksa ke lexuar që është shkruar kaq shumë për ty?
Më kanë mërzitur të pavërtetat dhe sidomos interpretimet dhe aludimet personale, kanë mërzitur familjen time gjithashtu. Ndërsa pjesa tjetër normalisht që më ka pëlqyer dhe më ka bërë të ndjehem mirë.
Na trego një shkrim të “Panorama Plus” që të ka mërzitur, pasi për mediat e tjera nuk mund të komentojmë pasi nuk është etike.
Shkrimi me titull “Adela kapet mat te shtëpia e Pirro Çakos”, ose më saktë titulli pasi shkrimi nuk kishte diçka dashakeqëse. Kjo bëri që të prishen marrdhëniet e mia me një kompozitor tjetër me të cilin kishim në projekt një këngë. Ai e mori gjithë këtë si një fyerje profesionale ndaj tij, ndërkohë që vizita ime tek shtëpia e kantautorit të njohur Çako ishte thjesht miqësore. Fakti që edhe sot mbas kaq kohe unë nuk kam bërë një këngë me të, e vërteton më së miri këtë që thashë.
Pra ke vendosur të këndosh?
Duke qenë se unë e dua shumë muzikën, kisha dëshirë të bëja një këngë, thjesht për kënaqësi jo si punë. Gjithsesi është një projekt që është shtyrë në kohë por nuk është anulluar. Do më pëlqente të bëja një këngë që flet për historinë time të dashurisë.
Po projekti me Sinan Hoxhën çfarë ishte?
Në fillim të verës Sinani na kishte ftuar së bashku me Bjordin për të qenë protagonist në një klip të tij por ky projekt nuk u realizua.
Pse, pasi sipas informacioneve tona pagesa ishte joshëse?
Sepse ne prisnim që të bëheshim pjesë e një spektakli të rëndësishëm dhe donim të përqendroheshim vetëm aty.
E ke fjalën për “E diell”?
Po.
Në fakt pati një mospërputhje mes asaj që tu premtua dhe asaj që t’u ofrua apo jo?
Pikërisht, por duke më ofruar një rol në kërcim, ata përmbushën mesa duket premtimin e tyre.
Sikur Krasta të mos ta bënte ofertën për të qenë pjesë e programit të drejtuar prej tij, ti vetë a ke patur ambicie për të qenë kaq shpejt në ekran?
Për vite me radhë kam parë shumë televizor, ndërkohë që ëndrra ime ishte që edhe unë një ditë të bëhesha pjesë e tij, por e gjitha kjo mbetej në kufirin e një ëndrre. Por ndodhi një gjë shumë e bukur, një njeri i rëndësishëm i televizionit siç është Adi Krasta, e kuptoi ëndrrën time dhe mori përsipër të bëhej rruga që të çonte në realizimin e saj.
Po tani, a mund të thuhet se Krasta ta mbylli atë rrugë që vetë ai deshi të ta hapte?
Nuk mendoj se ma mbylli rrugën, përkundrazi ai ishte shoqëruesi im deri në një pikë të kësaj rruge, deri aty sa ecëm së bashku. Më pas mbase ai u lodh, mbase u mërzit… dhe më la vetëm. Tani unë duhet të rinisem dhe këtë rrugë ta vazhdoj vetëm.
“Mbase u mërzit, mbase u lodh”… thoni ju. A keni menduar ndonjëherë se mbase edhe u zhgënjye?
Këto që thashë janë thjesht aludime të mia pasi unë akoma nuk e di të vërtetën, por ama di një të vërtetë tjetër shumë të madhe, atë që unë asnjëherë nuk kam bërë asgjë për të zhgënjyer atë apo këdo tjetër.
A i ke vënë ti disa kushte atij dhe stafit për të qenë pjesë e programit “E diell”?
Absolutisht jo. Unë nuk kam qenë në pozicion për të vënë kushte, unë thjeshtë kam kërkuar ndihmë duke parë dashamirësinë që Krasta tregonte për mua.
Por ama mbete keq kur e pe që të caktuan një rol që ti nuk e doje…
Kjo është e vërtetë. Kam qenë në dilema të mëdha para se të niste “E diell”, pasi nuk doja ta pranoja, mendova me impulsivitet pasi këtë karakter kam. Por më pas duke dëgjuar këshillat e Bjordit dhe shumë miqve të mij të dashur, e pashë këtë propozim thjesht si një rrugë për të shkuar aty ku doja unë dhe pranova.
Çfarë mendove kur pe Aidën si sfidante, çfarë ndjeve në ato momente?
Unë e dija atë që ishte përgatitur të ndodhte. Paçka se askush nga stafi nuk më kishte thënë asgjë, por çdo gjë kuptohej nga mënyra sesi ishte ndërtuar loja e asaj jave, nga lëvizjet e stafit, nga oraret….Pastaj, për të qenë e sinqertë deri në fund me ju, si në çdo vend tjetër, edhe tek Top-i dekonspirohen shumë gjëra, kështu që mua më kishin thënë se do të vinte Aida në vendin tim, madje kisha dëgjuar edhe për Eltonin.
Pavarësisht gjithë asaj që ndodhi, kanë kaluar disa javë dhe besoj janë sfumuar tashmë gjykimet emocionale. Sot që je e qetë, si mendon, a je gati për një eksperiencë në televizion?
Shumë shpejt do ta jap këtë përgjigje me daljen time në një ekran.
Në fakt është përfolur për mundësinë e angazhimit tënd dhe të Bjordit diku tjetër, mund të na tregosh diçka më shumë?
Dua që të jetë një surprizë.
Kjo dalje e jotja në ekran do të thotë se më në fund ëndrra jote do të jetë realizuar?
Me këtën dalje, ëndrra ime thjeshtë do të fillojë të marri jetë.
A do të bëhen pengesë kontratat me “Top Channal” për t’u angazhuar në një televizon tjetër, (është ky një argument tjetër shumë i lakuar)?
Jo, nuk e besoj. Kontrata me “E diell” është mbyllur, pasi, mbas sfidës unë nuk konsiderohem më pjesë e atij programi.
Që do të thotë se nuk paguhesh më?
Natyrisht.
Meqë kaluam tek paratë, cilat janë të ardhurat e tua ose më saktë me çfarë parash jeton tani që nuk je akoma në punë dhe nuk jeton pranë familjes tënde?
Që kur dolëm nga “Big Brother”, çdo dalje e jona në publik për fushata elektorale etj, si dhe çdo dalje në media, psh në kopertina revistash, na është paguar, madje shumë mirë. Meqë ra fjala ju sa do në paguani për këtë intervistë? Ose më mirë jepjani Bjordit pasi në familjen tonë të re, paratë i menaxhon ai…
Tani meqë jemi femra dhe po flasim për paratë, më rrëfe një sekret të cilin unë nuk do ia them askujt: ky Bjordi 20 vjeçar që na u prezantua si pronar i një firme ndërtimi në Itali, në fakt është ndopak i pasur?
Për mua Bjordi është njeriu më i pasur në botë, nga çdo aspekt.
Në kontekstin e parave, nuk mund të shmang kuriozitetin e madh të të pyes për milionerin kosovar që jeton në Suedi, Hysni Pacolli, kushëririn e parë të Behgjet Pacollit i cili është fans i joti.
Po është e vërtetë që ky zotëri i nderuar erdhi deri në Kavajë të më takonte pasi më kishte ndjekur në “Big Brother”. U miqësua më prindërit e mij dhe i ftoi ata në Suedi. Prindërit sapo janë kthyer që andej dhe kanë mbetur të impresionuar nga pritja që i ka bërë Hysniu dhe familja e tij. Përfitoj nga rasti t’i falenderoj nga zemra për gjithçka kanë bërë, dhe iu premtoj se shumë shpejt do shkoj vetë në Suedi t’ja jap këto falenderime personalisht.
Ti hyre në “Big Brother” me synimin që të ndryshoje një herë e mirë jetën tënde. Sot ne shohim që ndryshimin e ke bërë dhe të madh madje. Por a ishte kjo jetë që po bën, ajo për të cilën ti ëndërroje?
Më ka mbetur pa realizuar vetëm puna, të paktën deri tani që po flasim. E gjithë pjesa tjetër është shumë më e bukur nga ç’e kisha imagjinuar.
Aftësitë e mia tani do t’i tregoj në një tjetër ekran
Më në fund vendose të flasësh për “Panorama Plus” ndërkohë që ta kemi kërkuar kaq herë dhe nuk ke pranuar…
Arsyeja e refuzimit ishte sepse jo gjithmonë jam ndjerë mirë me ato që keni shkruar dhe në fakt e kisha vendosur të mos flisja asnjëherë për ju por duke parë hapësirën që na kushtoni dhe faktin se fansat e mi kërkojnë lajme mbi ne tek kjo gazetë, mendova se duhet të flisja, të sqaroja disa të vërteta dhe pozicionin tim aktual.
Pas kaq kohe vëmendje mediatike, ndjehesh ndopak i lodhur apo vijon të të pëlqejë?
Të jesh në qendër të vëmendjes nuk të lodh por të mban gjallë. Pjesa e lodhshme është dizinformimi dhe shfrytëzimi pa kriter i imazhit tim. Në fakt do të doja që të lodhesha duke punuar, jo duke menduar për të tilla gjëra stresuese.
Çfarë ndjen një individ kur bëhet i superkërkuar vetëm për faktin se ai bëri publike përditshmërinë e tij të zakonshme në ekran, pa na shfaqur akoma ndonjë talent apo dhunti të caktuar?
Unë e di mirë që një artist apo një person Vip është në vëmendje të publikut për atë që jep, jo aq për atë që është. Fakti që pëlqehem për atë që jam është një avantazh, por ekziston gjithmonë frika se kur të vijë momenti për të shfaqur atë që kam për të dhënë, mos i zhgënjej adhuruesit i mi. Mua më duhet patjetër të marr si pikënisjeje, pikën në të cilën ndodhem tani, por mendoni vështirësinë time për të shkuar më lart se sa lartësia ku më kanë ngritur të gjithë ata që më duan…
Në fakt çfarë mund të japë Bjordi?
Unë mund të jap produktin e fantazisë dhe të talentit tim. Është me siguri diçka që do më ngrejë në atë lartësinë për të cilën folëm më lart, por kësaj here falë punës time.
Mund të na tregosh diçka edhe më konkrete në lidhje me këtë?
Po studioj ditë për ditë atë që do të jetë në një të ardhme puna ime. Po punoj autodidakt dhe me profesor dhe po shkruaj mbi katër orë në ditë. Bëhet fjalë për një skenar filmi të cilin po e shkruaj vetë. Po bashkëpunoj me një regjisor pasi e pranoj se kam nevojë për ndihmë, ndërkohë që edhe Adela po jep kontributin e saj në këtë projekt timin.
Dimë që mamaja dhe motra jote, ato me të cilat ti jetoje para se të hyje në “Big Brother”, jetojnë në Itali. Pavarësisht rrethanave shumë privilegjuese mbi të cilat ti ke ndërtuar jetën këtu, gjithsesi faktin që ke lënë familjen dhe Italinë, e ke konsideruar ndonjëherë si sakrificë?
Është sakrificë, nuk mund ta mohoj pasi unë po privohem nga disa kënaqësi shpirtërore dhe nga disa komoditete të cilat i kisha më përpara. Por duke patur parasysh se gjithçka po e bëj për ëndrrën, për pasionin tim, për të dashurën time që sot është gjëja më e rëndësishme për mua, mendoj se sakrifica ia vlen.
Po biznesin që kishe në Itali, e ke mbyllur apo e menaxhon dikush tjetër?
Atë e menaxhon mamaja ime, madje edhe më mirë se unë.
Më lart fole për dashurinë si gjëja më e rëndësishme në jetën tënde, duke iu referuar Adelës natyrisht. Në fakt ka ekzistuar gjithmonë një farë skepticizmi për lidhjen në “Big Brother” dhe në rastin tuaj, të shumtë ishin ata që mund të vinin bast se lidhja juaj nuk do ishte jetëgjatë. Cila është ajo forcë që bëri që këta skepticistë ta humbnin këtë herë bastin?
Nuk iu vë faj mosbesuesve pasi edhe unë vetë kam qenë njëri nga ata, por mesa duket fati më luajti këtë rreng, duke më demonstruar se dashurinë e madhe të jetës mund ta takosh edhe në “Big Brother”, siç mund ta takoja kudo tjetër. Por në rastin tonë, ne patëm favorin e madh se aty brenda u njohëm, u lidhëm ndërsa kur dolëm jashtë, duke jetuar ditë për ditë me njëri-tjetrin, veçse e konfirmuam këtë ndjenjë. Nuk ka lumturi më të madhe në botë për mua, besoj edhe për të tjerët, se sa kur zgjohesh në mëngjes dhe në krahun tënd ke femrën që dashuron e cila të buzëqesh.
Shumë romantike këto që thua dhe gati-gati duket si pa vend të vijoj me pyetjen tjetër, por është në interes të gjithë atyre që të ndjekin, që të mësojnë më shumë për marrëdhënien tënde me “Top Channel”. Është shkruar shumë për këtë gjë, edhe nga ne, por do të donim një sqarim prej teje. Më konkretisht a ishte angazhimi yt tek “E diell” brenda pritshmërive të tua?
Absolutisht jo. Ishte diçka e papritur për mua. Me “Top Channel” kishim projekte të tjera, por meqë ishte i vetmi propozim që mu bë, u detyrova ta pranoj.
Për çfarë projektesh të tjera bëhej fjalë?
Nuk ia vlen t’i përmendim përderisa ato nuk do të mund të realizohen më.
Që do të thotë se ti e konsideron veten përfundimisht të larguar nga ky televizion?
Jam larguar nga ajo pjesë e Top-it që quhet “E diell”.
Dhe ishte një gjest dashurie, pasi kështu na u servir apo jo?
Lënia në mes e programit nga ana ime, nuk ishte një gjest dashurie pasi unë kam se ku të jap prova dashurie, nuk kisha pse ta bëja aty. Ai ishte thjesht dhe vetëm një reagim ndaj një padrejtësie, ndaj mungesës së respektit të cilin ne e kishim shfaqur me shumicë, por që për fat të keq nuk qe asnjëherë reciprok.
Për çfarë të vjen më shumë keq, nga gjithë kjo që ndodhi?
Më vjen keq për faktin se bashkëpunimi me këtë televizion do të sillte një përfitim të ndërsjelltë. Më vjen keq që marrëdhëniet u prishën pa mundur të zbulojmë shumëçka nga njëri- tjetri. Megjithatë, për vetë moshën time të re, unë jam i aftë që të mos e kthej asgjë në dramë. Përkundrazi çdo moment, sado i vështirë që të duket, unë di ta kthej në një benefic për veten time.
Me cilin personazh televiziv të “Top Channel” apo drejtues të tij, arrite të krijosh një marrëdhënie miqësore?
Miq nuk arrita të bëj, pasi mik është fjalë e madhe por as armik nuk konsideroj askënd, kjo është natyra ime.
A je dakord me deklaratën e nëndrejtorit të “Top Channel” dhënë një javë më parë në gazetën tonë ku ai thotë se nuk është problem të bësh një njeri të famshëm kur ke një televizion në dorë, madje edhe për një javë?
Për një javë mund të bëjë dikë të njohur, mbase dhe shumë të njohur, por jo të dashur e aq më pak të famshëm. Kjo, pasi në këtë rast do të kishim një punë të njëanshme, ndërkohë që duhet të dy palët të punojnë fort për t’i imponuar publikut vëmendjen dhe më shumë akoma, dashurinë. Unë personalisht nuk e konsideroj veten të famshëm, por me popullaritet. Fama fitohet përgjatë punës dhe për një kohë të gjatë, atë nuk ta fal kush, qoftë ky edhe një televizion i madh si “Top”-i.
A të frikëson ideja se nëse ti nuk arrin të dalësh në sipërfaqe me kualitetet e tua, brenda një kohe të shkurtër, gjithë vëmendja mediatike ndaj teje do të zvenitet sapo të fillojë “Big Brother 3”?
E bukura e kësaj bote është që të gjithë jemi unikë në llojin tonë dhe pëlqehemi ose jo pikërisht për këtë arsye. “Big Brother 3” do të popullarizojë dhe promovojë shumë personazhe, por ama secili prej tyre do të jetë i ndryshëm nga unë.
Po flitet shumë për disa projekte të mundshme të tuat me televizione të tjerë. Mund të na tregosh diçka më konkrete?
Asgjë konkrete nuk mund të them për momentin por ajo që dua të pohoj është se atë që “Top Channel” nuk arriti ta bëjë me mua, pra të shfrytëzojë aftësitë dhe kapacitetin tim, do ta bëjë shumë shpejt një televizion tjetër.
Pra të intereson televizioni?
Qëllimi i jetës time është ekrani por ama ekrani i madh, por mesa duket fati e do që të kaloj nga ekrani i vogël për të arritur atë të madhin.
Ermira Shpetimi
Panorama PLUS
Jeni si 2 shpirta,te mrrekullueshem…!!!
keto te lejn pa fjal jan shum te mir ju dua shuuuuuummmmmm
adi krasta dhe te gjith qka shohin me sy e muren vesh se krijesa me e shtirur e me e shpifur qe kane par ndoiher maskiliste fallco ne maksimum e devijuar ke dal jashte qdo kontrolli viktim e epshit ulte i pate dale flaka sa ishte brenda shtepise bb,psikopate vuan nga personaliteti i shumfisht po habitem me njerezit qe kane kohe te meren me nji te qmendur
Adela&Bjordi shume suksese mos e harroni se keni mbeshtetjen tone, te themi te drejten e fituat respektin dhe dashurine e shume e shume njerzeve dhe kjo fale sinqeritetit tuaj,ju urojme shume suksese ne cilin do TV te shkoni, e dini se ju jeni si magnet qe beni per vehte shume njerez tung nga Shkodra
te qifsha ropt pabukse kurv e keqe
jeni ma te miret veq vazhdoni dhe mos lejoni me ju thy te tjeret