Dita me të nis ndryshe, një stimul ky për ta filluar ditën mbarë. Çdo ditë në një transmetim të drejtpërdrejt televiziv dhe radiofonik duke i kushtuar rreth 7 minuta të ftuarve të rradhës, personaliteteve të njohura të aktualitetit dhe politikës, ndërthurur me tingujt e përzgjedhur muzikorë bëjnë që Adi Krasta të jetë imazhi më i ndjekur dhe i përcjellë me interes nga publiku. Në këtë intervistë Krasta, rrëfen punën e re në një staf ku gjen bashkëpunim maksimal, dhjetëshen e talentuar të ‘Etheve’, orët jashtë pune në jetën e përditshme me familjen e miqtë si dhe plani për natën e ndërrimit të viteve.
Prej disa kohësh, ekrani i Top-Channel e nis transmetimin e mëngjesit me ju, duke u kthyer kështu në imazhin kryesor të këtij kanali televiziv. Si ndiheni në ‘New Day’ ?
Prej shumë vjetësh ndjehem shumë mirë në cdo inisiativë që ndërmarr e për të cilën kam një lloj garancie. Më pëlqen brezi orar mëngjezor. Nuk ka përzgjedhje kohore të vecantë për të bërë gazetari të vërtetë e impenjative. Programi i ka fituar kuotat e merituara të vëmëndjes sepse tashme është “lexuar” në gjithë formatin e tij. Është një program ku aktualiteti zë vend të rëndësishëm, me disa studio, ku njerëz që kanë bërë për shkak të veprimtarisë së tyre, titujt e gazetave, vijnë për të thelluar tema, ide e rrëfime personale.
Çfare mendoni cdo mengjes përpara se të nisë emisioni juaj? Cili është qëllimi që doni të arrini pas cdo puntate?
E rëndësishme është që mendojmë. Dhe planifikojmë. Duam të ndikojmë që herët në ditën e njerëzve të zakonshëm dhe jo vetëm. Duam të sjellim me sportivitet titujt e gazetave me Suela Demirin, të bëjmë një përsiatje profesionale me kolegë të gazetarisë për megatitujt, të ftojmë ata që kanë dicka për të thënë që me punën e tyre ndikojnë në jetën tonë. Bëjmë një radio “vrapuese” me Eno Popin. Përpiqemi ta çojmë kamerën tonë aty ku jetohet e ka interes real për të mësuar më shumë. Duam të flasim seriozisht, të mos llapim vetëm e vetëm pse transmetojmë në mëngjes.
Ne emisionin tuaj, çdo ditë janë shumë të ftuar, personalitete të njohura të aktualitetit shqiptar. Çfarë të rejash të tjera doni të sillni në cdo ditë të re për publikun që ju ndjek me aq interes?
Bisedat në studio janë të shkurtra, rreth 7 minuta. Nuk ka shumë kohë ndaj flitet direkt për temën që ofron interes dhe informacion. ‘New Day’ është një format shumë i ngjashëm me ato të mëngjesit të gjithë televizioneve të botës. Si format impenjativ iu desh disa javë për tu “pranuar”. Unë kam dëshirën të jap gjithë kohën e duhur për publikun, nuk nxitohem, nuk ligështohem. Publikët perceptojnë drejt. Por që të ndodhë kështu, dikush duhet të bëjë programe radiotelevizive.
Në klipin e fundvitit te TOP-Medias, në këngën e mirënjohur të sjellë në mënyrë të ripërpunuar në fillim shfaqeni ju. Ju keni provuar edhe herë tjetër të këndoni dhe ka rezultuar me sukses. Janë dashur shumë prova këtë rradhë?
Gjithnjë më ka pëlqyer kënga e FundVitit. Tregon në një kuptim shpirtin e institucionit. Bojken Lako ka bërë punë të paqme edhe këtë vit. Fraza “rrjedhin ujë mëngjeset”, që “këndova” unë, jo vetëm nuk ishte e vështirë, por ajo kishte edhe shumë kuptim për mua. Ndaj m’u duk një ogur i mirë që këngën e hapi Brezi Radioteleviziv i Mëngjesit. Sa për aftësinë për të kënduar, pas katër vjet ‘Ethesh’, nuk kam shumë dyshim se me gjithë dëshirën time të madhe për sens protagonizmi në botën e këngës, kam nevojë të madhe për kompiuterin e Shpëtimit e të Fredit. Për t’i shkuar pak me shaka pyetjes tuaj, dua te them se po planifikojmë të regjistrojmë një duet për ‘Ethet’ të kënduar nga dy lopë të vërteta, por që të rregulluara në soft ngjajnë si Sony and Sher.
Duke kaluar pikërisht në këtë project të madh tuajin, ‘Ethet’. Një angazhim i suksesshëm që tashmë është kthyer në traditë. Cilat janë të rejat më të fundit? Çfarë surprizash priten në ditët në vijim, me aq sa mund te zbuloni?
Dhjetëshja finaliste e këtyre ‘Etheve’ është e një cilësie të lartë. Jemi të mrekulluar me c’ka dëgjojmë. Do jetë një tjetër cikël i emocioneve të forta. Garantohet se fituesit do jenë nga ata që i bëjnë vënd vetes për një kohë të gjatë. Edhe shfaqja e ndërmjetme është konceptuar si një rrugëtim në filmografinë e madhe Hollivudiane.
Pra ka shumë talente të reja?
Ajo që ka ndodhur në Shqipërinë e viteve 2000, është e jashtëzakonshme. Kemi krijuar një klasë të re këngëtarësh të rinj të cilëve nuk ua bën syri tërr për të kënduar ‘live’. Që kanë personalitet njerëzor e profesional. E pra jemi vetëm pak milionë dhe po sillemi sikur jemi popullatë e madhe vendesh të fuqishme.
Duke qenë se jeni mjaft i angazhuar dhe i zënë, sa kohë i mbetet Adit për t’i kushtuar vetes?
Në fakt kisha kohë që nuk kisha qënë kaq i impenjuar. Po bëj padashur zbulime të reja për kohën e punës, gjumin, ballafaqimet me një institucion të ri, një marrëdhënie të re me kritikën, lodhjen dhe kënaqësinë.
Si do ta pershkruanit një pasdite, pas pune? Si e kaloni atë?
Kurdo që e vjedh pak kohë, mundohem të bëj pak gjumë për të rifituar balancën e crregulluar. Mundohem të mos i shmangem ritit të pirjes së kafesë së pasdites në shtëpi. I vetmi moment që më mban në tokë nga kjo jetë radiofonike e televizive që është aq e pranishme sa po bëhet si natyrë e dytë, c’ka nuk më pëlqen. Po bëj përpjekje të vazhdueshme e serioze për të mbajtur gjallë sensin e masës e të realitetit.
Po fundjavat?
Një herë në dy javë bëj një udhëtim me makinë në Kosovë. Vetëm, nëpër qafat e maleve, me diell e shi, në të ngrysur, ose jo, me borë. Në fundjavat kur nuk jam në rrugë bëjmë një zgjim të vonët si familje dhe organizohemi me miq (për fat të keq të paktë).
Si do ta kaloni natën e ndërrimit të viteve?
Në Krishtlindje u mblodhëm dhe bëmë një drekë me temë “ The British Christmas”. Impenjim i madh që iu afrua shpesh alarmit. Familiarët e pëlqyen pudingun. Tash po mendojmë të udhëtojmë në datën 31, ndoshta në Strugë për të ndrruar vend, me dëshirën e hapur dhe për pak borë.
Si do ta përkufizonit vitin që po lëmë pas?
Ndërsa rritemi, ose plakemi, krijojmë padashur idenë se cdo vit sjell më shumë ngjarje e personazhe dhe e vë më shumë në provë botën dhe nëve. Ndoshta nuk është kështu. Sidoqoftë 2007-ta na zhgënjeu në lidhje me energjinë elektrike. Nuk e bëri më inteligjente klasën politike. Nuk na solli pavarësinë e Kosovës e cila si cdo vëlla Siamez do e bëjë edhe më të rëndësishme vetë Shqipërinë. 2007 nuk ishte i vecantë. As spektakolar. Ka shkuar pa lënë gjurmë ndërkohë që ne jemi më të vjetër, më pak të lumtur dhe ndoshta më të pasigurtë.
Cilat janë disa nga projektet për 2008-n?
Ti kërkosh një njeriu, që aktualisht është në ekran në dy breza orarë, se cilët janë projektet e së ardhmes, do të thotë ta trajtosh si makinë. Dhe unë nuk jam makinë. (Edhe pse pa projekte nuk jam).
Nga Nisida Knezi G.Shqiptare
adi do te me pelqente te prezantoja me ty
Ai eshte njeriu me cinik dhe negativ!!!!
Ka qene nje prezantues i mire, por tani nuk besoj se ka ndonje vlere per tu pare apo degjuar, si koka e breshkes………