Your are here: Home // Vipat Shqiptare // Arta Dobroshi shkëlqen në Kanë, lëvdon kritika

Arta Dobroshi shkëlqen në Kanë, lëvdon kritika

Aktorja kosovare Arta Dobroshi ka prekur tapetin e kuq në Kanë. Është paraqitur si një yll i vërtetë i kinematografisë botërore, në edicionin e 61-të të Festivalit të Filmit në Kanë, në mbrëmjen e së hënës.

 E veshur me një fustan të zi dhe me një buzëqeshje të veçantë, ajo do të hyjë në historinë e kinematografisë kosovare, si femra e parë që mori pjesë në një eveniment të tillë. Buzëqeshja e saj ishte frymëzim për artistët. Shqiptarja luan rolin kryesor në filmin e regjisorëve zviceranë Jean Pièrre dhe Luc Darden, të titulluar “Le silence de Lorna”, (Heshtja e Lornës). Roli kryesor në këtë film i takon aktores kosovare Arta Dobroshi, të cilën kritika botërore e ka vlerësuar për paraqitjen e saj në rolin kryesor. Filmi paraqet përpjekjet e një emigranteje shqiptare për të filluar një jetë të re dhe moderne, ashtu sikurse bënë një qytetar euro-perëndimor. Në film, aktorja Dobroshi luan rolin e një gruaje shqiptare, e cila ka një martesë të planifikuar me një përdorues të drogës për të fituar leje-qëndrimin e saj në Belgjikë, në mënyrë që më pas të martohet me një bos të mafies ruse, i cili dëshiron që të ketë një nacionalitet evropian për të zhvilluar biznesin e tij kriminal.

“I di të gjitha ato tregime për Ballkanin”, ka thënë Dobroshi gjatë një konference për media në Kanë, duke bërë kështu edhe debutimin e parë në një festival të një kalibri të lartë. “Këto tregime kanë të bëjnë me qenie njerëzore, të cilat përpiqen që të mbijetojnë”, ka thënë ajo. Në filmin e vëllezërve Dardenne, Lorna lufton t’i japë fund ndjenjave të saj të vetmisë dhe përpiqet që t’i realizojë ëndrrat e saj, duke bërë një betejë për krijimin e një jetë të re në Belgjikë me të dashurin e saj Sokolin, i cili bën punë me rrezikshmëri të lartë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Por, realiteti i botës së errët kriminale, ku ajo futet, shumë shpejt e gjen atë në rreziqe të mëdha për shkak të një skeme të përgatitur të mafies ruse, gjë që ndikon në marrëdhëniet e saj me Sokolin. “Dëshiroj të them se, vëmendja e jonë ka qenë te qeniet njerëzore, njerëzit e vendeve të tjera që vijnë në Perëndim”, ka thënë Jean Pierre Dardenne gjatë konferencës për shtyp. “Ne kemi treguar atë çka ata i kanë caktuar vetvetes”, ka thënë ai. Edhe pse kanë fituar dy herë çmimin “Palma e artë” në Kanë, të dy vëllezërit kanë shprehur ambiciet që të fitojnë këtë çmim për herë të tretë, duke u bërë njerëzit që më së shumti kanë fituar çmime nga ky festival. Ndërkaq, bashkëregjisori tjetër Luc Dardenne ka pranuar se është e vështirë të punosh një film për trafikimin ilegal të qenieve njerëzore. Nga ana tjetër, edhe një aktor kosovar paraqitet në këtë film. Ai është Alban Ukaj, i cili paraqitet në rolin e Sokolit dhe ka lindur në Prishtinë. Albani përshkruan emocionalisht rolin e tij, duke treguar për poshtërimin që u bëhet refugjatëve nëpër vende të ndryshme të Evropës. “Është përulja me e keqe”, ka thënë Ukaj, “kështu që është më lehtë të vdesësh”, ka shtuar ai, duke thënë se kjo e ka ndihmuar të ndihet shumë më familjar me filmin “Heshtja e Lornës”.

Gazeta Panorama

Random Posts

filed under: Vipat Shqiptare

Leave a reply