3 Mar
Ka rezultuar tepër i suksesshëm shkëmbimi studentor midis konservatorit “Tomadini” të Udines dhe atij “Mozarteum” të atdheut të muzikës, Salzburgut - Austri. Aulon Naçi, 24-vjeçar shqiptar, i lindur në Vlorë, prej 6 vjetësh student kompozicioni në konservatorin e Udines më datë 12 mars në “WIENER SAAL te MOZARTEUM” do të jetë protagonisti i një koncerti recital personal, ku do të ekzekutohen ekskluzivisht kompozimet e tij.

“Është një mundësi që m‘u dha prej profesorit tim në Salzburg, Reinhardt Fabel”, thotë Auloni. Për të ekzekutuar pjesët e tij, Auloni ka zgjedhur instrumentistë, shumica e të cilëve shqiptarë të diplomuar në Itali e Austri. Koncerti do të zhvillohet i hapur për qytetin dhe është një eveniment i rëndësishëm për kompozitorin e ri shqiptar.
Ai tregon: “Në Salsburg ekzistojnë mundësi, që për motive ekonomike, në Udine mungojnë; ka më shumë okazione për të favorizuar jetën artistike; ndryshe është dhe mënyra e studimit, ku kryesore dhe primare është liria në programet e mësimdhënies, duke stimuluar te ne kompozitorët krijimtarinë në radhë të parë; dhe pse nga pikëpamja didaktike konservatori i Udines nuk është aspak inferior, pikërisht këtu në Salzburg, pata mundësi të shoh nivelin tim dhe të konstatoj bazat e mia të forta, që kam krijuar në Udine, falë profesorëve të mi, Renato Miani e Giuliana Pastore”. Auloni ka gjashtë vjet në Udine, por mban lidhje të ngushta me vendlindjen e tij dhe me shumë krenari thotë se kërkon t‘i japë muzikës së tij ngjyra të folklorit shqiptar. “Më bëhet qejfi”, thotë ai, që publiku i qytetit të Salzburgut do të ndiejë gërshetuar me muzikën time edhe pak nga shpirti i vendit tim”.
Në koncertin e pritshëm, Auloni do të paraqesë disa nga kompozimet e tij më të rëndësishme ku spikasin sonata për piano e titulluar “Mall”, e cila do të ekzekutohet prej pianistit të talentuar, Mateo Andri, dhe pjesa për violinë e titulluar “Poseidon”, që do të ekzekutohet prej violinistit shqiptar, Eugjen Gargjola. Interes të madh ngjall ekzekutimi i parë (premierë) i një pjese për piano që Auloni ia ka dedikuar Kosovës dhe që do të luhet prej pianistes së talentuar kosovare, Ardita Statovci. Titulli i pjesës, është shumë domethënës; “Udhëkryq”. Për t‘i dhënë akoma më tepër ngjyrat e identitetit shqiptar këtij evenimenti, do të luhen dhe dy pjesë autorësh shqiptarë te të cilët është i theksuar elementi i folklorit tradicional.
Për muzikën e Aulonit, thuhet se ajo hyn me të drejtë mes pafundësisë të së ashtuquajturës muzikë bashkëkohore, por mban lidhje të forta me klasikët e mëdhenj, pa humbur aspak identitetin e tij muzikor, të cilin ai në mënyrë shumë fanatike përpiqet ta ruajë duke futur dhe ndërthurur motivin folkloristik shqiptar. Tek ai elementi tradicional shqiptar ngrihet dhe fisnikërohet pa cenuar nobilitetin si të formave klasike të kompozimit, ashtu dhe të vetë shpirtit të muzikës klasike të mirëfilltë.
Aulon Naçi ka lindur në Vlorë në vitin 1983. Ai ka nisur formimin e tij muzikor qysh në fëmijëri, me instrumentin e pianos, nën drejtimin e prof. Vasil Çunit. Në vitin 2001 u diplomua në liceun artistik “Naim Frashëri” në qytetin e tij të lindjes, në degën flaut, me notën mesatare 10. Gjithashtu, ka ndjekur leksione harmonie dhe teorie muzikore në “Akademinë e Arteve” të Tiranës, me profesor Thoma Gaqin.
Gjatë periudhës shqiptare të formimit të tij muzikor, në një moshë fare të re, ka marrë pjesë si kompozitor në disa edicione të Festivalit të Fëmijëve dhe atij Rinor të këngës në qytetin e Vlorës, duke u renditur gjithmonë mes fituesve.
Në vitin 2001 vazhdon studimet muzikore në Itali, në konservatorin “J.Tomadini” të qytetit të Udines, në degën Kompozicion. Kompozime të tij ekzekutohen rregullisht në Itali dhe së fundmi në shumë edicione të rëndësishme të muzikës bashkëkohore, si: “Contemporanea 2007″ dhe stina koncertore e “Amici della musica”. Në këto evenimente veprat e tij muzikore kanë qenë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të kritikës artistike dhe recensionit më cilësor, por mbi të gjitha dhe të vlerësimit të publikut. Në tetor 2007 fiton bursën e studimit “Erasmus” për një periudhë studimi njëvjeçare në universitetin “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë, ku ndjek studimet e kompozicionit me profesor Reinhard Febel.
Gazeta Shqip
Nje koment per "Aulon Naçi, Vlonjati që i bën “sfidë” Mozartit"
lolo je i madh!!!
Pergjigju ose ler nje koment