BIG BROTHER 2, skeda për 7 meshkujt protagonistë
Banorët e shtëpisë së famshme, drejt provës së parë
Ka startuar në “Top Channel”, nën drejtimin e Arbana Osmanit, edicioni i dytë i “Big Brother Albania”. Në shtëpinë më të madhe e më të vëzhguar në Shqipëri kanë hyrë 14 konkurrentë, 7 djem e 7 vajza, nga Shqipëria e Kosova. Spektakli, i transmetuar në “Top Channel” e në platformën “DigitAlb”, ka rezervuar surpriza të shumta, jo vetëm për banorët, por edhe për publikun nga shtëpia. Hyrja e banorëve në shtëpi u komentua nga fituesi i edicionit të vjetshëm, Arbër Çepani, dhe “Virusi”, një prej konkurrentëve të edicionit të sivjetshëm, i cili humbi të drejtën për të qenë pjesë e shtëpisë, bazuar mbi rregulloren e shkruar të “Vëllait të Madh”. “Big Brother” është i vetmi program në Shqipëri që plotëson standardet ndërkombëtare, çka konfirmohet nga patenta, nën markën e kompanisë “Endemol”. Të gjitha ndodhitë në shtëpinë e “Big Brother” mund të ndiqen “live”, 24 orë në 24, në dy kanalet e platformës “Digitalb”.
Banorët përgatisin listën e ushqimeve
Mëngjesi në shtëpi i ka gjetur të gjithë banorët së bashku, duke pirë kafen e parë dhe biseduar për tema të ndryshme, ku më e rëndësishmja ishin impresionet e një nate më parë. Banorët kanë ndërprerë bisedat dhe kanë vazhduar duke hartuar listën e ushqimeve që do t‘i duhet gjatë gjithë javës, sipas buxhetit të vënë në dispozicion nga autorët. Erjola ka marrë listën e ushqimeve dhe pyet banorët e tjerë për preferencat e tyre, në mënyrë që në fund të ngelet edhe një pjesë e buxhetit për cigare. Disa nga vajzat janë kundër, pasi preferojnë të blejnë fruta, në vend që të porosisin cigare. Ndërkohë që djemtë kërkojnë më shumë sasi ushqimesh krahasuar me aq sa kërkojnë vajzat, këto të fundit duan më pak, pasi duan të kujdesen për linjat trupore. Republika dhe Mimoza diskutojnë me njëra-tjetrën për pjatat e tyre të preferuara, prandaj edhe janë më këmbëngulëse në zgjedhjen e produkteve që mund t‘u hyjnë më shumë në punë për të gatuar gjellët që kanë më shumë për zemër. Debatet për listën e ushqimeve mbyllen dhe të 14 banorët ulen për të drekuar së bashku.
Prova e javës, nis sfida e radhës
Për 14 banorët e shtëpisë së “Big Brother” fillon sfida e radhës, që do të jetë prova e javës. Bjordi lexon rregullat, të cilat kërkojnë impenjimin e të gjithëve, pasi nga realizimi i plotë i kësaj prove varet edhe buxheti i javës. Prova e javës titullohet “Arti i Dashurisë”, dhe secili prej tyre duhet të japë maksimumin. Dy banorë do të interpretojnë një rol filmi, dy të tjerë do të ekzekutojnë një duet me këngë, katër të tjerë do të realizojnë një murale me temën e dashurisë, ndërsa dy të tjerë do të merren me regjinë dhe prezantimin e spektaklit. Duket se prova e javës i ka vënë në lëvizje të gjithë, një motiv i fortë që të gjithë të diskutojnë fort për mënyrën sesi mund të realizojnë sa më bukur temën e ngarkuar, në të kundërt, buxheti i tyre do të jetë i reduktuar.
Ardian Pojana
Mosha: 40 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Gjendja civile: Beqar
Profesioni: Marketing te “Moving Culture”
Hobi: Muzika, Oasis, futbolli anglez
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: Do të njohë njerëz të rinj dhe të fitojë para
Karakteristika: I hurit dhe i litarit. Bën gallatë me të gjithë. Dinak, i paparashikueshëm, por në brendësi, tip i qetë dhe jo shumë impulsiv, në impresion të parë. Pranon shakatë. Nuk ka paragjykime. Është shumë i ri për moshën që ka. Adhuron Oasis dhe vishet si ata. Ka pasur një jetë mjaft të komplikuar.
Arjon Muca
Mosha: 23 vjeç
Vendlindja: Vlorë
Vendbanimi: Tiranë
Gjendja civile: Beqar
Shenja të veçanta: Vath në vesh, një tatuazh në shpinë (dy iniciale emrash) dhe një tjetër te krahu (ylli pesëcepësh). Këtë të fundit e ka bërë bashkë me një shoqe.
Gjendja civile: Beqar
Objekte pa të cilat nuk bën dot: teknologjia, veshjet, kapuçi, xheli i flokëve. Flokët i ka shumë merak.
Arsimi: I lartë
Profesioni: Art designer
Hobi: Moda
Karakteristika: Simpatik, vishet bukur. Të gjitha rrobat ia stilon e ëma. Ka jetuar 15 vjet në Itali. Tani ndihmon të ëmën, në sfilatat e saj, të cilat i organizon vetë Arjoni. Ka pasur një lidhje 10-vjeçare kur ka qenë në Itali, por tashmë ka mbaruar. Pretendon se është i bukur, i zgjuar dhe i edukuar. Në Itali ka jetuar me familjen. Mendon të ndjekë një strategji po hyri në BB: nuk do ta nxjerrë në pah karakterin e tij që në fillim. Në përgjithësi ka raport të mirë me femrat.
Bjordi Mezini
Mosha: 20 vjeç
Vendlindja: Durrës
Vendbanimi: Leçe, Itali
Gjendja civile: Beqar
Profesioni: Pronar i agjencisë së ndërtimit “Domus Nova” në Itali
Hobi: Artet, kinemaja
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: Ka vite që është larg Shqipërisë dhe do ta përdorë si trampolinë për t‘u bërë i njohur.
Karakteristika: Djalë simpatik dhe shumë i edukuar. Ka pak vështirësi me gjuhën, sepse është larguar nga Shqipëria që në moshën 2-vjeçare. Në Itali ka një agjenci ndërtimi, të cilën e drejton vetë. Ka mundësi të mira ekonomike, por i kanë thënë që në Shqipëri ka mundësi të mira për të realizuar ëndrrat. Ëndrra e tij është të bëhet aktor ose kineast. Adhuron kinemanë, pëlqen Mastroiani-n, Fellini-n, etj. Do donte të bënte një shkollë arti në Shqipëri. Është patriot. Thotë se jeta e tij është si një spektakël. Është menaxhues i çdo lloj situate.
Dritan Shehaj
Mosha: 26 vjeç
Vendlindja: Gjirokastër
Vendbanimi: Tiranë
Gjendja civile: I fejuar
Arsimi: I lartë, Fakulteti i Drejtësisë/ Universiteti Ushtarak “Skënderbej”
Profesioni: Këshilltar ligjor në Brigadën e Mbështetjes Rajonale/ Forcat e Armatosura
Hobi: Avokatia
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: Do donte të bëhej publik për të shpalosur aftësitë e veta në Avokati, ëndrra e tij.
Karakteristika: Djalë i edukuar dhe mjaft inteligjent. Do donte të ushtronte profesionin e avokatit. Është i fejuar, pak xheloz. Nga “Big Brother” i kaluar preferonte më shumë Olsin dhe më pak Rominën. Defekti i tij më i madh, është pak impulsiv, por nuk arrin kurrë në kontakt fizik me dikë. Është i drejtpërdrejtë me dikë, respekton mendimet ndryshe. Ka besim në aftësitë e veta. Është deri diku mosbesues, herë-herë indiferent. Urren njerëzit që shtiren. Nuk bën kompromis me askënd për të fshehur bindjet e veta. Nuk ka jetuar jashtë. Shumë rrallë konsumon alkool. Në punë përdor veshje ushtarake, por kapelën nuk e vë.
Pavlin Polia
Mosha: 27 vjeç
Vendlindja: Theth, Shkodër
Vendbanimi: Theth, Shkodër
Gjendja civile: I divorcuar
Gjuhë të huaja: Italisht dhe pak anglisht
Instrumente: Pak kitarë
Profesioni: I papunë
Hobi: Turizmi
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: Do të tregojë historinë e jetës së tij, të japë një mesazh pozitiv dhe të fitojë çmimin e madh, të cilin do ta përdorte për të hapur një zyrë informacioni për turistët në zonën e Thethit.
Karakteristika: I urtë, i duruar, shumë i rrahur nga jeta. Është i ndarë nga gruaja për çështje kanuni dhe nuk e shikon më fëmijën e tij. Nuk e ka problem ta diskutojë këtë temë në shtëpi. Ka jetuar nëntë vjet në Itali. Tani do të donte të bënte diçka më shumë për vendin e vet dhe “Big Brother” do ta ndihmonte shumë për ta realizuar këtë. Është i duruar dhe nuk nervozohet lehtë. Nuk do të jetojë më me “sytë mbyllur”.
Qetsor Ferunay
Mosha: 33 vjeç
Vendlindja: Dukat
Vendbanimi: Orikum, Vlorë
Gjendja civile: I martuar, me një fëmijë (djalë)
Besimi: agnostik
Shenja të veçanta: Një code bar, tatuazh në krah. Më vonë tek code bar-i do të vendosë datëlindjet e fëmijëve. Ka dhe një shenjë të çare në ballë, që e ka si pasojë e një aksidenti në Itali.
Arsimi: I lartë
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: I duhen vetëm 30 mijë euro për biznesin e tij, një hotel që ka nevojë për disa restaurime.
Karakteristika: Djalë i shkathët dhe me humor. I shoqërueshëm dhe i paparashikueshëm. Ka jetuar tre vjet në Itali. Tani punon në Shqipëri dhe me paratë që fiton mban familjen dhe nënën. I zgjuar dhe dinak, i aftë të përshtatet me këdo. Ka bërë një kontratë me shtetin italian, që në rast vdekjeje, t‘i dhurojë organet e tij. Intrigant. Nuk punon më si inspektor kulture prej pak kohësh. Pëlqen Anthony Hopkins. Pëlqen Viktor Hygonë. Mban gjithmonë orë me vete. Më shumë para shpenzon për motive pune. Hotelin e ka në Orikum. Ka punuar si ndihmës-kuzhinier në Itali.
Agon Radoniqi
Mosha: 27 vjeç
Vendlindja: Dukat
Vendbanimi: Prishtinë, Kosovë
Gjendja civile: Beqar
Besimi: Ateist
Shenja të veçanta: Tatuazh në kraharor me fytyrën e Che Guevara-s
Arsimi: I lartë
Do të hyjë në “Big Brother” sepse: Do të tregojë që është në gjendje të bëjë çudira
Karakteristika: Antikonformist, i pëlqen gjithmonë të kundërshtojë të tjerët. Ka studiuar menaxhim dhe ka punuar si përkthyes me portugezë të KFOR-it në Kosovë. Për tetë vite, ka drejtuar një emision radiofonik në një radio privatë në Prishtinë. Në dhomën e tij, çdo objekt ka fytyrën e Che Guevara-s. Nuk lë film dhe ndeshje futbolli pa parë.