27 Dec
E diela e parë e këtij gushti, e gjen familjen Topi në shtëpinë e e tyre rrëzë Dajtit. Koha paksa e vrenjtur dhe disa takime jo pak të rëndësishme të këtyre ditëve të para të fillimpunës pas zgjedhjes nga parlamenti si President të Bamir Topit, e kanë detyruar kreun e ri të shtetit të mos largohet nga Tirana.

Por ka ndoshta edhe një tjetër dilemë: në familjen e Presidentit të ri të Shqipërisë, akoma nuk ka zënë vend ideja se Bamir Topi është presidenti. Dhe natyrshëm nëse do të donte të kalonte një fundjavë ndryshe me familjen e tij, mund të pushonte në çdo vilë qeveritare që është përcaktuar enkas për krerët e shtetit, në Pogradec, Vlorë, Durrës apo…Dajt.
Por ndërkohë për të pushuar në Dajt nuk e ka fare problem. Ja vila e tyre private gjendet rrëzë malit, dhe familja me katër persona, nuk do ta zëvendësonte për asgjë në botë, komoditetin që u krijon shtëpia. E pse duhet të ndodhte ndryshe? Bamiri, kujdeset këtë mëngjez të diele për kopshtin e madh të vilës që në orët e para të mëngjezit; Teuta, si një amvisë e mirë merret me punët e shtëpisë dhe bërjen e gjellës për drekë, ndërsa dy vajzat Nada dhe Etida, kalojnë orët e para të mëngjezit ose duke dalë për ndonjë kafe me shoqet, ose duke lexuar, e parë televizor.
E pikërisht në këto kushte i gjetëm edhe ne pjestarët e familjes presidenciale, duke vëzhguar nga afër se për ta, asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e përditshme tani që Bamiri ka marrë statusin e Presidentit të Shqipërisë. Sa më shumë kalon koha, interesimi i madh për gjithçka bëjnë, e gjithcka ndodh rreth tyre, po ndërhyn fuqishëm, gati- gati, në tentativa për t’u ndryshuar ditën e mënyrën e tyre të jetesës. Por në familjen presidenciale, e kanë vendosur: edhe pse që nga 20 korriku 2007 Bamir Topi është President i Republikës, askush nga pjestarët e tjerë të familjes nuk do të ndryshojë mënyrën e vet të jetesës, edhe pse makinat e Gardës së Republikës presin tek porta për t’i çuar në takimin e rradhës, apo edhe pse vila e tyre në Linzë është e rrethuar nga ushtarët e Gardës së Republikës që kanë për detyrë sigurinë e kreut të shtetit.
***
Një nga ndihmësit e Presidentit, që gjendet në Vilë, na shoqëron për nga hyrja dytësore e shtëpisë. Presidenti Bamir Topi vjen menjëherë nga kopshti me një mollë në dorë.
“Sa e këputa nga pema, po ta jap” drejtohet ai menjëherë në shenjë përshëndetje dhe kortezie, duke i dhënë pak rëndësi faktit, se kishim shkuar atje për t’u interesuar dhe për të parë jetën e përditshme familjare të Presidentit, dhe jo atë të Bamirit.
Presidenti, 50 vjeçar, ka veshur një T-shirt ngjyrë bojëqielli, me një palë pantallona xhinsi të lehtë dhe na fton të ulemi në verandën e rregulluar gjithë shije. Vetëm pak minuta pasi biseda me Presidentin ka filluar të rrotullohet rreth ndërtimit të vilës dhe kopshtit rreth saj, në derë shquhet Teuta, bashkëshortja e Presidentit, ose ndryshe, që nga 20 korriku 2007, Zonja e parë e vendit. Teuta ka veshur një këmishë të kuqe e një palë xhinse dhe pasi kërkon falje për vonesën në ato pak minuta, ulet në tryezë ku biseda për jetën e tyre nis natyrshëm.Ajo, një shtëpiake aktive ditën e pushimit, ndërsa ai, një president që kujdeset për kopshtin e tij. Pak a shumë kjo ishte çudia kur në rastin e parë gjithkush do të mendonte se në shtëpinë presidenciale tashmë do të kishte ardhur ndonjë shërbyese apo ndihmëse, ndërsa Bamiri, këto punët e ujdisjes së kopshtit do t’ia besonte ndonjë kopshtari që e njeh shumë e mirë këtë zanat dhe që do të fillonte të kujdesej për pemët e bahcen e tij më mirë sesa vetë presidenti.
***
Një mace e vogël që vjen vërdallë në oborr, i ngjitet tek këmbët çiftit presidencial aq shumë, sa në bisedën që zhvillohet, macja miqësore as nuk e ka për gjë të ndërhyjë më shumë duke e kthyer interesimin rreth kafshëve apo shpendëve që janë në oborrin e vilës së tyre.
“Jo jo, kjo nuk është më e mira. Kati është më e mira, por ja, tani nuk do të vijë” tregon Bamiri, duke iu referuar maçokut që vjen vërdallë nëpër oborr pa u afruar. E ndërkohë kishte ekspozuar një nga të fshehtat që i merr kohën për ato pak orë kur kur gjendet pranë familjes. Në fakt, Kati, është macja e preferuar e vajzave.
Sa përmenden vajzat, e para del nga shtëpia Nada, vajza e madhe e presidentit, studente në fakultetin juridik jopublik “Luarasi”. Shumë e qeshur, me një truk të lehtë në fytyrë për të cilin duhet të ishte kujdesur pak kohë para daljes nga dera sepse ishte shumë i freskët, ajo përshëndet gjithë buzëqeshje dhe zë vend mes prindërve. Kishte veshur një bluzë ciklaminë me xhinse, që i shkonin për shtat trupit të vet elegant.
“Po Etida ku është?” Pyet i ati, duke iu referuar vajzës së vogël që akoma nuk po dilte në skenë. Vajza e dytë e Bamirit, gjimnazistja e Petro Ninit, ndryshe nga juristja e fakultetit privat Luarasi, gjendet këto kohët e fundit nën presionin e medias dhe nuk e pëlqen pozicionin e ri që po i servirin. “Nuk i ka qejf gazetat. Më tha se nëse babi, do të dalë në gazetë le të dalë, ai e ka punën e vet. Unë nuk dua”. Nada në këtë mënyrë u përpoq të justifikojë para prindërve mungesën e njëkohëshme të së motrës, por padyshim, Bamiri thjesht buzëqesh. Ai e di se e vogla e tij e pleqërisë, për nga koka, i ngjan të atit. Si ajo shprehja e urtë popullore “bëmë baba të të ngjaj”. “Po do të vijë,- thotë Bamiri duke qeshur ndërsa Etida, shfaqet direkt në verandë. Pak e turpshme, me një këmishë dhe një fund mbi gju që i ka shije një gjimnazisteje të Petro Ninit si ajo, Etida gjen vend në krah të të motrës. E pasi dy vajzat kanë zënë vend pranë prindërve, biseda fillon e bëhet miqësore. Ne flasim për pasionet dhe ndryshimin e jetës së gjithsecilit prej pjesëtarëve të familjes Topi, që kur Bamiri u zgjodh presidenti i Republikës.
Impenjimi
Për Presidentin e ri të Republikës, tani mbetet pak kohë të jetë me familjen. Edhe drekat që më parë i ka kaluar me ta, tani e ka të pamundur t’i arrijë. “Unë dal në mëngjez dhe kthehem në darkë në shtëpi. Dreka kalon tanimë me impenjimet protokollare” thotë ai duke dashur të tregojë se shtëpia ku jeton, është larg me selinë e presidencës dhe nuk mund të ketë asesi gjatë këtyre kohëve komoditetin e drekës familjare. Megjithatë, edhe Presidenti nuk ka ndryshuar shumë nga impenjimet e veta shoqërore dhe këtë fakt e pohon kur ia kërkojmë sesi po ndryshon dita e tij presidenciale.
“Unë po përpiqem që të shtojë miq gjithandej edhe në krahun opozitar dhe jo të lë këta që kam” tregon Bamiri duke kujtuar se të gjithë ata që e mbështetën në zgjedhjen e tij si President i Republikës, janë akoma njerëzit me të cilët takohet e komunikon më shpesh. “Ja para dy netësh ishim disa vetë në shtëpinë e Sami Gjergjit për darkë…jo jo, nuk kam lënë asgjë nga ato që kam bërë më parë” thotë Presidenti. Pastaj biseda natyrshëm kalon tek politika, ku për Presidentin e ri, nuk ka shumë komente për ato që do të ndodhin brenda rradhëve të PD, lidhur me ndryshimet në qeveri, apo me riorganizimin e partisë ku aderonte deri pak ditë më parë. Sigurisht që në vetvete dhe me miqtë, është shfaqur i interesuar, por zgjedhja e tij si President mbi palët, nuk i lë asnjë mundësi komenti për më tej. “Unë do të krijoj marrëdhënie edhe sepse i kam shumë të mira deri tani, dhe me opozitën, e jomë të mendoj për këtë pjesë të maxhorancës me të cilët kam punuar deri pak kohë më parë. Ja nesër (të hënën që kaloi) do të vijë në zyrë kryetari i PSD Skënder Gjinushi” tregon Presidenti që e shpreh entuziazmin e vet se në një kohë të shkurtër ka arritur të vendosë balancat dhe të neutralizojë qëndrimet ekstreme të opozitës.
“Edhe me ndërtimin e stafit të këshilltarëve po përpiqem që të ruajë balancat nga të dy anët” thotë Presidenti duke iu referuar emërimit të këshilltarit të sigurisë, që njihet si një ndër mbështetësit kryesorë të Fatos Nanos.
Një tjetër detaj i mbetur në mendje, ishte ajo e përfundimit të votimit në Kuvend, kur ai mori 85 vota që e nxorrën President. Qesh dhe tregon se menjëherë pas këtij eventi, kur ka parë fotot në gazetë i ka thënë Dash Sulës, deputetit të PD: “Më je hedhur në qafë si të ishte fitorja e ndonjë prej ndeshjeve të Peqinit”. Miqtë kanë qeshur sigurisht, aq më tepër që përqafimi i Dashit ishte kaq ngazëllues sa i la të gjithë pa mend. Edhe Bamiri në atë moment nuk e kishte mendjen për ata që e rrethonin, por më vonë fotot në media, ia bënë më të qartë atë që kishte ndodhur brenda sallës së Kuvendit.
Ndërkohë nga biseda që bënim kuptuam se presidenti ishte shumë i vëmendshëm me detajet e ditës gjatë punës së tij: kishte qeshur me foton e publikuar nga takimi i tij me kryetarin e PS Edi Rama, kur ky i fundit dukej i veshur me atlete; dhe po ashtu, i kishin thënë por vetë nuk e kishte parë se në faqet e Bulevardit Politik në Gazeta shqiptare, e kishin akuzuar se Presidenti mbante në tavolinën e pritjes një tavëll cigareje, kur ndërkohë, nuk lejohet cigarja në institucione shtetërore.
“Po ajo nuk përdoret vetëm për cigare apo jo?” bëri një pyetje retorike Presidenti. Ndërkaq me sa na tregoi vetë, lexon me vëmendje çdo koment në media, e sidomos këto që kanë të bëjnë me debatet e ditëve të fundit për shkarkimin ose jo të kryeprokurorit.
Hobet e munguara
Për disa gjëra Bamirit do t’i vijë shumë keq që në një mënyrë ose një tjetër do të duhet t’i lërë për shkak të detyrës së re. Ato që ka lënë i ka me shumë pasion, dhe siç thotë edhe vetë “ndahet me dhimbje”. Futbolli është i pari. Ish presidenti i djeshëm i Tiranës e ka dhënë dorëheqjen nga detyra. “Pse babi,- e pyet Etida, e ke lënë pozicionin e presidentit të Tiranës?” Dhe ai i jep të bijës një përgjigje pohuese. “Po ç’të keqe ka?” vazhdon e pyet gjimnazistja, e cila në këtë moment ndihet keq për zgjedhjen e detyruar të të atit. Bamiri fillon të sqarojë se tashmë në pozicionin e Presidentit, nuk mund të jetë President i një ekipi futbolli. “Tani do të jem më i lidhur me kombëtaren” thotë ai duke i buzëqeshur të bijës. E biseda vijon tek ndeshja e parë e futbollit të Tiranës, ku Bamiri u ngjit në Tribunë jo më si president i ekipit, por si President i Republikës. “Tirana” e humbi ndeshjen. “Shanc i keq, - thotë Bamiri,- por jo prej meje”. “Ndoshta çunat kanë qenë të emocionuar që Presidenti ka ardhur t’i shohë” shton Teuta e cila është aty e pranishme dhe të gjithë fillojnë e qeshin.
Por…mendja i ka mbetur diku gjetkë: makina. Tashmë Bamirin nuk do ta shohim më rrugëve të Tiranës duke i dhënë vetë Tuaregut të Kuvendit, në pozicionin e shoferit, dhe dukshëm, kur qëndronte në semafore, ishte i pari që bënte startin e makinës sa hapej drita jeshile. Kur i kujton këtë detaj, presidenti qesh. “Ah, kjo është një gjë që nuk di si t’ia bëj. Sigurisht nuk do të mundem më, por…a e dini se njëherë e kam bërë Tiranë Durrës për 13 minuta? Madje Teut, i drejtohet bashkëshortes,- ti e mban mend, njëherë kemi qenë të dy bashkë kur ktheheshim nga Durrësi”. Teuta tmerrohet nga mënyra sesi tregon Bamiri pasionin e tij për makinën dhe aq më tepër kur këtë gjë e bën edhe në sy të vajzave. “Dhe ti e tregon kaq thjeshtë”? pyet ajo. Por ndërkohë Bamiri ka hyrë në pasionin e tij të cilin do të duhet ta harrojë për të paktën pesë vitet e ardhshme. “Mbaj mend njëherë që duhet të kapnim avionin në Athinë me disa miq,- tregon Bamiri,- dhe harruam që orari ndryshon me një orë. Orën e kishim lënë me atë shqiptare, por vonë u ndërgjegjësuam. Hipa në timon, i sigurt, dhe kam ecur me shpejtësi që i kaloi të 200 kilometrat. E kapëm dhe avionin” tregon aventurën e vet në shtetin helen. Frikë nga shpejtësia? “Sigurisht, vetëm jam i sigurt në timon. Por nuk do ta bëja edhe një herë” thotë Presidenti që këtë rrëfim për veten nuk e thotë as për motivuar të rinjtë për shpejtësi, e as për t’u marr shembull. “Megjithatë, kam më shumë se dy javë që nuk e kam prekur timonin” thotë duke shfryrë me keqardhje Presidenti, i cili e ndjen se ndryshe nga ndonjë shtetar tjetër i deritanishëm, ky do të jetë një “mision i pamundur”.
Nuk e ndryshojmë Vilën ETNA për Vilën 4
Vila e ardhshme e familjes më të re presidenciale do të duhet të jetë Vila 4 apo Vila Etna 2000? Për Bamir Topin dhe tre pjestarët e tjerë të familjes presidenciale nuk ka më asnjë dyshim se shtëpia e tyre, ajo që ka qenë gjithmonë, do të jetë kjo e dyta.
Vila Etna, e vendosur në periferi të Tiranës, duke kaluar kinostudion për t’u ngjitur në Dajt, drejt e në kthesën e rrugës Besnik Lika, është një ndër Vilat më të bukura deri tani në rrethinat e kryeqytetit. Nuk është aspak e vështirë që të gjesh se ku banon Presidenti i ri i Republikës. Ai nuk e thotë, por në një nga këto ditë që kanë kaluar, e kanë çuar për të parë edhe Vilën 4, që është vila presidenciale, pikërisht rezidenca ku paraardhësi i tij, presidenti Alfred Moisiu jetoi pesë vitet e fundit duke gëzuar privilegjin e të qenit kryetar shteti. Por presidenti i ri, nuk do ta ndërronte me asgjë në botë rezidencën private Etna, së cilës, i ka dhuruar 15 vitet e fundit pavarësisht aktivitetit intensiv politik. E ka punuar dhe ndërtuar me shumë dashuri dhe siç tregon vetë kreu i ri i shtetit që nga viti 1994, ky ka qenë investimi më serioz dhe më pasionant në jetën e vet. Me sa kanë marrë vesh “vajzat” e familjes, sikurse u thotë Bamiri, Vila 4 është tejet e amortizuar, dhe askurrë këta të gjithë së bashku, nuk do ta ndryshonin me rezidencën e tyre. “Nëse do të ikim që këtu dhe do të vendosemi atje, atëherë jam i sigurt që gjithçka kemi ndërtuar këtu në pesë vite mund të amortizohet shumë shpejt” tregon Bamiri, duke nënkuptuar se në një gjendje të tillë e ka parë Vilën 4.
Pse Etna?
Etna, është emri që Bamiri ka gjetur për shtëpinë e tij të re. “Eshtë bashkimi i emrit të dy vajzave Etida dhe Nada” thotë ai dhe kthen sytë me shumë dashuri nga vajzat e tij, të cilat, për nga mënyra sesi e shohin babanë e tyre duket qartë që e adhurojnë, pse jo, t’i ngjajnë ndoshta edhe në një të ardhme edhe të afërt.
E vendosur në pronën e familjes Topi, Vila e re që shtrihet në pothuajse 4000 apo 5000 metra katrorë me sy të lirë, rrethohet nga mure të lartë gati- gati 2 metra, e punuar me një gur të veçantë të gdhendur me shumë kujdes. Që nga mënyra sesi janë përzgjedhur gurët dhe sesi janë vendosur duke pasur mbi lartësinë e tyre edhe disa kangjella që të bien në sy, bëhet e qartë se nuk janë blerë tek tregu çam. Muret e larta që rrethojnë “kështjellën e vogël” brenda, nuk të lejojnë të shikosh se çfarë do të të shfaqet sa hapet porta e madhe.
Shtëpia e re në Linzë, e përuruar prej familjes Topi jo shumë kohë më parë, ka disa pjesë: e para, është vila trekatëshe, ku në katin e parë gjendet salloni i pritjes së bashku me pjesë të tjera të shtëpisë, e pas kësaj, në katin e dytë dhe të tretë janë vendosur dhomat për dy vajzat dhe ajo bashkëshortore. Në katin e fundit, apo në tarracë, janë të vendosura disa skela që janë gati për t’u mbuluar. “Ishte në fakt një tendë e madhe në tarracë të cilën e hoqa, sepse këtu fryn shumë erë” tregon presidenti që në pozicionin konkret është e vështirë ta quash të tillë, sidomos kur flet për shtëpinë e re.
Brenda murit rrethues të bie në sy një tjetër godinë, e cila për nga bukuria nuk i ngjan godinës ku banon familja presidenciale. Eshtë pa ndonjë formë të përcaktuar arkitekturore, por duket se aty kjo pjesë e vendosur jashtë shtëpisë, përdoret gjatë këtyre ditëve si një vendtakim i Presidentit të ri për probleme pune. Një i tillë ndodhi edhe gjatë kohës që ne qëndruam në vilën Etna, kur Presidenti u shkëput për pak kohë për të kryer takimin e rradhës. Nga jashtë, duket se ajo është e mobiluar këndshëm, ekzaktësisht për takimet zyrtare me Presidentin gjatë kohës që ai pushon në familje.
Pjesa e tretë dhe më e rëndësishme e gjithë këtij kompleksi, është kopshti, veranda, lulishtja…me pak fjalë, një oaz i qetë ku i ke të gjitha për të pushuar. Nuk do të flasim shumë për mënyrën sesi është ndërtuar kopshti, por sa hyn në të djathtë, gjendet një kafaz i madh me disa kate, ku janë të vendosura pula e pëllumba. Një pallua, që siç tregon Presidenti e ka blerë këtu dhe nuk ia kanë sjellë nga jashtë, shëtit në lulishten e vogël, ku ka vetëm jeshillik dhe çukit ndonjë gjë përtokë. Një korridor i shtruar me gurë, i punuar si të ishte kalldrëm, i rrethuar në të dy anët me pemë dekorative të mëdha. Bamiri tregon gjatë bisedës se ato i ka mbjellë në vitin 1995 dhe pas më shumë se 10 vjetësh, janë bërë pemë të larta. Më pas Presidenti na orienton për në verandë në anën e pasme të vilës, ku janë vendosur katër karrige dhe një tavolinë kashtore, që të jep idenë e një verande vile në plazh. Ky është vendi ku priten miqtë sa hyjnë në vilë dhe menjëherë në krah, të bie në sy një tavolinë e gjatë druri, me karrige druri, në qiell të hapur vetëm me një tendë përsipër, që përdoret për barbecque tani në stinën e verës. Familja presidenciale nuk e ka provuar akoma shijen e kësaj pjese të kopshtit, sepse akoma janë në hapat e parë, pavarësisht se është ndërtuar. Por infrastruktura është ngritur dhe priten vetëm miqtë. Në pjesën tjetër të kopshtit, ka vetëm pemë, dhe jo vetëm ato, por edhe lule. Nga pjesa ballore e vilës është vendosur një tjetër vendqëndrim me karrige e tavolinë këtë radhe kauçuku, që bie direkt në diell, ndryshe nga pjesa e pasme që ishte e gjitha e vendosur në hije. Kjo pjesë, pse jo, për familjen presidenciale mund të përdorej edhe për të shfrytëzuar rrezet e diellit. Estetikisht përballë kësaj pjese, është vendosur një shatërvan, i cili gjatë kohës që ne vizituam Vilën nuk funksiononte. “Ka ujë të qarkullueshëm gjatë gjithë kohës. Sot nuk e kemi hapur” tregon Bamiri. Të gjitha këto vendpushime, janë vendosur mes gjelbërimit të pemëve. Kush do të ketë rastin të vizitojë për herë të parë vilën Etna të Presidentit të Republikës, duhet të ketë kujdes. Sapo të ulet, mbi kokë mund t’i përplaset ndonjë mollë a ndonjë dardhë, për të cilat është kujdesur vetë presidenti i ri.
Pasioni
Gjithë këtë rrugëtim brenda vilës me gjithë sqarimet përkatëse të cilat na harxhuan gati 1 orë, e bëmë me presidentin dhe familjen presidenciale. Secili tregonte ndonjë gjë në veçanti për mënyrën sesi ishte ndërtuar dhe ngritur shtëpia e re, por Bamiri, ishte ai që tregonte me më shumë pasion nga të gjithë.
“E gjithë prona është vendosur në tokën tonë. Në krah, është njëri nga vëllezërit, nga pas është një djalë xhaxhai…”
“Po a do të lejojë Garda që për arsye sigurie presidenti të jetojë këtu” pyesim gjithë kureshtje. Por Bamiri sigurisht buzëqesh, jo se nuk vlerëson shërbimin që bëjnë punonjësit e Gardës, por Presidenti i ri, ndihet shumë i sigurt në shtëpinë e tij, aq më tepër që e përforcon faktin se përreth ka vetëm familjarë të tij.
“Kur i morëm këto prona për herë të parë, u mendua nga ne vëllezërit që edhe mund ta shisnim. Por e kam pasur që atëherë synim ndërtimin e kësaj shtëpie, dhe ja sot ku jemi” tregon Presidenti.
Sikurse e vumë re në fillim, Vila Etna ka jo vetëm punime që tregojnë sesa luksoze është, por edhe arkitekturën. “E gjitha kjo është ideja juaj zoti President” pyesim duke pritur në fakt një përgjigje “po” për shkak të pasionit me të cilin Presidenti flet për shtëpinë.
“Jo, përgjigjet menjëherë Presidenti. - Për gjithë arkitekturën e vilës është kujdesur vëllai që vdiq, Mentori. Ai ka qenë arkitekt dhe këto janë idetë e tij. Por edhe unë kam qenë këtu në çdo moment”.
“E ka me shumë pasion,- tregon Teuta, bashkëshortja. – Ka punuar që herët me këtë shtëpi. Por e ka ndihmuar edhe fakti se ka punuar në institut, këtu shumë afër” duke iu referuar Institutit të Kërkimeve Veterinare ku në CV e Bamirit tregohet se ka qenë drejtor i këtij Instituti në vitin 1995-1996. Në fillimet e veta të punës si drejtor në këtë Institut, Bamiri vërtet kishte menduar seriozisht për këtë investim. Dhe gjithçka që tregoi Teuta, bëhet më e vërtetë kur Bamiri na fut në katin e parë të shtëpisë, e cila i afrohet më shumë një muzeu fotosh të vjetra sesa hollit të shtëpisë së banimit. Në një faqe anësore muri janë të vendosura me shumë kujdes shumë foto në kornizë që tregojnë historinë e ndërtimit të kësaj vile. Në njërën nga fotot shihet Bamiri duke mbjellë në tokën e vet fidanin e parë të mollës, në një tjetër, kur kishte filluar punimet ekskavatori për t’u hedhur themelet e vilës së re… në një tjetër, godina me tulla ishte ngritur dhe gjithcka kishte marrë formë, jo përfundimtare, por e strukturuar siç duhet…Bamiri është gjithandej i vendosur tashmë në të gjitha fotot duke ndjekur të gjitha etapat e ndërtimit të vilës deri sa ajo ka marrë formën e vet të plotë. Ndërsa ballë saj, gjendet në një foto tredimensionale bardh e zi, Tirana e vjetër, dhe Presidenti, në mënyrë të detajuar na tregon ekzaktësisht se ku janë të vendosura pronat e mëdha dhe të shumta të familjes Topi, dhe ato të nënës së tij, nga familja Karapici… Disa prej tyre i ka marrë. Për të tjerat, është ende në pritje…
Zonja e Pare: Shpenzoj shumë, kur dal nuk marr lekë me vete
Teuta Topi, bashkëshortja e presidentit të Republikës, e cila që nga 20 korriku i këtij viti mban statusin e Zonjës së Parë të vendit, është një grua e thjeshtë. Akoma nuk është ambientuar me ndryshimet që kanë ndodhur në statusin e saj si bashkëshortja e Presidentit të Republikës, dhe pafund, gjatë gjithë bisedës shpreh shqetësimin për atë që ajo e konsideron si një “interesim të kotë të medias”.
Gruaja që e shoqëron Bamirin që nga gjimnazi, ku janë dashuruar dhe kanë vendosur më pas të martohen, nuk tregon shumë për veten edhe kur pyetet për këtë. Teuta shkon përditë përditë në punë, sikurse ka ndodhur që në kohën kur ka vënë këmbë për herë të parë si specialiste në Ministrinë e Bujqësisë; shkon e bën pazarin tek lagjia ku banon e ëma e vet, me të cilën edhe gjatë këtyre ditëve që Bamiri është zgjedhur president, takohet në të njëjtën mënyrë sikurse edhe më parë; del e pi kafe me shoqet e punës njëlloj si më parë, dhe i pëlqen që kafenë e pasdites ta pijë me komshijet e shtëpisë së vjetër ku kanë banuar deri pak ditë përpara se Bamiri të merrte detyrën e presidentit të Republikës.
Kur u zgjodh Bamir Topi president, Zonja e parë nuk gjendej në Shqipëri. Lajmin e mori në telefon së pari nga bashkëshorti, dhe më pas nga shumë të tjerë që e morën dhe e uruan. Të nesërmen e asaj dite u kthye dhe padyshim, shtëpinë e gjeti plot miq e njerëz saqë e kishte pak të zorshme t’u bënte ballë punëve të atyre ditëve të vrullshme.
Tani duket se gjërat pak nga pak po i kthehen normalitetit, dhe Teuta, beson se asgjë nuk do të ndryshojë edhe në jetën e saj. “Vazhdoj të shkoj njëlloj në punë në ministri. Pse ta lë? Unë gjithmonë kam punuar aty” thotë ajo e çuditur në kërkesën “për të ndarë me thikë” detyrën e re që duhet të kryejë krah bashkëshortit të vet dhe detyrës që ka kryer prej vitesh në Ministrinë e Bujqësisë. Bamiri ndërhyn në bisedë dhe thotë: “Nuk besoj se do të ndryshojë diçka tani. Unë kam qenë ministër aty dhe Teuta, edhe pse unë isha ministër, vijonte punën si specialiste”.
Por a do ta kufizojë qenia e vet si Zonjë e Parë e vendit detyrën e saj në ministri? “Po ju akoma nuk po më lini që të njoh detyrat e mia që burojnë nga statusi i Bamirit si President. Të paktën të shoh protokollin. Kanë filluar pyetjet që herët” shfajësohet Teuta. Sigurisht që Bamiri plotëson fjalët e bashkëshortes. “Kur të ketë aktivitete të përcaktuara në protokoll, padyshim që Teuta do të jetë aty, pavarësisht punës së saj të përditshme. Nuk ka asnjë arsye. U kam thënë të trejave: ju duhet të vazhdoni jetën njëlloj si më parë. Edhe pse ka ndryshuar statusi, nuk ka ndryshuar asgjë në jetën tuaj” plotëson Bamiri.
Një kafe pasdite
Për Teutën nuk kanë filluar ende ato ndërhyrjet që zakonisht ndodhin kur fiton një status tjetër, aq më tepër të Zonjës së Parë: dikush ndërhyn që t’i thuash burrit të të rregullojë një punë, dikush tjetër për të zgjidhur shkollën e djalit, e një tjetër për një vend pune në ambasadë, apo edhe për pasaportë diplomatike. Zonja e Parë nuk është ndeshur ende me probleme të tilla. Tregon se ditët e para, ndërsa shkonte në zyrë, ndihej në siklet. Makina që e shoqëronte e linte fiks në vendin ku duhet të zbresë ministri. Një shofer t’i hapte derën, dhe më pas të ngjiste shkallët e ministrisë. Për Teutën, e gjithë kjo procedurë ishte shumë e sikletshme. “Më lër këtu, i thashë njëherë shoferit- tregon ajo.- Dhe zbrita, vendosa syzet e zeza në sy, por prapë…”. Edhe pse nuk e përfundoi fjalinë u duk qartë nga shprehja e fytyrës se njerëzit e kishin dalluar që ishte zonja e parë.
“Por nuk e kam lënë aktivitetin tim të përditshëm. Pas pune, shkoj direkt te mami. Kur dal nga shtëpia e saj, dal e bëj ndonjë pazar aty te tregu poshtë, e pastaj kthehem për në shtëpi. Mua më pëlqen të lëviz vetë gjithandej dhe kjo e tanishmja…Kur shkova për kafe te shtëpia poshtë i thashë shoferit: ik mos më prit. Por ai nuk donte të largohej. Më tha se do të më priste derisa të mbaroja. Në fakt, kisha ndërmend të vonohesha disi sepse kisha lënë një kafe me mikeshat e mia aty poshtë, një zakon imi i përhershëm, por kisha dhe siklet”, thotë Teuta.
Thashethemet
Nuk do t’ia dijë për to. Kanë filluar t’i rrotullohen kaq shumë rreth e përqark kohët e fundit, saqë e ka mbledhur mendjen. Habitet ndaj kërkesave të vazhdueshme të medias, dhe tregon shumë kujdes që edhe gazetarët të mos fyhen, por edhe të japë sqarimet përkatëse. Në fakt, gjatë gjithë kohës që qëndruam në Vilë, nuk na u duk se thashethemet kishin vend në familjen e tyre. “Kemi mirëkuptim të plotë. Dhe nuk shqetësohem fare se ç’mund të thuhet poshtë e përpjetë. Besoj se kjo gjë edhe për mediat është sqaruar plotësisht”.
Paraqitja
Zonja e Parë do të duhet të mendojë tani për shumë detaje të prezantimit të vet. Ndoshta jo vetëm të vetin. Tre femrat e familjes Topi, na treguan se gjithsecila kujdeset për veten. Madje edhe Bamiri kujdeset po vetë për look-un e tij. Askush prej tyre nuk i tregon kostumin që duhet të veshë sot, apo kollaren që duhet të vendosë. “Bamiri e ka bërë prej kohësh vetë këtë punë” thotë Teuta, duke u kthyer nga bashkëshorti me buzëqeshje. Por edhe vetë ka shumë gjëra që kërkon t’i mendojë dhe akoma s’ka gjetur kohën. E gjithë garderoba e saj do të ndryshojë shumë shpejt dhe ky është një shpenzim më shumë. Kur vjen puna tek paratë Teuta thotë: “përpiqem të jem sa më racionale. Kur nuk dua të shpenzoj, marr vetëm para xhepi me vete, një 500 apo 1000 lekëshe. Nëse i kam paratë në çantë, do t’i shpenzoj të gjitha. Jo se harxhoj kot, por ja, janë gjëra që duhen”.
Amvisa
Tani ora po afrohet drejt 13.00 në mesditë. Teuta, nuk është vetëm Zonja e Parë e vendit. Në këtë moment do të duhet të zgjedhë se çfarë do të gatuajë për drekë në shtëpinë e saj. Aty nuk ka një shërbyese, apo ndihmëse që të ndihmojë pjestarët e familjes presidenciale, dhe ata kanë vendosur që të hanë në shtëpi.
“Do të vendosin vajzat se çfarë duhet të hamë. Me Nadën kam pak më shumë problem. Ndonjëherë as frutat nuk i fut në gojë” thotë Teuta. Asnjëra nga vajzat nuk flet në këtë moment. Ende nuk e kanë vendosur se cfarë do të dëshironin për drekë. “Unë propozoj të dalim jashtë” thotë Esida, e vogla, duke nënkuptuar me këtë një restorant, dhe jo një drekë në familje. Por Bamiri dhe Teuta bien në një mendje. “Jo jo, do të hamë në shtëpi”. Vajzat e pranojnë këtë fakt, pa shumë këmbëngulje.
Dosjet e Vitit, Familja presidenciale Topi.
Nga Anila BASHA Fotot Gent SHKULLAKU G.Shqiptare
Fotot e Familjes Topi http://www.galeriashqiptare.net/thumbnails-345.html
Pergjigju ose ler nje koment