Që Julkës i pëlqen të jetë e veshur si vajzë e vogël kjo dihet tashmë. Por ja që veshjet e saj përveçse për t’iu përshtatur natyrës së saj të ëmbël, shërbejnë edhe për t’i sjellë buzëqeshjen që herët në mëngjes. Jo më kot gjithçka në gardërobën e saj është diellore. Prandaj dhe Julkën nuk keni për ta parë kurrë të ngrysur

julka.jpg

Një natyrë lozonjare si ajo e saja, një emër i lezetshëm dhe një zë i ëmbël, s’do mund të mendoheshin kurrë brenda rrobave me ngjyrë të zezë dhe modeleve klasike. As Brenda këpucëve lustrafine e kostumeve me prerje serioze. E veshur në mënyrë të tillë Julka nuk do të dilte kurrë nga shtëpia.

Në dollapin e saj ajo ka vendosur rregulla të tjera. Asnjë rrobë nuk mund të kalojë kanatet e stërmëdha nëse nuk është e ëmbël sa duhet, nëse nuk ka dizenjo interesante, nëse nuk ka ngjyra të ndezura e sigurisht nëse nuk është e çmendur mjaftueshëm. Vetëm nëse ajo është e bindur se një rrobë i ka të gjithë këto, atëherë po që është e sigurt se mund ta bëjë pjesë të gardërobës së saj. E meqë gjërat janë kështu si janë, e meqë të vera është në kulmin e saj, raftet feksin nga ngjyrat.

Nëpër varëse janë radhitur fustanet e ylbertë dhe janë nxjerrë nga skutat ku ishin strukur ditëve të dimrit të gjitha çantat portokalli, jeshile, me lodra, me qershiza, të gjitha bluzat e pambukta me lule, gjithë shallet e mëndafshtë me pika e viza që vendosen në kokë, të gjitha sandalet me ngjyra të ndezura, të gjitha rrobat e banjës shumëngjyrëshe, të gjithë aksesorët e çmendur. E sigurisht të gjitha xhinset, të cilat Julka i do vërtet shumë. “Unë jam natyrë sportive. Pa xhinset dhe pa atletet as që mund ta mendoja veten”. Me takat nuk ka arritur kurrë të vendosë marrëdhënie miqësore. “Takat vetëvrasëse i vesh vetëm atëherë kur skena e bën të pashmangshme një veshje, që pavarësisht se për mua ngelet Brenda natyrës sportive, kërkon të tjera rregulla që s’ke ç’bën duhet t’u bindesh për të respektuar publikun”.

E megjithatë, nëpër ato dhjetëra kuti mund të gjesh me shumicë edhe këpucë e sandale me taka. Sepse, sado që Julka i urren, ca detajeve të lezetshme që ia bëjnë me sy që tutje vitrinave nuk u thotë dot “jo”. Dhe kur vjen puna për të dalë dyqaneve, Julka nuk ngopet kurrë. “Zakonisht më pëlqen të bëj shopping gjatë udhëtimeve, por edhe këtu blej shumë rroba. Madje ka qenë një kohë kur bashkë me mikeshën time të ngushte çdo fundjavë zbraznim dyqanet”. Tani është në atë fazën që i ka dhënë fjalën vetes të mos bëjë më “prapësi”. “Po përpiqem të mbaj veten e të mos bëj shumë shpenzime për rrobat, por…”. Me siguri që edhe pse mund të duket, ky betim nuk është aspak i thjeshtë për t’u mbajtur. Sepse mjafton që t’i dalë përpara një fustan apo bluzë me tone të ëmbla, që Julka të vrapojë për ta blerë. Ngjyrave e ka vërtet të vështirë t;u rezistojë. Jo vetëm që I pëlqen që çdo rrobë të ketë ngjyra të ndezura” jeshile, të kuqe, të verdha, portokalli…, por janë pikërisht ngjyrat që e bëjnë të buzëqeshë edhe kur një ditë nuk i ka nisur aq mirë sa duhet. Vetëm  të gjendet para dollapit të saj dhe: “Mjafton një fustan me ngjyra për ta nisur ditën me buzëqeshje”.

Sidomos tani që flokët nuk i ka më të kuqe, është e lirë të veshë ç’të dojë. “Me  atë ngjyrë më dukej vërtet se ishte e vështirë të kombinoja gjërat që më shkonin me flokët. Kurse tani që i kam të verdha më shkojnë të gjitha”. Madje tani mund të luajë edhe më mirë me kombinimet. Janë ca detaje që syrit të saj të mprehtë nuk mund t’i shpëtojnë. E kur diçka kërcet në veshjen e saj ajo është gati të përmbysë gjithçka vetëm e vetëm që ato që ka vendosur të veshë të jenë në të njëjtën linjë ngjyrash. “Dua që veshja të më kombinojë deri edhe në detajet më të imëta”. Dhe detajet për Julkën janë vërtet gjërat e padukshme: vathët sapo mikroskopikë qofshin, kapësja e flokëve apo bishti i syzeve. Gjithçka e kombinuar.

E për të qenë e kënaqur deri në fund, Julka ka zgjedhur edhe markat e saj të preferuara, ku plotëson gjithmonë tekat e saj të ëmbla: Diesel, Miss Sixty, Pepe Jeans. Me këto etiket në rrobat e saj vajza lozonjare është e bindur që mund të dalë e qetë nga shtëpia dhe t’i shtojë humorit të saj edhe ca doza ëmbëlsie më shumë.

Revista Spekter