Gjithçka thuhet dhe flitet për fëmijën sekret apo shtatzëninë e saj të mundshme është vetëm një abuzim. Genta Ismajli nuk ka pasur asnjëherë fëmijë, as në Amerikë dhe as në Kosovë. Lajmi që qarkullon prej kohësh në internet dhe që është publikuar madje edhe në disa gazeta nuk ka asnjë bazë vërtetësie. Këtë fakt e pohon vetë këngëtarja, e cila flet pas thashethemnajës që preku jetën e saj, përpara pak kohësh. Fillimisht fotoja e Genta Ismajlit, e cila mban në krah një vogëlush është shfaqur në disa sajte shqiptare në internet, me komentin se fëmija është i saji dhe se ky vogëlush është fryt i një lidhjeje që këngëtarja ka pasur me një të ri meksikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas duket se disa gazeta në Tiranë janë marrë me këtë fakt dhe prezantimin e tij, ndërkohë që deri sot, vetë Genta nuk ishte shprehur rreth fotos dhe vogëlushit. Por me sa duket, durimit dhe tolerancës së saj i ka ardhur fundi. Ndonëse pohon se ky thashethem nuk e ka trazuar aspak qetësinë e saj dhe të Milotit, ka ardhur momenti që njerëzit dhe mediat të mos abuzojnë më me këtë fakt. “Fëmija me të cilin unë jam në foto është djali i shoqes sime në Amerikë”. Kështu shprehet këngëtarja kosovare, e njohur tashmë në skena jo vetëm për këngët e saj, por edhe për pamjen e natyrën energjike. Madje, për ta vërtetuar këtë, ajo shton se foton origjinale e ka edhe në shtëpi e për më tepër, nuk ka asnjë arsye të mendohet se vogëlushi në fotografi është i saji. Duke ditur të vërtetën, edhe i fejuari i saj Miloti nuk është prekur nga ky fakt. Madje ai është shprehur se ky është një veprim i atyre që duan t’i bëjnë keq Gentës dhe ka mohuar faktin, që fotoja dhe lajmi të jenë publikuar edhe në gazetat kosovare.
Kohët e fundit në disa sajte në internet është shfaqur fotoja juaj me një vogëlush në krahë. Kjo foto që i përket vitit 2004 shoqërohet me lajmin se fëmija është i juaji dhe fryt i një lidhjeje që keni pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas, disa gazeta në Tiranë kanë shkruar për këtë fakt.

Cila është e vërteta e këtij fëmijë dhe a i keni lexuar ju këto shkrime?
Foton e publikuar në internet unë e kam parë dhe gjithashtu edhe komentet shoqëruese, ndërsa për çfarë kanë shkruar gazetat në Tiranë të them të drejtën nuk jam e informuar. Këto gjëra nuk ndodhin këtu tek ne. Më vjen keq, që me këtë foto po abuzohet në këtë mënyrë, sepse ai vogëlush është thjesht djali i një shoqes sime në Amerikë, e madje kopjen origjinale të kësaj fotografie unë e kam në shtëpi.
Cila është arsyeja, që deri tani nuk keni reaguar në lidhje me këtë fakt?
Sepse duke qenë diçka e pavërtetë nuk më ka shqetësuar. Zakonisht nuk më interesojnë shpifjet apo thashethemet pa bazë që mund të fliten nëpër revista.
Keni menduar se nga mund të ketë dalë fotoja?
Këtë nuk e di, por them se ata që nisen për të bërë diçka të keqe e gjejnë mënyrën dhe jo vetëm aq, por sot nuk është e vështirë të hysh në kompjuterin e të tjerëve mendoj.
Ndërkohë, në Tiranë është shkruar gjithashtu se momentalisht jeni shtatzënë dhe prisni një fëmijë…
(Ha ha ha ha). Unë ende nuk jam martuar që të kem fëmijë, as nuk jam shtatzënë. Nga kjo gjë mendoj se nuk ka asgjë të keqe, mirëpo ende nuk ka ardhur koha kur unë do të bëhem nënë. (Kam qeshur shumë kur e kam dëgjuar këtë thashethem).
Si po shkon marrëdhënia juaj me Milotin, keni menduar për martesë?
Kaloj shumë mirë për sa i përket jetës sime private dhe ende nuk kam planifikuar në ndonjë kohë të shkurtër për martesë, sido qoftë do t’ju informojmë të jeni prezentë. (qesh)
Eshtë e vërtetë që mes jush ka pasur disa konflikte kohët e fundit
Jo, në asnjë moment, edhe pse intrigat e disa revistave nuk mund të luhatin gjendjen time apo marrëdhëniet e mia në këtë aspekt. Përkundrazi, kaloj shumë, shumë mirë.
Me çfarë jeni duke u marrë momentalisht?
Momentalisht është realizuar remixi i shtatë këngëve më të dëgjuara të albumeve, të cilat janë hedhur në treg gjatë tre viteve. Po ashtu po punohet edhe Megamix-i të gjitha këngëve, të cilat janë në përfundim nga dj. Mc-Beka. Ndërkohë jemi në përfundim edhe të dy këngëve të reja, që do të shoqërohen edhe me videoklipet përkatëse, për t’u lançuar në fund të majit.
Ke menduar të marrësh pjesë në ndonjë aktivitet apo koncert në Shqipëri?
Po, koncertet e mia do të zhvillohen në muajin qershor, sepse ashtu kemi menduar me agjentët e mi, të cilët po merren me rezervimin e sallave. Kemi menduar për dy koncerte recitale, njëri në Tiranë dhe tjetri në Shkodër e së bashku me mua, do të jenë edhe disa mysafirë.
Po në diasporë vazhdon të jesh nëpër koncerte?
Koncertet e mia në diasporë janë më të rralla, mirëpo janë më të organizuara dhe unë do t’u qëndroj besnike adhuruesve të mi edhe në diasporë.
Cilat janë projektet e Gentës për të ardhmen? Do të vazhdoni në Prishtinë, apo do të largoheni përsëri në Amerikë?
Planet janë që të punoj sa më shumë, në Prishtinë apo Amerikë nuk ka rëndësi. Mirëpo do të jem edhe në Amerikë në të ardhmen. Megjithatë më vjen mirë, që të vërtetat e jetës sime nuk janë ashtu siç i shpikin njerëzit e pa moralshëm.

Një festë e vërtetë për 23-vjetorin

Për të treguar edhe një herë se marrëdhëniet mes tyre janë si gjithmonë të shkëlqyera dhe për kënaqësinë e Gentës, vetëm një javë më parë, më 23 prill, Miloti, Genta dhe familjet e tyre kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit, në një prej lokaleve të Prishtinës. Këngëtarja ka pasur ditëlindjen dhe ndoshta ky ka qenë një rast i mirë, që Miloti jo vetëm t’i përcjellë urimet, por edhe të tregojë se asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e tyre.

Manjola Bregasi G.Panorama

Fotografi te Genta Ismaili http://www.galeriashqiptare.net/thumbnails-62.html