Intervistë me Getoar Selimin, anëtar i grupit “Tingulli 3’nt” dhe themelues i kompanisë “Baba Records”

getoari1.jpgMë 3 dhjetor, ju Getoar Selimi (Ghetto Gold), kemi qenë pjesëmarrës në një koncert që ka mbajtur reperi i njohur botërorë “50 Cent” në Zagreb. Si ndodhi që të jeni ju aq afër këtij reperi?

Getoari: Kam raporte shumë të mira me një reper të Kroacisë që quhet Nered. Është shumë i njohur atje. Ai ka qenë pjesë kryesore e organizimit të koncertit të “50 Cent” që ka mbajtur në Kroaci dhe ftesa më ka ardhur nga Nered që të përcjellë si VIP këtë koncert. Meqë i kam pasur katër ftesa, kemi shkuar unë, Gazetarja e RTK-së, Hana, Ledri nga “Skills” dhe Tuna. Kështu që në bazë të lidhjeve që kemi pasur, kemi arritur që të jemi pjesë e tri grupeve të gazetarëve që kanë pasur shansin të intervistojnë reperin e njohur “50 Cent”. Kështu që bashkë me Hanën që e bëri një intervistë me atë, ishim edhe unë, Ledi dhe Tuna të pranishëm në dhomën e tij të posaçme dhe aty qëndruam 8 minuta. Intervista që bëri Hana u përmblodh në 6 minuta dhe pastaj në montazh u shkurtua edhe më shumë ajo. Dhe koha tjetër prej 2 minutave ishte një bisedë e lirë jona me “50 Cent”.

Çfarë ishte takimi me të?

Getoari: Ishte një njeri shumë i veçantë, u befasuam me thjeshtësinë e tij. Ky ka qenë një fat yni që të bisedojmë me të sepse për të mbërritur deri te ai është dashur të kaloje shumë post blloqe.

Getoar, problemi qëndron se gjatë koncertit 50 Cent para publikut ka përmend edhe emrin e kompanisë suaj “Baba Record”, ndërsa RTK-ja nuk e ka transmetuar këtë sekuencë. Pse ndodhi kjo?

Getoari: Është e vërtet që “50 Cent” ka përmendur emrin e kompanisë që udhëheq unë, pra atë “Baba Records” dhe kjo sekuencë u censurua prej Antonio Gashit, producent në RTK, i cili ishte arsyetuar se kjo është një reklamë shumë e madhe për ne. Unë mendoj se kjo nuk ishte një reklamë e madhe vetëm për ne që jemi pjesë e “Baba Records”, por një reklamë shumë e madhe edhe për të gjithë shqiptarët. E them këtë për arsye se “50 Cent”, momentalisht reperi më i njohur botërorë, në asnjë koncert të vetin nuk përmend emra të kompanive. Faktikisht kjo sekuencë është edituar në shumë media tjera, si në Youtobe.com e shumë televizione tjera shqiptare që kanë pasur material nga koncerti i “50 Cent” në Kroaci. Mendoj se kjo është një dobësi e RTK-së.

Si e vlerësoni atë që ka thënë për ju reperi 50 Cent?

Getoari: Unë e respektoj shumë atë që e ka bërë për ne reperi “50 Cent” sepse është një gjë shumë e madhe. “50 Cent” ka bërë turne nëpër të gjithë Evropën dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë për askënd, ndërsa kjo për ne është gjë e madhe. Reperi “50 Cent”, në intervistën dhënë RTK-së, pos që ka përmendur emrin e kompanisë, gjithashtu shprehi dëshirën që të dëgjoj diçka nga repertori ynë dhe që në të ardhmen mund të bëjë diçka me ne.
 

Ju kishit një marrëveshje që të këndoni në këtë koncert të “50 Cent” -it në Kroaci, pse nuk ndodhi kjo?

Getoari: Po ashtu ishte, por kjo nuk ndodhi për arsye se Agoni dhe DJ Blunt nuk patën mundësin të vijnë shkaku i disa angazhimeve tjera.

“50 Cent” më 17 dhjetor do të jetë në Prishtinë, do të jeni ju pjesë e koncertit të tij?

Getoari: Nuk mendoj se do të jemi pjesë e atij koncerti edhe pse ende është herët të them diçka definitive.

Pse e thoni këtë?

Getoari: Ekzistojnë disa arsye për këtë. Njëra është që po në këtë datë ne e kemi të prenotuar të këndojmë diku tjetër, por kjo nuk është një arsye për të mos qenë pjesë e koncertit të “50 Cent” në Prishtinë. Një arsye tjetër është që organizimin e këtij koncerti e ka marr përsipër ta realizoj “IpkoNet” dhe të drejtat për paragrupet e “50 Cent” është dashur t’i merr dikush që do ta njihte më mirë këtë punë. Shpresoj që do të jetë zgjidhja e duhur.

Që të jemi më konkret, mund të themi se pala tjetër nuk u ka ofruar kushtet e duhura për të qenë pjesë e këtij koncerti?

Getoari: Faktikisht mendoj se ende është herët të flasim për këtë sepse nuk ka diçka definitive, por 99% nuk do të marrim pjesë në këtë koncert. Por dua te them se unë do ta përcjelli këtë koncert qoftë edhe si shikues sepse ia vlen. Gjithashtu mendoj se dikush nga “Baba Records” duhet të jetë pjesë e këtij koncerti sepse nuk e di që dikush tjetër duhet të merr pjesë në këtë koncert.

Nga Gjelbrim Berisha G.Tema