24 Dec
Është rikthyer në ekran për të qenë afër me shikuesit për më se një orë në një transmetim të drejtpërdrejtë çdo ditë. Është folur shumë se ky rikthim i ka krijuar jo pak probleme në harmoninë familjare, fjalë të cilat Hygerta preferon t’i injorojë me indiferencë duke rrëfyer qëndrimin e vërtetë. Është shumë e lumtur me bashkëshortin dhe me vajzën e tyre, që aktualisht është 14 muajsh. Një projekt të madh ka nisur dhe jo pak të tjerë e presin për në të ardhmen. Të gjitha këto, ajo i tregon në këtë intervistë për gazetën tonë…
Vazhdon me shumë përkushtim drejtimin e emisionit “Venus”. Sa impenjim kërkon ky program?
Është një emision i përditshëm, në të cilin shkova me shumë dëshirë, pasi ishte rikthim pas shumë vitesh që isha e shkëputur. Zgjodha këtë format, pasi nuk e kisha bërë ndonjëherë, është një eksperiencë e re. Fatkeqësisht, në atë periudhë TVA po kalonte një periudhë shumë të vështirë në këto momente dhe unë erdha me idenë për të ndryshuar gjërat. Për momentin nuk i kam realizuar akoma dhe kjo më mërzit, e kam pak peng. Nuk dua të bëj një emision që e ka bërë dikush tjetër dhe unë po bëj të njëjtat gjëra. Do doja të fusja elementë të rinj. Impenjim kërkon, dhe shumë madje.
Dhe çfarë mendon se ke sjellë të re?
Përveç imazhit tim dhe mënyrës se si unë intervistoj njerëzit, për momentin kjo është e vetmja e re e emisionit “Venus”. Por nëse do më jepet mundësia, absolutisht do ndryshoj shumë gjëra, duke filluar që nga mënyra e konceptimit. Do presim pak që gjërat të shkojnë mirë.
Ju ka krijuar ndopak vështirësi rikthimi në TV?
Probleme jo shumë, sepse kjo është një gjë që e kisha menduar. I kisha organizuar gjërat që më parë. Prita që vajza të rritej pak. Është 14-muajshe tashmë dhe mund të bëjë edhe pa praninë time disa orë të ditës. Nuk është se më sjell ndonjë impenjim të jashtëzakonshëm në krahasim me kohën që kaloja përpara në familje. Por gjithsesi diçka e kam humbur, sepse kam lënë pas dore biznesin tim. Shkoj shumë rrallë në sallonin tim të fustaneve të nusërisë, për këtë më vjen keq, sepse prezenca ime aty është e domosdoshme. Salloni u ngrit mbi bazën e imazhit. televizioni është një pasion shumë i madh.
Pra mes televizionit dhe biznesit tuaj, ju do të zgjidhnit…?
Sigurisht televizionin.
Pas emisionit, si është organizuar dita e Hygertës?
Sapo dal nga studiot e TVA-së, pij një kafe me stafin e “Venusit”, shkëmbejmë mendime dhe ide se çfarë do bëjmë në ditët në vijim. Më pas shkoj në shtëpi, rri me vajzën dhe pasdite mund të dal pak nga salloni, por kjo varet nga lodhja që ka shkaktuar dita. Megjithatë, gjithmonë darka më gjen në shtëpi. Nga ora 19:00 e tutje i përkushtohem totalisht familjes.
Si është Hygerta si nënë?
Si nënë është aspak maniake, siç mund të janë nënat e reja, duke mos e provuar eksperiencën e mëmësisë dhe e marrin çdo gjë me frikë, hangari. Merakosen për probleme si:hëngri-s’hëngri fëmija, fjeti-s’fjeti, ose pse u kollit. Kjo gjë më ka ndodhur në muajin e parë apo të dytë. Unë i marr gjërat shumë natyrshëm. Jam një nënë e qetë dhe i respektoj dëshirat e vajzës sime. Nuk e detyroj të hajë me zor, nuk e stresoj që patjetër duhet të flejë në orar. Kaloj shumë kohë me të. Bëhem shumë shpesh fëmijë, flas shumë shpesh në gjuhën e saj për ta argëtuar. Anais është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Është një kënaqësi.
Po si bashkëshorte?
Si bashkëshorte jam shumë e mirë. E përkushtuar dhe shumë e kujdesshme për të plotësuar të gjitha nevojat që kërkon një bashkëshort. Në aspektin familjar mund t’i vë vetes një notë shumë të mirë.
Flitet që po përjetoni një krizë në çift. Cili është reagimi juaj për këtë?
Kriza ekziston vetëm tek mendimet e gazetarëve që duke parë detaje të çuditshme, si për shembull që Hygerta s’jeton më në shtëpinë ku ka qenë më parë, mendojnë se kjo përbën një ndarje. Unë kam krijuar imunitet ndaj këtyre gjërave, nuk vuaj më. Nuk dua të bëj përgënjeshtrime apo deklarata. Le të thonë ç’të duan. Rëndësi ka që unë jam mirë dhe që gjërat e mia shkojnë mirë.
Cila është arsyeja që nuk jetoni në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin?
Rruga pranë shtëpisë sonë për momentin ka shumë probleme. Është rruga “Ismail Qemali”. Nuk lëviz dot me makinë, fëmija është e vogël. Ka shumë probleme me dritat, një muaj ndenjëm pa drita pasi u dogj transformatori i zonës. Imagjino si mund të jetosh me një fëmijë të vogël në një apartament pa drita. Kjo është arsyeja që përkohësisht po qëndroj tek prindërit e mi.
Duke iu rikthyer punës, ndonjë projekt tjetër i juaji?
Sapo kam prezantuar në fakt “Miss Tiranën”, një aktivitet që zhvillohet çdo vit në kryeqytet. Si gjithmonë, prezantimi për mua është një kënaqësi më vete, ndaj dhe e bëra me përkushtim.
Ku do t’i kaloni Krishtlindjet dhe Vitin e Ri?
Kam qenë shumë e çorganizuar këto kohë. Emisioni më merr shumë kohë. Nuk kam menduar asgjë deri tani. Në përgjithësi, festat apo Krishtlindjet i kaloj në ambient familjar. Nuk preferoj lokalet. Por për Vit të Ri s’e kemi vendosur akoma.
G.Shqiptare
Pergjigju ose ler nje koment