★ Celebrity ★ V.I.P ★ Big Brother Albania ★ Gossip ★ Thashetheme ★ Lajme ★ Info ★ Celebs News Blog ★ Vipat Shqiptare ★
E njohur si vajza e muzikës “live” pas katër vjetësh mungesë, Juliana Pasha vendos të rikthehet në skenën e festivalit. Me një këngë të kompozuar nga Endri Sina dhe me tekst të Saimir Brahos, këngëtarja vjen në ritmet soul, por sërish brenda stilit të saj. Ndërkohë, së bashku me Altinin, bashkëshortin e saj vazhdojnë të jenë protagonistët live në tre lokale piano-bar në kryeqytet. Me besimin te Zoti, pas më shumë se një viti martesë, të dy dëshirojnë tashmë ardhjen e një fëmije.
Kthehesh në skenën e festivalit pas 4 vjetësh. Përse e more këtë vendim?
Kisha dëshirë të merrja pjesë dhe kisha dëgjuar që këtë vit festivali do të kishte tjetër përmbajtje dhe se përzgjedhjet e këngëve dhe kompozitorëve do të ishin më mirë, se ç’kanë qenë më parë. Pata ofertën e një kënge nga Endri Sina dhe meqë më pëlqeu vendosa të merrja pjesë.
Karakteri i këngës?
Kënga është soul dhe i përshtatet natyrës së festivalit dhe natyrës së këngëve që duhet të mbizotërojnë në festival. Ka gjithashtu, një tekst shumë të bukur nga Saimir Braho dhe shpresoj të dalë mirë.
Është “Eurosong” një synim i pjesëmarrjes në festival?
Për mua, ky rikthim është një kënaqësi, sepse 4 vjet janë shumë. Kam dëshirë thjesht të marr pjesë dhe të bëj atë që di të bëj. Në fund të fundit unë këndoj çdo fundjavë live dhe pse të mos jem edhe në festival.
Përse një largim kaq i dukshëm nga skena?
Siç dihet, muzika kohët e fundit nuk ka qenë në majat e saj dhe shumë materiale që kanë dalë nuk më janë përshtatur mua. Publiku kërkon atë lloj rryme dhe ajo çfarë unë do të ofroja në mënyrën time, ndoshta nuk do të përshtatej. Megjithatë, mendoj se kam bërë gabim që jam tërhequr, sepse shijet e publikut kultivohen dhe unë duhet të dal tek publiku, me atë ç’ka di të bëj më mirë.
Nuk ke asnjë klip dhe asnjë album ende. Përse?
Them që nuk ka ardhur koha për një dalje të tillë, sepse do të më duhej të dilja, siç e thashë më parë, me atë ç’ka di të bëj më mirë. Kam përshtypjen se nuk do ta aprovojë publiku. Arsyeja e dytë është edhe fakti, që të bësh një album, apo një klip është një shpenzim shumë i madh. Për më tepër, duke qenë se këtu nuk funksionon e drejta e autorit, ka persona, që e hedhin në internet dhe askush nuk do e blinte.
Prej më shumë se një viti, jeni martuar me Altinin. Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj pas martesës?
Ne kemi pasur një lidhje 5-vjeçare, por martesa ka ndryshuar në faktin, që jemi lidhur më tepër me njëri-tjetrin. Martesa do të sjellë fëmijët, që do të na ndryshojnë akoma më shumë, duke na bërë që ta njohim edhe më mirë njëri-tjetrin. Kur bashkëjeton me një njeri gjatë gjithë ditës, njeh të metat e tij, njeh të mirat e tij dhe e pranon plotësisht ashtu siç është ai.
Meqë folëm për fëmijët, keni menduar për ta?
Po, një fëmijë për ne është shumë i dëshiruar. Ne asnjëherë nuk na ka penguar puna, sepse nuk është absolutisht puna prioritet në jetën tonë. Ne kemi lënë gjithçka në dorën e Zotit dhe nëse ai ka një plan për ne, patjetër që do të veprojë.
Ka rëndësi për ju nëse fëmija do të jetë djalë apo vajzë?
E rëndësishme është të jetë një fëmijë i shëndetshëm dhe të besojë edhe ai në Zot.
Besoni në Zot?
Po. Si unë edhe Altini jemi besimtarë dhe kjo është ndoshta, një nga gjërat më të bukura në martesën tonë.
I ndiqni ritet fetare?
Jo, nuk ndjekim rite fetare, por mblidhemi së bashku me miqtë tanë çdo javë dhe flasim për Zotin, e adhurojmë dhe këndojmë për të.
Meqë jemi në këtë pikë, ka bërë shumë mëkate Juliana?
S’ka njeri në botë që nuk ka bërë mëkate. Mëkati ka lindur prej njeriut dhe është trashëguar tek të gjithë.
Cili është mëkati më i madh që ke bërë?
Mëkati më i madh që kam bërë, është që më përpara nuk kam besuar në Zot.
Ke menduar që ardhja e fëmijës në jetë do të shkëpuste nga puna?
Jo nuk mendoj, sepse puna që unë bëj tani nuk është shumë e lodhshme. Megjithatë, derisa fëmija të ketë arritur një moshë, ku unë mund ta lë vetëm, nuk do të punoja. Megjithatë është diçka, që nuk e kam menduar ende.
Ti dhe bashkëshorti yt jeni muzikantë. A jetohet me muzikën në Shqipëri?
Ne të dy jetojmë me muzikën, tani për tani. Sigurisht që çdo familje ka probleme, që vijnë si pasojë e ekonomisë që ekziston këtu në Shqipëri, megjithatë ne të dy ia kemi dalë mbanë shumë mirë deri tani. Ndoshta, ngaqë kemi qenë gjithmonë bashkë.
Manjola Bregasi G.Panorama
![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() | ![]() |
| By N2H | ||||||||
Leave a reply