25 Feb
“Ethet”, triumfon Kejsi Tola
Mbrëmë përfundoi edicioni më spektakolar i show-t të madh të këngës dhe interpretimit, realizuar nga “Top Channel”

Kejsi Tola është fituese e edicionit të katërt të “Etheve”, që kësaj radhe u njësuan me emrin e një televizioni të madh si “Top Channel”, duke u renditur si një ndër spektaklet më të arrira në fushën e teknologjisë televizive. Kjo u vu re dhe mbrëmë, në natën finale, ku idetë e Adi Krastës dhe Pali Kukes, dyshes që ka ngjizur që në embrion këtë show gjigand të këngës, u shpërfaqën me një realizim perfekt nga ana e stafit artistik, teknik e organizativ të “Top Channel”.
Ashtu siç u pa, nata finale ishte e ndarë në 5 faza. Në të parën, tre finalistet interpretuan nga dy këngë: një alternativë-rrok të viteve të fundit e një hit të zgjedhur prej tyre sipas preferencës. Pas kësaj përballjeje të parë, njëra prej finalisteve u skualifikua dhe pikërisht Dorina Xerxa. Në konkurrim mbetën vetëm dy Dorina Garuci dhe Kejsi Tola; dy “bisha” që metaforikisht kishin “ngrënë” për muaj e javë sishoqet e sishokët e tyre në urinë për të kapur majat. Më pas erdhi një surprizë e paimagjinuar. Sajohet aty për aty një dhjetëshe e re etheistësh, nga ata që nuk kishin mundur të shkonin deri në finale. Një dhjetëshe tjetër e përzgjedhur jo nga juria, por nga vetë ideatorët e spektaklit Krasta-Kuke. E kështu, ata interpretuan duke dhënë për të kuptuar se “Ethet” janë një shkollë e stërmadhe me shumë klasa. Ja, në moment ti ndërton një finale tjetër.
Surprizat e risitë mbajtën gjallë orët e nxehta të spektaklit, ndërkohë që në qosh të skenës, në të majtë të saj, rrihte një zemër e madhe, rrihte me ritmet plot adrenalinë të nervit konkurrues. Ajo zemër ishte llokma e ëmbëlsirës së lënë për në fund. Pas dhjetëshes së re, i erdhi radha konkurrimit të dyshes së mbetur; përballje e ashpër, e fortë, e pamëshirshme, me gjithë forcën dhe energjinë e gurmazit. Për herë të parë u këndua live me orkestrën e “Top Channel”-it, një risi e aplikuar vetëm në Shqipëri për formatin e këtij lloj spektakli, ku interpretuesit shoqërohen vetëm nga baza muzikore. Dy finalistet, Kejsi Tola dhe Dorina Garuci, kënduan duet me divat e muzikës pop, për të treguar se rruga e nisur ka si pikëmbërritje ato që kishin në krah, e që në “Ethet”, pamundësish për të qenë fizikisht, erdhën virtualisht. Sakaq, finalistet interpretuan të shoqëruara nga orkestra e “Top Channel”-it edhe këngë të të madhes Vaçe Zela. Pse? Sepse sipas shpjegimit të Adi Krastës, në këtë rast nuk ishte fjala për të marrë më stonaturat e njërës apo tjetrës, por më personalitetin e tyre. E kush më mirë se Vaçe Zela e shpërfalte këtë personalitet në skenë?! Ndaj dhe ato duhet të kishin për referencë këngëtaren e madhe shqiptare, nëse në karrierë do i kushtonin një rëndësi edhe personalitetit artistik.
Por sprovë e vështirë ishte dhe interpretimi i “Nesun Dorma”-s, varianti i Aretha Franklin.
Më spektakolare akoma ishte koha mes konkurrimit të dyshes dhe dhënies së çmimit. Para jurisë u paraqitën në audicion anëtarët e korit të “Portokalli”-së, ndërsa 7 finalistët e skualifikuar interpretuan këngë nga muzika e finaleve shqiptare. Dhe ndër momentet më ekzaltuese të kësaj faze të natës finale, ishte performanca e shkëlqyer e trupës së baletit të “Top Channel”, me një kërcim apo dhe instilacion nga filmi “Conquest of Paradise” (Pushtimi i Parajsës), me muzikë të Vangjelis. Sipas një ideje të Pali Kukes, kjo pjesë ishte një diagonale bashkuese ndërmjet pushtimit të parajsës, siç ishte mesazhi i filmit dhe pushtimit të parajsës së vajzave në skenë. Dhe ajo zemër e kuqe e rrëzëlluese tashmë rreh për atë që e meritoi, Kejsi Tola.
Konkurrentët
Triumfoi
Kejsi Tola - Tiranë
—————————–
U eliminuan:
Dorina Garuci - Shkodër
Dorina Xërxa - Gjakovë
Marjela Billa - Tiranë
Fatlum Zeka - Prishtinë
Himena Ymeri - Tiranë
Evin Thana - Prizren
Simona Karafili - Kavajë
Xhensila Myrtezai - Tiranë
Rezarta Smaja - Shkodër
G.Shqip
4 Komente per "Kejsi Tola, fituesja e Spektaklit “Ethet”"
kot fare ka paguar
urime kejsi me te vertet je me fat pasi ke pas konkurentet e forta .me te vertet ke nje fytyr engjelli por studimet mos i le pas dore .te them me plot sinqeritet nga pervoja
urime kejsi . je shume e mire . nga alba dhe HEGLA
Kejsi ishte shume e mire. “ka paguar” eshte shprehje tipike e deshtakeve, por zeri eshte dicka qe flet vete, dhe spektatori eshte ai qe vendos. Kejsi kishte nje ze vertet te paster dhe te kulluar dhe uroj qe ta ruaje.
Pergjigju ose ler nje koment