29 Dec
Nëse prej vitesh kanë ndërtuar një karrierë të qëndrueshme në Itali duket se për të festuar Kledi Kadiu dhe Ambeta Toromani preferojnë vendlindjen. Të dy balerinët e njohur shqiptarë, janë parë këto ditë në Tiranë, e madje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku jo vetëm janë takuar me miqtë dhe kolegët, por edhe janë bërë spektatorë të koncertit të organizuar me rastin e festës së Krishtlindjeve. Nga sa mësojmë të dy balerinët kanë ardhur në Shqipëri vetëm për të pushuar dhe festuar dhe pa ndonjë angazhim artistik. Kledi tregon se tashmë ka përfunduar me sukses në Itali shfaqjen “Romeo dhe Zhuljeta”, ku ishte në rolin e Romeos, një personazh, që e ktheu në skenën e baletit klasik.
Festat e fundvitit ka vendosur t’i kalojë me familjen dhe duket se kjo është e vetmja arsye për të cilën balerini ndodhet në Shqipëri. Megjithatë viti 2008 ruan të tjera projekte për Kledin. “Po shoh mundësinë për t’u rikthyer tek Amiçi”, tregon ai duke iu referuar spektaklit, që e bëri të njohur për publikun italian. Por ç’mund të themi për jetën private të Kledi Kadiut. A mund të besojmë se ai momentalisht është i pa dashuruar? Të paktën kështu shprehet. Ndërkohë në Tiranë, Kledi ka gjetur edhe Ambetën. Të dy balerinët kanë qenë së bashku në ambientet e TOB-it dhe po së bashku janë larguar në shoqërinë edhe të një personi të tretë. Sa për Ambetën mund pohojmë se vazhdon të ruajë ende linjat dhe elegancën e dikurshme, perfekte për një balerinë profesioniste si ajo. Pasi janë larguar nga ambientet e TOB-it, duket se Kledi dhe Ambeta kanë marrë drejtime të ndryshme. Sepse balerini i njohur ka dashur të bëhet protagonist edhe i jetës së natës në kryeqytet, për të pritur Krishtlindjet. Së bashku me futbollistin e njohur Igli Tare dhe disa miq të tjerë, Kledi ka kaluar disa orë në lokalin “Sharm”, për t’u larguar që andej pas mesnatës.
PanoramaPlus
Pergjigju ose ler nje koment