24 Dec
Deputetja e vetme femër e Partisë Republikane rrëfen jetën e saj që nga fëmijëria dhe deri tani. Me kënaqësi Përnaska tregon se ka përfunduar shkëlqyeshëm studimet e larta në fakultetin e mjekësisë duke mbrojtur temën e diplomës me pedagog udhëheqës Kryeministrin aktual Sali Berisha. Përnaska, një grua aktive në jetën politike tregon për dilemën midis profesionit të pediatres dhe politikës. Po kështu për pasionet e saj jashtë politikës dhe jetës publike…

Ku keni lindur dhe si ka qenë fëmijëria juaj?
Kam lindur në qytetin e Tiranës në një familje të madhe, ku përveç prindërve të mi jetonin dhe gjyshërit e dy xhaxhallarët. Fëmijëria ime është e mbushur plot me kujtime të mrekullueshme. E konsideroj me fat veten time, si pjesë e një familjeje të madhe. Duke qenë dhe fëmija i parë në familje, kam qenë dhe e përkëdhelur, madje e privilegjuar, duke pasur vëmendjen dhe kujdesin e të gjithëve. Dhe shtëpia ku jam rritur ishte mjaft e madhe, tepër luksoze për kohën. Kjo lidhet dhe me kushtet mjaft të mira ekonomike të trashëguara nga familja që nga koha paraçlirimit të vendit. Në shtëpi kishim gjithmonë shumë miq e mysafirë që vinin dhe organizoheshin mjaft raste festive. Kjo e bënte dhe më të këndshëm dhe gjithë mjedisin rreth meje. Si gjithë vajzat e tjera kisha qejf lodrat me kukulla, apo shtëpiash dhe zakonisht me shoqet e mia mblidheshin tek unë.
Por kisha shumë qejf edhe librat dhe i kam pasur gjithnjë rreth vetes. Një privilegj mjaft i madh për kohën ishte fakti se unë jam rritur me televizor e magnetofon në shtëpi, gjë e rrallë për atë kohë. Isha vetëm 5 vjeç kur im atë e ndërtoi vetë televizorin e parë, dhe kjo ishte dhe një arsye më shumë që në shtëpinë tonë vinin dhe mjaft njerëz të tjerë për të ndjekur programet e ndryshme televizive. Madje në raste festivalesh apo kampionatesh sportive, ajo bëhej si mini kinema apo mini stadium. Kam ndjekur shumë dhe sportin , veçanërisht futbollin, pasi xhaxhai im është nga futbollistët më të talentuar shqiptarë, Ilir Përnaska. Shumë kohë kaloja dhe me muzikë, madje dhe kur mësoja nuk e ndaja atë në sfond. Dija përmendësh këngët më në zë italiane apo angleze dhe më pëlqenin veçanërisht Beatles, Elvis Prestly, Celentano, Morandi, Nada, e mjaft të tjerë. Mbrëmjet festive i organizonim në shtëpinë time , pasi dhe kushtet i kisha optimale dhe në fushën e teknologjisë me aparaturat më të mira. Kisha shumë qejf dhe veshjet e bukura, të cilat që e vogël m’i qepte dhe m’i stilonte im gjysh, Jonuz Korça, nga më të njohurit për kohën e tij, madje kishte qenë dhe stilist i Pallatit Mbretëror . Zanatin e tij e mori nëna ime e cila vazhdoi të kujdesej veçanërisht për veshjen time dhe kur u rrita. Kujtime kam shumë . Kam qenë një fëmijë i shkathët, plot energji që nuk lija cep të shtëpisë pa u futur, madje deri në tarracë, çati apo pemë që kishim në oborr dhe në bahçe. Fëmijëria ime ka qenë e rrethuar me shumë përkujdesje dhe ajo që është më e rëndësishme , me shumë dashuri. Edhe sot e konfirmoj plotësisht që kam qenë një fëmijë me fat që linda në këtë mjedis familjar.
Ku e keni bërë shkollën tetë-vjeçare dhe të mesme?
Shkollën 8-vjeçare e kam bërë tek shkolla Mihal Grameno , ndërsa të mesmen tek Ismail Qemali, të dyja shkolla të lagjes sime. Edhe kjo periudhë është e mbushur me shumë kujtime të bukura. Kam qenë një nxënëse shembullore, absolute në mësime. Mësimi ka qenë dhe mbetet nga pasionet e mia. Që në fillore kam spikatur për dhuntinë dhe vullnetin tim në mësim. Isha gjithmonë në tabelë të nderit, madje dhe në tabelën e nderit të qytetit të Tiranës. Mësimi vinte mbi gjithçka, pa mbaruar të mësuarin nuk bëja asgjë tjetër. Kjo ka bërë që të jem gjithnjë në grupin e nxënësve të shkëlqyer. Me notën 10 kam mbaruar dhe tetëvjeçaren dhe të mesmen ku mora dhe medaljen e Artë . Vullneti dhe puna sistematike në shkollë, si dhe mbështetja e familjes sime, më ndihmuan që të fitoj dhe të drejtën për të kryer studimet e larta, gjë që ishte e vështirë për kohën. Për më tepër që familja ime kategorizohej si e prekur nga reforma e shtetit komunist, pra të shpronësuar dhe jo pjesë e partisë apo e nomenklaturës komuniste. Këtë lloj diferencimi përjashtues në fakt unë e kam ndjerë që e vogël në shkollë fillore, kur më propozonin si nxënëse e shkëlqyer për të shkuar në tribunë në festën e 1 majit, apo festa të tjera ku ishte udhëheqja e partisë, por emri im fshihej kur shkonte në komitetin e partisë ku behej përzgjedhja. Pasi fitova këtë të drejtë shkollimi , bazuar në medaljen e artë, unë zgjodha fushën mjekësisë për të studiuar. Që në shkollë tetëvjeçare spikaste dhe shkathtësia ime apo dhe një dhunti organizative dhe kjo ka bërë që të zgjidhesha në organizatat e drejtimit të klasës, madje dhe të shkollës.
Cili është profesioni juaj?
Kam mbaruar fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës, më 1985, me rezultate të shkëlqyera dhe kjo më ndihmoi që të merrja emërimin në Tiranë, që gjithashtu ishte shumë e vështirë për kohen. Dua të veçoj që dhe në fakultet ne ishim një kurs i fortë dhe mjaft cilësor, me studentë mjaft të mire. Ndonëse mjekësia është një degë e vështirë, më shumë nga volumi se nga përmbajtja, unë arrita ta përballoj me sukses duke kapur vlerësimin maksimal (mesatare 9,8) Kam pasur shansin të kem pedagogë mjaft të mirë, nga mjekët më të spikatur dhe më të mirët tek ne. Një nga pedagogët e mi ka qënë Prof. Sali Berisha, kardiologu i mirënjohur. Por raporti me të kaloi në më shumë se një raport mësimdhënieje të zakonshme, pasi Prof. Berisha na përzgjodhi që në fund të vitit të parë fakultet, katër nga studentet më të mirë për të punuar në një grup pune shkencor me të. Ne punuam për katër vjet rresht në drejtimin e profesor Berishës, i cili realizoi eksperimentin e parë të mirëfilltë shkencor në fushën e kardiologjisë në vendin tonë. Eksperimenti u bë për atherisklerozën dhe medikamente të ndryshme që ndikonin në sëmundjen hipertensive. Unë mbrojta dhe temën time të diplomës, me një pjese të kësaj pune shkencore që unë ndoqa mbi efektin e diuretikeve në sëmundjen e atherosklerozes. Pra unë jam jo një ish-studente e Berishës, por ai është dhe udhëheqësi shkencor i diplomës sime universitare. Pas mbarimit të fakultetit, pa asnjë hezitim zgjodha degën e pediatrisë, pasi gjithmonë i kam adhuruar fëmijët dhe doja t’i përkushtohesha përkujdesjes për shëndetin e tyre. Fillova punë në spitalin e pediatrisë, ku pata fatin të punoj dhe mësoj nga mjeket më të mirë specialistë të kësaj fushe. Kam punuar më shumë në shërbimin e reanimacionit ku ishte dhe puna më dinamike. Dhashë menjëherë provimet pasuniversitare, duke mbrojtur dhe gjuhët e huaja me të cilat kisha punuar që herët, italisht, anglisht, frëngjisht. Ishin rezultatet e mia në shkolle dhe në punë avantazhi që më krijuan mundësinë të fitoj një bursë studimi pasuniversitar në Francë. Ndonëse pas një beteje të gjatë , me bazë përjashtimin dhe luftën politike duke mos qenë pjesë e nomenklaturës së partisë-shtet, arrita të përzgjidhem për të filluar studimet nga Universiteti Paris V në Francë, në degën Pediatri e Përgjithshme, që nga marsi 1989. Pata rastin të specializohem në spitalet më të mira të Parisit. Por ndonëse investova mjaft në fushën klinike, në 1995, pasi u ktheva për të punuar në atdhe, m’u desh të bëja një zgjedhje jo të lehte për mua. Kalimin nga klinika në administratë dhe politikëbërje, pasi u emërova këshilltare e ministrit të shëndetësisë. Vendi ishte në një proces të rëndësishëm reformash dhe gjykova që kontributi im në këtë drejtim do të ishte më i rëndësishëm. Më tej unë kreva studimet në nivel masteri në Universitetin Henri Poncare në Nancy Francë, për shëndet publik dhe politika shëndetësore. Edhe sot jam e bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur.
Cili është qyteti juaj i preferuar në Shqipëri si dhe kush është shteti që ju pëlqen më shumë të vizitoni?
Qyteti im i preferuar është vendlindja ime Tirana. Nuk e ndërroj atë me asnjë qytet tjetër në botë, ndonëse kam pasur mundësi ta bëj këtë. Madje më merr malli edhe kur largohem për kohë të shkurtër. Dhe kjo është interesante, që përveç familjes, miqve, të njohurve , kujtimeve që të lidhin me të, ja që të merr malli dhe për pluhurin e rrugët me gropa?! ( Këtu do bëj dhe pak politikë , se mendoj që është keqmenaxhimi i Bashkisë , që e ka lënë ende në këtë gjendje të mjeruar infrastrukturën e këtij qyteti të mrekullueshëm, të cilit perëndia ia ka dhënë të gjitha, bukurinë natyrore dhe pozitën gjeografike fantastike. Tirana ime dhe Tirana jonë, sigurisht meriton më shume se sa bojatisje me bojëra që dalin shpejt!). Qyteti i dytë ku unë kam kaluar më shumë kohë nga jeta ime, është Parisi ( rreth 5 vjet) Edhe atje më pëlqen të kthehem herë pas here si për punë , apo edhe si vizitore. Është vërtet një qytet i admirueshëm. Por karriera ime profesionale më ka dhënë mundësi që të lëviz dhe të njoh shtete të ndryshme të botës. Kështu kam qenë për takime pune apo trajnime në mjaft vende të tjera veç Francës, si Itali, Gjermani, Zvicër, Austri, Hollandë, Suedi, Danimarkë, Belgjikë, Poloni, Angli ,etj. Shpesh kam vajtur në shtete të ndryshme të SHBA , si Uashington, Nju York, Detroit, Chicago, Boston, Arizona, Atlanta, etj. Por interesante janë dhe eksperiencat që kam marrë në vende të tjera si Izrael, Indi, Jordani, etj. Më pëlqen shumë të udhëtoj, pra jam person në lëvizje, pasi për mua lëvizja të jep jetë. Qytetet në të cilat rikthehem gjithnjë me mjaft kënaqësi janë Parisi, Viena, Mynihu, Londra dhe sigurisht Nju York dhe Dubai.
Ndryshe nga ditët rutinë, çfarë preferon familja juaj të zhvillojë gjatë pushimeve qoftë verore, fundjava ashtu edhe dimërore?
Pushimet i kalojmë më shumë pranë detit. Ne kemi një bregdet të mrekullueshëm dhe ky është vërtet fat. Që fëmijë kam shkuar vazhdimisht në Durrës, por dhe në qytete të tjera bregdetare. Sigurisht kam pasur rastin të kaloj pushime dhe në vende fqinjë si Maqedoni, Greqi, apo Turqi, Itali, Francë. Por preferoj bregdetin tonë. Kemi bërë dhe një investim në bregdet, duke blerë një apartament në Qerret të Kavajës, ku ka një plazh mjaft të këndshëm. Edhe në fundjavë mund të lëvizim në vende të afërta si Durrës, mali i Dajtit. Por duke qenë se kemi dhe një pjesë të familjes në Korçë, na qëllon që me raste ose jo, të shkojmë shpesh atje, sigurisht duke bërë dhe ndalesa në Pogradec, jo vetëm për të shijuar koranin, por dhe bukurinë e gjolit. Edhe Struga e Ohri mbeten të preferuar, pasi dhe aty jeton një pjesë e familjes.
Preferoni më shumë malin apo detin?
Në mënyrë absolute detin. Ai përbën një pjesë të rëndësishme të jetës sime, gjithmonë pushimet i kam kaluar në bregdet. Deti ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi mua, qoftë qetësues, qoftë inspirues. Pëlqej veçanërisht kohën e perëndimit, kur “dielli i kuq zhytet në det”
E ngisni makinën?Nëse po, cila është makina juaj e preferuar?
Sigurisht që e ngas, prej vitesh tashmë . Është kthyer dhe kjo në një lloj pasioni, më pëlqen të udhëtoj duke qenë vetë në timon. Sigurisht jo në rrugët me trafik të ngarkuar, ku drejtimi i makinës kthehet në një makth të vërtetë. Makinat më pëlqejnë të vogla dhe të larta, pra të mbledhura. Ka lloje të ndryshme që vërtet janë të bukura dhe komode. Ndër të preferuarat mbetet Benz-i.
Çfarë raporti keni me lukun dhe me pasqyrën?
Sigurisht luku është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Mendoj se kjo është e nevojshme jo vetëm për femrën dhe feminilitetin e saj , por edhe për meshkujt. Kujdesem rregullisht për veten, por nuk jam rob i pasqyrës. Gjithçka e realizoj brenda natyrës sime të lire dhe në përshtatje me të. Edhe veshja ime është në përshtatje të plotë me natyrën dhe tipin tim. Nuk jam aspak rob i emrave të firmave të ndryshme, përkundrazi më pëlqen të ekonomis mirë shpenzimet e mia në këtë drejtim.,Jam tip praktik dhe që përshtatem shpejt në mjedise të ndryshme. E njoh mirë tregun dhe ndjek blerjet e duhura dhe me leverdi. Edhe modën e ndjek në përshtatje me natyrën time. Të mos harrojmë që brenda asaj që quhet modë, mund të gjenden dhe tendenca karnavalesh që jo vetëm nuk ta përmirësojnë paraqitjen, por përkundrazi ta shëmtojnë atë. Mendoj se gjithsecili duhet ta gjejë vetë atë që i shkon më shumë. Veç pjesës së trashëguar për një paraqitje të hijshme, unë kam dhe mikeshën time Enada At Nikolla që më ndihmon në këtë drejtim, me guston e saj të veçantë e të spikatur.
Është e lidhur ngushtë zonja Lajla me pasionin për librat?
Librat mbeten miqtë e mi të pandarë. Madje do të thosha se asnjëherë nuk e kemi tradhtuar njëri-tjetrin. Ata kanë qenë pjesë e jetës sime që në moshën e fëmijërisë dhe mbeten të tillë.
Kush është parfumi juaj i preferuar?
Më pëlqen t’i ndërroj parfumet. Përdor prodhime të ndryshme si franceze, italiane apo amerikane. Aktualisht po përdor parfumin Tommy Girl.
Aktori dhe aktorja juaj e preferuar?
Më pëlqen të shoh filmat me Kevin Kostner, Silvester Stalone, Robert de Niro, Al Pacino, Sheron Stone, Julia Roberts, etj.
Po këngëtari më i preferuar dhe cilën lloj muzike preferoni më shumë?
Muzika gjithashtu mbetet pjesë e pandarë e jetës sime. Gjithmonë më ka shoqëruar ajo. Preferoj muzikën e lehtë. Madje e dëgjoja dhe në mënyrë klandestine kur ishte e ndaluar në sistemin e kaluar. Pamundësia për t’u shkëputur prej saj, më ka bërë të kaloj dhe eksperienca shumë të veçanta, si psh më ka kapur policia në plazh duke dëgjuar në radio HIT PARADE, pasi kjo quhej ‘shfaqje e huaj” për atë kohë. Por ja kam hedhur paq, pa ndonjë lloj mase specifike, ndonëse merrja kritika nga bijtë e partisë së punës për t’u korigjuar dhe për “të dëgjuar muzikën e shëndoshë të realizmit socialist”. Më pëlqen të dëgjoj Beatles, Celentanon, Zucheron, Ramazzotin, Elton John, ABBA, Bee Gees, Joe Dassin, Batistin, Spice Girls, Celine Dion, etj. Kam një disko-tekë mendoj me përbërje të mirë dhe miks, me këngëtarë nga vende të ndryshme.
Ka Lajla një shkrimtar të preferuar dhe cili është ai?
Nuk mund të veçoj ndonjë emër më vete. Lexoj libra të autorëve të ndryshëm , duke respektuar dhe ata më të rinjtë.
Po një poezi të preferuar. Mund të na thoni disa vargje të saj?
Vargje të veçanta nuk mund të them, ndonëse herë pas here më pëlqen të endem nëpër vargje të poetëve të ndryshëm , duke filluar nga Rilindësit, e duke vazhduar deri në ditët tona.
Cili është raporti juaj me paratë?
Paratë mendoj se janë të vlefshme, pasi na mundësojnë krijimin e të mirave tona materiale. Por nuk mendoj se janë gjëja më e rëndësishme . Unë nuk jam një person i orientuar ndaj parasë, ndonëse falë Zotit, gjendjes ekonomike të familjes, si dhe profesionit e punës sime, ato nuk më kane munguar ndonjëherë. Paranë e respektoj dhe nuk më pëlqen ta shpenzoj pa kriter. Përkundrazi jam mësuar të jem një ekonomiqare e mirë. Paraja mendoj se duhet aq sa për të krijuar një komoditet të mjaftueshëm. Mendoj se asaj ia di më shumë vlerën kur e fiton me djersë e me punë.
Kush është kuzhina juaj e preferuar?
Preferoj jeshil-llëqet, domethënë zarzavatet dhe frutat. Sallata veçanërisht është pjesë e pandashme e menusë sime. Preferoj dhe prodhimet e detit.
Është zonja Lajla një amvisë e mirë shtëpiake dhe cili është gatimi më i mirë që ajo di të bëjë?
Amvisë e mire nuk mund të them, pasi së pari nuk kam kohën fizike për të qenë e tillë. Por më pëlqen të gatuaj dhe gjyshja e nëna ime më kanë mësuar një kuzhinë të pasur gatimi që kur isha e vogël. Kam pasur shansin të trashëgoj nga traditat më të mira të kuzhinës korçare (origjina e familjes nga babai), asaj dibrane (origjina e familjes nga nëna) me atë tiranase (familja është vendosur prej pesë brezash tashmë dhe për më tepër unë jam rritur me një gjyshe autoktone tironse).
Sa është kufizuar privatësia juaj nga fakti i të qenurit person publik?
Sigurisht të qenurit person publik mendoj se ka avantazhet dhe dis-avantazhet e tij. Nga njëra anë ndihesh mirë kur ke njerëz që të ndjekin dhe nga larg, dmth nëpërmjet ekranit dhe vlerësojnë punën tënde. Një pjesë e tyre të ndalojnë e të takojnë dhe në rrugë apo diku tjetër. Por unë i mirëpres dhe i vlerësoj edhe kritikat. Te gjithë mendoj se jemi vazhdimisht në proces evoluimi dhe vetëkorrigjimi, prandaj dhe kritikat të bëjnë mirë. Por mendoj se për një politikan është akoma më e rëndësishme të ketë vesh për t’i dëgjuar ato. Pa tjetër që ka dhe raste kur ky status që ke fituar tashmë, të kufizon në realizimin e një jete private si shumica e shoqërisë ku bën pjesë. Privatësia gjithashtu është pjesë e rëndësishme e gjithsecilit dhe ajo duhet respektuar, veçanërisht këtë duhet ta kenë parasysh paparacët!
Çdo të thotë që një femër shqiptare të integrohet në politikë?
Është ende një fushë e dominuar ndjeshëm nga meshkujt. Por me gjithë vështirësitë, sigurisht hapësira dhe mundësi ka. Përderisa dhe femrat që kanë arritur të jenë në nivelet e larta të politikës, po realizojnë karrierën tyre edhe në këtë fushë. Për gjykimin dhe eksperiencën time integrimi në politike do të thotë : Profesionalizëm, Përkushtim dhe Përgjegjshmëri. Por kjo jo vetëm për femrat, por se pari për meshkujt që sot e dominojnë dhe e menaxhojnë politikën.
Cilat është raporti me djalin tuaj dhe a jeni tolerante me të?
Im bir përbën realizimin më të rëndësishëm të jetës sime. Ai tashmë është një adoleshent, dhe me gjithë veçoritë e vështirësitë që ka kjo moshë, unë përpiqem ta njoh botën e tij dhe ta mbështes atë. Është mjaft i nevojshëm një raport prind –fëmijë sa më i afërt, veçanërisht në këtë moshë. Përveç kujdesit të zakonshëm, përpiqem të jem dhe një mike për të , duke kuptuar së pari dëshirat, pasionet por dhe problemet e tij. Komunikimi është një mjet kyç për të ruajtur një marrëdhënie sa më të natyrshme dhe të ngrohtë. Nuk mungoj as unë të jap vazhdimisht këshilla, si çdo nënë tjetër, por duhet të gjesh mënyrën se si dhe kur t’i japësh ato. Unë kam shkruar dhe një libër të titulluar “Udhërrëfyes i adoleshencës”, të cilin e kanë vlerësuar ata që e kanë lexuar, si adoleshentë apo prindër të tyre.
Ka zonja Lajla ndonjë pasion tjetër përveç profesionit të saj?
Pasione kam, muzikën, por dhe kërcimin, më pëlqen shumë të kërcej, dhe e “qaj fare” si kërcimin modern edhe atë popullor.
Cilin nga momentet më të lumtura që keni kaluar do të veçoni më shumë?
Moment unik dhe suprem është ai i lindjes së tim biri.
Po momenti më i vështirë cili ka qenë?
Lufta që më është dashur të përballem në sistemin monist, që arrinte në absurdin e saj , atë të luftës me letrat anonime, që ishin aq në mode, të preferuara madje dhe efikase për sistemin.
Cila ka qenë dhurata më e bukur që keni marrë dhe që keni bërë?
Bëj dhurata, pasi dhe më pëlqen kur i marr ato nga të tjerët. Për mua edhe ky është një proces marrëdhënieje, pra të japësh, por edhe të marrësh. Ruaj si të veçantë një varëse që më ka dhuruar djali. Lidhja është mjaft interesante, në kohën kur u shfaq filmi TITANIK, atij i pëlqente varësja e protagonistes, quhet “Oqeani blu” . Kur unë kisha ditëlindjen, ai kish arritur të gjente një varëse të ngjashme me të, zemër kristali me ngjyre blu, të cilën ma bëri dhuratë.
Nisur prej faktit që jeni e divorcuar, mund të na thoni nëse jeni në kërkim të një dashurie të re?
Ashtu si jeta ka në thelb dashurinë, dhe vetë dashuria ka nevojë për jetë. Por dashuria për mua është një ndjenjë thelbësore njerëzore, i cila ka shume dimensione. Unë jam një tip sensibël, që e vlerësoj shumë së pari ndjenjën e dashurisë. Jap shumë ndjenjë dashurie dhe përkujdesje rreth meje, ashtu siç kam dhe nevojë ta marr atë nga të tjerët. Mendoj se dimensioni më i rëndësishëm i dashurisë sonë është ai për fëmijën dhe besoj se dashuria e nënës për fëmijën është e vetme dhe e patjetërsueshme. Por dhe dimensionet e tjera të saj janë po aq të rëndësishme si ajo prindërore, për njerëz të dashur etj. Pa dyshim një dimension unik është ai i dashurisë në çift. Kur ndodh , ajo është vërtet e mrekullueshme. Edhe unë e vlerësoj mjaft këtë dhe mendoj se dashuria dhe në këtë dimension, nuk njeh moshë! Sigurisht e mirëpres atë.
G.Sot
Nje koment per "Lajla Përnaska unë ish-studentja e Sali Berishës"
komplimente zonjes.fantastike pernaska.albina,shkoder
Pergjigju ose ler nje koment