Flet etheistja që u largua nga gara: Rrëfej çastet kur thashë “lamtumirë”

marjeta-billo.jpg


Marjeta Billon, ndoshta tani e tutje do ta shohim më tepër në skenë. Nga “Ethet” ajo jo vetëm u bë e njohur për publikun, por pothuajse ka hequr njëherë e mirë dyshimet mbi veten duke arritur të ketë një shkallë sigurie, aq sa për t‘u quajtur e denjë për çdo skenë kënge. U mbajt me shumë dinjitet në momentet, kur nga Krasta iu bë e ditur se ishte ajo që duhej të largohej (sipas votave të publikut); buzëqeshi dhe falënderoi me mimikën e saj dashamirëse. Por nuk e mohon se është ndier e trishtuar. Në intervistën e mëposhtme tregon të vërtetën e atyre çasteve dhe ca të tjera…

Fillimisht, një përshkrim tuajin për veten, moshën, lidhjet me këngën, muzikën dhe shkollimin…

Atëherë, jam në moshën 19-vjeçare dhe studioj në Akademinë e Arteve, dega Kanto. Aktualisht, jam në vitin e dytë të kësaj dege në klasën e pedagogut Kastriot Tusha. Natyrshëm që lidhjet me këngën i kam pasur që e vogël. Gjithnjë kam dashur të këndoj dhe pasionin tim e realizova duke bërë një shkollë të tillë që nga liceu e deri më tani në Akademi.
Si u përfshitë në “Ethe”?

Ishte shtytja që më dha familja dhe shoqëria ime për të marrë pjesë në “Ethte”, pasi vetë kisha njëfarë ngurrimi. Më saktë, nuk kisha sigurinë që vokali im ishte shumë i përshtatshëm për muzikën e lehtë. Por duke e provuar veten në skenë dhe duke parë reagimin e publikut ndaj interpretimeve të mia, atëherë e kuptova që mosbesimi ndaj vetes ishte i kotë. Madje, nisa t‘i them vetes që “paskam shumë për të dhënë”. Dhe këtë gjë, ia konfirmoja po vetes nga faza në fazë, nga java në javë.
Me ç‘këngë u përfaqësuat fillimisht dhe ç‘të tha juria pasi të dëgjoi?

Duke qenë se unë jam e dashuruar me rrymën muzikore të xhazit, zgjodha të konkurroj me këngën “Autumn leaves”, një nga hitet e mia të preferuara. Kisha shumë emocione dhe më tensiononte ideja që juria mund të të më thoshte “jo”. Por gjithçka shkoi shumë mirë dhe të gjithë anëtarët e jurisë ishin “pro” ardhjes sime në Tiranë.
Cila ka qenë bindja që u ka shoqëruar gjatë “Etheve”, fazë pas faze, që duhet thjesht të përfaqësoheshit denjësisht, apo fitorja patjetër e tyre?

Gjithnjë, nga java në javë i thosha vetes: “Kënaqu! Kënaq publikun dhe këndo bukur!”. Ndaj, dëshira ime e vetme ka qenë që të përfaqësohesha denjësisht. Por mund të them se oreksi vjen duke ngrënë dhe kur kaloja një javë, doja të vazhdoja dhe javën tjetër.
Megjithatë, ju kurrë nuk ishit dominuar për të qenë humbëse. Pra, asnjëherë nuk e keni përjetuar atë momentin delikat të të shkuarit pranë eliminimit. Për herë të parë ndodhi mbrëmë dhe “ndëshkimi” ra mbi ju. Si e komentoni këtë?

Jo, e kam provuar njëherë të jem pranë skualifikimit; natën kur u eliminua Simona Karafili. Ndoshta eliminimin tim këtë javë e prisja. Sepse siç u tha, ajo natë ishte nata e madhe e krijimit të një Shqipërie më të madhe me Kosovën e pavarur. Domethënë, ishte nata e Kosovës, jo nata ime!

Më tregoni për çastet kur mbete vetëm për vetëm me Xërxën. Ç‘ishte ajo shenjë që të dha Krasta?

E thashë dhe pak më lart që e prisja skualifikimin tim nga gara. Shenja e Adit, konfirmoi atë që unë prisja të ndodhte. Dhe gjithashtu, mund të them se Dorina Xërxa është një këngëtare shumë e mirë me stilin e saj dhe energjinë që e karakterizon.
Mendove që gabove diku në interpretim e kjo u bë shkak që të mos marrësh votat e mundshme nga publiku?

Unë e di që e diela e dy netëve më parë, ishte nga më të mirat e mia. Kjo u vërtetua dhe nga duartrokitjet dhe dashamirësia e publikut ndaj meje. Kam interpretuar me gjithë shpirt, por siç e thashë, nuk ishte nata ime.
Kë kishe në sallë nga familja mbrëmë?

Pothuajse tërë familjen; prindërit dhe dy motrat. Gjithashtu dhe shoqërinë time. Që të gjithë më kanë mbështetur pa masë dhe i falënderoj shumë.

Ç‘ndodhi më pas kur dolët jashtë? Si kaloi mbrëmja, nata?

Më pas ika në shtëpi me familjen dhe u rregullova që të dilja me etheistët e tjerë, siç bëjmë çdo të diel pas përfundimit të “Etheve”. Kisha pak trishtim përbrenda, por kur rrija me ta, më dukej sikur vazhdoja garën dhe mërzitja më ikte.
Ç‘do të mbeten “Ethet” për ju?

Ethet për mua: eksperienca më e bukur që kam kaluar deri më sot. Ato përfaqësojnë hapat e mi të parë drejt asaj çka unë dëshiroj të jem. I jam mirënjohëse pa rezerva stafit të “Top Channel”, duke veçuar organizatorët: Rudin, Marsin dhe Iridën; regjisorin Pali Kuke; anëtarët e jurisë; prezantuesin Adi Krasta dhe butik “Pentium”. Të gjithë janë preokupuar e lodhur shumë për mua.

G.Shqip