Your are here: Home // Vipat Shqiptare // Merita Halili vajza Tironse Nusja e Kosovës‏

Merita Halili vajza Tironse Nusja e Kosovës‏

meritahalili1.jpgËshtë kthyer nga New York për të marrë pjesë në aktivitetin “Sofra tiranase” me muzikantin Raif Hyseni. Së bashku ndajnë jo vetëm jetën bashkëshortore por dhe profesionin e tyre duke u ndjerë mirë me njëri tjetrin. Merita e konsideron veten plotësisht të integruar në Amerikë dhe përveç pjesmarrjes nëpër koncerte të ndryshme për komunitetin shqiptar ajo prej kohësh është përfaqsuese e folkut shqiptar në Amerikë me shoqërinë “World Muzik”. Ndërsa karriera i ecën shumë mirë ajo e konsideron veten mbi të gjitha një bashkëshorte dhe nënë të suksesshme….

Nusja e Kosovës

Ajo një nuse nga Shqipëria dhe ai një dhëndër nga Kosova. Martesa e tyre shpeshherë është bërë simbol i dashurisë mes trojeve shqiptare. Në këto ditë kaq të rëndësishme për Kosovën Merita ndjehet shumë pranë popullit kosovar. Ka marrë pjesë në të gjitha demostratat në mbrojtje të Pavarësisë të organizuara nga shqiptarët në New York duke e ndjerë veten pjesë të rëndësishme të komunitetit.Me këtë rast do të falenderojë të gjithë shqiptarët emigrantë për atdhedashurinë e tyre që e shprehin në çdo situatë dhe që e mbrojnë me gjithë fuqinë e tyre çështjen e pavarësisë.

Nuk jam e fiksuar pas pamjes

Duke qenë njeri i skenës pa dyshim që pamjes së jashtme Merita i jep rëndësinë e duhur. Dhe pse nuk është nga ato njerëz që vdesin për tu dukur. Përkundrazi ajo di të ndajë me kujdes anën profesionale me njeriun që është jashtë skenës. Thotë se pak njerëz e njohin që është Merita Halili jashtë skenës. Kjo për faktin se është shumë e thjeshtë në jetën e përditshme dhe shumë praktike. Nuk e pëlqen trukun e tepërt dhe pse është gjithnjë e kujdesshme në lidhje me ushqimin. Në Amerikë ushqimet nuk janë shumë organike dhe ka shumë frikë se mos shëndoshet, por nuk e ka kthyer kurrë në mahni dëshirën për të qenë në formë.


Keni ardhur në Shqipëri për “Sofrën tiranase”

-Po, u ftova nga shoqata “Tirana”. Është një aktivitet i përvitshëm, ku të gjithë adhuruesit e këngës tironse marrin pjesë dhe koncerti kthehet në një festë të vërtetë. Ishte një ftesë që e pranova me shumë kënaqësi, sepse është një traditë që e vlerësoj shumë dhe që mendoj se të gjithë duhet të kontribuojnë për ta çuar përpara. Folku ka nevojë të mbështetet dhe të ruhet si një pasuri e patjetërsueshme. Fundi i fundit siç bën e gjithë bota.

Me çfarë emocioni ktheheni këtë radhë në Shqipëri?

-Të them të drejtën çdo herë që vij në Shqipëri kam shumë mall. Sepse këtu është vendi ku jam rritur, formuar, është vendi ku kam familjen time dhe kur publiku më ka duartrokitur për herë të parë. Është një lidhje e pashpjegueshme. Sado që jam shumë e aktivizuar në Amerikë dhe nuk më mungojnë ofertat aty ku jam, kokën e kam në Shqipëri. Më merr malli për duartrokitjen e sinqertë të publikut shqiptar.

Si gjithnjë e shoqëruar me bashkëshortin?

-Në fakt Raifi nuk është se më ka shoqëruar në këtë eveniment vetëm si bashkëshort por jemi të ftuar të dy. Jemi dy kolegë të pandashëm. Ai është lideri kryesor i orkestrës dhe ka peshën kryesore në të gjitha komunikimet dhe ofertat tona të punës në Amerikë.

Punoni mirë me njëritjetrin?

-E kemi gjetur shumë mirë veten. Kuptohemi me sy, pa thënë shumë fjalë. Kemi një bashkëpunim të mrekullueshëm dhe unë e ndjej veten me fat shumë të madh që jemi bashkë.

Si jeni njohur?

-Jemi takuar në Amerikë për një koncert. Unë nuk e njihja Raifin më parë dhe kur e pashë për herë të parë më tërhoqi shumë interpretimi i tij në fizarmonikë. Ishte virtuoz. Ai do më shoqëronte në disa koncerte dhe mbrëmje të ndryshme dhe unë insistoja t’i thosha listën e këngëve që do këndoja duke e pyetur gjithnjë nëse e dinte vijën muzikore që duhet të më shoqëronte. E paragjykova për faktin se ai ishte kosovar dhe mendoja se ai nuk e njihte dhe aq mirë muzikën shqiptare. Por gabohesha. Ai ishte profesionist i vërtetë. Aty nisën dhe ngacmimet e para. Fillimisht u pëlqyem profesionalisht dhe më pas lindi dëshira për të ndenjur bashkë.

Me çfarë ju bëri për vete Raifi?

-Kuptohet që njeriu dashuron një herë në jetë .Unë i besoj dashurisë së madhe. Mund të them se e pëlqeva dhe u dashurova me të gjitha virtytet që kishte ai djalë. Bashkëjetuam 5 vjet bashkë për tu njohur mirë me njëri-tjetrin dhe më pas vendosëm të martoheshim dhe të lidhnim jetën. Jeta jonë bashkëshortore shkon shumë mirë. Sigurisht që martesa ka detyra dhe ka uljet dhe ngritjet e veta. Por ndjehem mirë sepse njeriu kur është i prirur të kërkojë suksesin për martesën e vet dhe për familjen që ka krijuar duhet të bëjë atë që është më e mira për të gjithë.

Jeni dy tipa të ndryshëm apo të njëjtë?

-Unë them se karakteri i njeriut nuk ndryshon. Unë nuk mund të ndryshoj karakterin e bashkëshortit tim. Por di të them, se kur e do shumë një njeri, e kupton. Ne jemi tipa të njëjtë si nga zemra dhe nga shpirti. Ngjajmë shumë me njëri-tjetrin dhe mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kosovarët janë pak xhelozë…

-Nuk dua të përgjithësoj kosovarët apo shqiptarët. Çdo njeri prezanton veten e tij në jetë. Mendoj se njeriu është xheloz nga dashuria që ka për njeriun që do shumë. Xhelozitë i kemi përjetuar në fillim, sepse çdo njeri ka huqet e veta. Por tani janë shuar. Ne kemi arritur në një moshë kur fëmijët na janë rritur dhe nuk ka vend për xhelozi.

Ndërkohë keni tre vajza. Ju ka ardhur keq që janë vetëm vajza. Kosovarët sikur e kanë qejf një djalë për pushkë?

-Të gjithë burrat e botës nuk ndryshojnë në lidhje me këtë mentalitet. Të gjithë baballarët duan të kenë një djalë. Unë për vete më pëlqen që kam vajza sepse kam qenë motër e vetme me 5 vëllezër. Tani vajzat më janë bërë si tre motra. Për hatër të burrit do kisha dëshirë të kisha një djalë, sepse ai e do, por si dihet.E rëndësishme është që fëmijët janë të shëndetshëm.

Si kanë qenë momentet e të qënit nënë për ju?

-Përgjithësisht kanë qenë momente shumë të veçanta. Kur jam bërë nënë për herë të parë kam qenë më e re dhe shumë më ndryshe. Me fëmijën e dytë është tjetër gjë. Kjo e treta gjithashtu. Mendoj se çdo fëmijë ka emocionet e veta. Më duket sikur jam rritur me vajzat e mia.

A i ushqeni vajzat me dashurinë për Shqipërinë?

-Ne flasim në shtëpi shqip dhe vajzat gjithashtu. I kemi edukuar me frymë atdhedashurie duke i përcjellë atë që kemi brenda nesh. Pastaj janë shumë të lidhur me Shqipërinë sepse ato vinë çdo vit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ju jeni këngëtarja më e njohur popullore shqiptare. Ka ndikuar suksesi në personalitetin tuaj. Apo keni mbetur gjithnjë ajo vajza e thjeshtë?

-Një artiste e formuar di të krijojë tek vetja bindjen se skena mbetet skenë, shtëpia mbetet shtëpi dhe shoqëria shoqëri. Mbas shumë vitesh që e konsideroj veten artiste mendoj se kam gjetur balancën e duhur mes profesionit, familjes dhe shoqërisë. Përgjithësisht përpiqem që në radhë të parë të jem një nënë e përkushtuar,një bashkëshorte e denjë dhe më pas ti jap maksimumin e energjisë profesionit dhe vendin e duhur shoqërisë.

Si mund ta përcaktosh veten si nënë?

-Jam nënë e butë dhe shumë e përkushtuar. Për mua në jetë gjëja më e rëndësishme është familja. Jam shumë e lidhur me fëmijët dhe me shtëpinë dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë në familjen time. Më pëlqen shumë ambienti familjar. E gjej goxha mirë veten, aty.

Amvisë e mirë?

-Më pëlqen dhe të gatuaj. Fatmirësisht në gatim jam bërë internacionale.

Ka ndonjëra nga vajzat talentin tënd?

-Jetojnë në një shtet të lirë ku secila mund të zgjedhë pasionin e saj në jetë. Nuk ngulmoj ti ushqej me dashurinë për këngën sepse unë jam njeri që i kushtoj shumë rëndësi talentit natyral. Nuk jam tip që ushtroj trysni. Le të zgjedhin vetë gjërat që duan. Duke qenë se tek unë pasioni për këngën erdhi në mënyrë natyrale nuk mund t’ja heqë atyre këtë të drejtë.

Kur keni kënduar për herë të parë?

-Që në kopësht kur isha 5 vjeç. Më kujtohet që më futën në një kafaz dhe më vunë të këndoja këngën “Si cicëron bilbili”. Që nga ajo moshë nuk i jam ndarë skenës. Unë jam rritur në një ambjent familjar ku sundonte kënga tironse, ahengu dhe muzika. Dhe pse shkollimi im i përket muzikës klasike, që ka qenë një pasion tjetër i madh, imi. Unë kam mbaruar shkollën për kanto.

Bota e artit është e vështirë. Për një njeri modest si ju ka qenë e vështirë për të ecur përpara?

-Është e vërtet që kam qenë dhe vazhdoj akoma të jem modeste. Mendoj se ka qenë talenti ai që më ka ndihmuar për të ecur në jetë. Por dhe fakti që kam qenë njeri pozitiv dhe kam parë gjithnjë punën time. Nuk jam sëmurur për të dalë përpara ose për të fituar. Bota e artit është e vështirë dhe ka plagosjet e veta. Ka patur shumë momente kur dhe jam vrarë por gjithnjë jam tërhequr dhe kam ruajtur identitetin tim. Nuk kam dashur të prekem nga askush. Në Shqipëri unë kam dhënë shumë, kam fituar kompeticione dhe nuk kam marrë shpërblimin e merituar. Por nuk e vras shumë mendjen për këtë. Unë këndoj për pasion dhe nuk shoh kurrë mbrapa. Kam patur dhe unë fitoret e mia.

Si ndryshoi jeta juaj me vajtjen në Amerikë?

-Amerika është një eksperiencë tjetër. Unë ika me një mentalitet të ngushtë shqiptar dhe ndoshta dhe me frikë brenda vetes. Sigurisht dhe për disa arsye personale.

A e ke ndjerë veten ngushtë dhe pse ishe një këngëtare me bekground goxha të mirë…

-Nga ana profesionale e kam ndjerë veten shumë të respektuar nga njerëzit e atjeshëm. Në Amerikë mua më njihnin shumë mirë. Unë isha për ta një pjesë Shqipërie, një njeri me të cilin ndanin mallin e tyre për atdheun.

Pra gjithçka ishte e shtruar me trëndafila dhe zambakë?

-Nuk mund ta përshkruaj kështu. Por u prita mirë. Vetë angazhimi im në profesion më ndihmoi shumë. Sigurisht përshtatja me gjuhën ishte disi e vështirë. Por nisa shkollën dhe u mësova.

Tani jetoni vetëm nëpërmjet këngës?

-Jam marrë vetëm me këngën dhe kjo ka qenë e mjaftueshme. Komuniteti shqiptar është i mirëorganizuar. Prej disa vitesh unë bëj pjesë një një organizatë botërore të quajtur “World Muzik”, ku marrin pjesë këngëtarë dhe grupe pjesmarrëse nga e gjithë bota. Aty përfaqësoj Shqipërinë dhe bëj pjesë që nga viti 1996. Me “World Musik” japim koncerte në të gjithë botën dhe kemi organizuar festivale të ndryshme. Jam ngjitur me to në skenat më të njohura botërore si në Uashington DC, në Broduei në Symphony Space, në Lincolm center, në Teksas, Canzas city ku marrin pjesë të gjithë artistët më të suksesshëm botërorë.

Një dimension që ju ka mbushur shpirtërisht?

-Është një dimension tjetër sepse konkurimi ka të bëjë me gjithë botën. Unë këndoj shqip për amerikanët dhe publikun e vendeve të ndryshme duke bërë shumë herë dhe spektatorët të këndojnë në shqip. Kam qenë dhe në Japoni me grupin “Kitka”, një grup amerikan me 8 këngëtare dhe kemi kënduar për dy orë life këngë shqiptare të interpretuara nga Merita dhe nga “Kitka” një eveniment i jashtëzakonshëm. Ishte një kërkesë e imja të këndohej në shqip sepse më parë ky grup ka kënduar kryesisht këngë të Ballkanit. Ishte një koncert ku u shitën të gjitha biletat dhe pati sukses të jashtëzakonshëm.

Gjithë këtë eksperiencë që keni grumbulluar a po mundoheni t’ia transmetoni dhe të tjerëve…

-Prej shumë vitesh jam e ftuar në ëorkshope të ndryshme që bëhen në Amerikë.U shpjegoj amerikanëve mësim vokali dhe muzikë shqiptare. Janë seminare shumë të suksesshme që ndiqen me shumë vëmendje. Më habit dëshira që kanë amerikanët për të dëgjuar dhe për të mësuar këngë shqip. Gjithashtu dhe rëndësinë që i japin folkut.

Ofertë për ndonjë album në Amerikë?

-Kemi patur disa biseda. Dëshira jonë është që albumi të prodhohet nga ndonjë kompani e madhe. Jemi akoma në bisedime sepse deri më sot nuk janë plotësuar kushtet. Albumi do jetë me këngë popullore shqiptare, por i shpërndarë nga një producent amerikan. Ky është qëllimi im i madh, të cilin shpresoj ta realizojë shpejt. Ndërkohë që në Shqipëri dëshiroj që të japë një koncert recital. Nuk e di kur do më realizohet.

Jeni kthyer kështu në ambasadore e muzikës shqiptare?

-Unë prej kohësh e kam marrë këtë titull dhe tashmë e ndjej veten që po e ushtroj këtë mision. E kam shumë për shpirt përhapjen e muzikës shqiptare në botë. Sepse është një folk i mrekullueshëm.

Ndjehesh më e kënaqur në Amerikë me vlerësimin material?

-Mendoj se dhe në Amerikë ajo që më kënaq më shumë mbetet sodisfaksioni shpirtëror. Artisti përgjithësisht është pak materialist. Në Amerikë është më ndryshe se në Shqipëri dhe kontratat janë më të sigurta. Por unë nuk kam qenë ndonjëherë materialiste.Më kënaq aktiviteti si këngëtare. T’i rrisësh emrin vetes dhe Shqipërisë është një mision që e vlerësoj shumë. Është një pasion që më mbush dhe më kompleton.

Ka qenë një moment që muzika popullore shqiptare ka patur një tranzicion të vështirë. Çdo njeri nga rruga me ca lekë mund të bëhej këngëtar. Si e keni përjetuar këtë periudhë?

-Mendoj se ka qenë një problem tranzicioni. Dhe muzika si të gjitha fushat e tjera ka patur egzagjerimet e veta. Koha do i evitojë të gjitha devijimet nga muzika e vërtetë dhe krundet do ndahen nga mielli i mirë.

Nga ARLINDA CANAJ Suplementi i G.Panorama Unë Gruaja

Random Posts

filed under: Vipat Shqiptare

Leave a reply