Vajzat e presidentit. I pëlqen Nadës dhe Etidës t’u thërrasin kështu. E madhja, Nada, është më e lirshme, ndërsa e vogla, petroninsja, është më e turpshme. Të dyja vajzat i ngjajnë Bamirit. Kanë marrë prej tij pothuajse gjithçka, edhe nga sytë, por ajo që bie më shumë në sy është shtati: vajzat janë të gjata sikurse i ati.

normal_nadaetidatopi.jpg


“U kam thënë vajzave, - tregon Bamiri duke i parë me shumë dashuri.- Nuk dua që të ndryshojë asgjë në jetën e tyre”. Të njëjtën gjë pohon edhe Teuta. “Më vjen keq që gocat të ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Ato kanë shoqërinë e tyre”.Vetë vajzat janë fjalëpaka. Ua nxijnë pak jetën prindërve se nuk hanë, por duket se ky fakt shkakton vetëm buzëqeshje tek ato, ndërsa tek prindërit merak.
Nada është 23 vjeç dhe vazhdon fakultetin juridik te Luarasi. “Eshtë shkollë serioze. Edhe leksionet i kemi me mungesa” thotë Nada. Ndërhyn Teuta, e cila plotëson se në shkollë lajmërojnë edhe prindërit nëse vajza mungon gjatë orëve të leksioneve dhe seminareve. Sigurisht, kjo për 23 vjeçarjen është pak “burgosje” brenda mureve të shkollës, por pasditeve, Nada nuk e ka aspak problem që të dalë me shoqërinë e vet. Te blloku del? “Po po, edhe aty. Por edhe tek blloku dal në lokale të veçanta dhe jo tek të gjitha” tregon Nada.Sa për Etidën, vajza Maturante tek Petro Nini është e shkëlqyer në mësime. Me të gjitha 10-ta. Do të mërzitej shumë, sipas Bamirit, nëse do të merrte ndonjë 9-të. “Ndonjëherë i themi që të dalin nga dhoma ku lexojnë se më duket se vetëm këtë gjë bëjnë” shton i ati.Po a do të shkojë Etida jashtë për studime? Bamiri mendon se vajzat do të zgjedhin vetë rrugën e tyre, por thotë se në universitetet shqiptare janë shumë mirë. “Le ta mbarojnë këtu, dhe pastaj nëse duan të bëjnë master le të vazhdojnë jashtë”. Kjo në fakt tani vlen vetëm për Etidën, e cila do të drejtohet shumë shpejt, drejt ekonomikut.
Emocion apo ankth?
Të jenë vajzat e presidentit, tani po i përjetojnë të dyja gjendjet. Nada thotë se ditën që Bamiri bëri betimin si president i Republikës, ato dolën me shoqet e tyre për t’i qerasur. “Ishte në fakt pak e çuditshme,- tregon Nada. – Njerëzit na shihnin me shumë kuriozitet”. Por tani, ai ankthi i fillimit ka kaluar paksa dhe ato janë kthyer në jetën e përditshme. Etidës në fakt, siç e tregon edhe vetë, do t’i mungojë i ati kur e çonte në shkollë me makinë. “Babi e ka bërë shumë shpesh që më çonte në shkollë. Dhe rrugën nga Sami Frashëri tek Petro Nini e bënte shumë shpejt”, thotë Etida duke qeshur që rihapi bisedën tek pasioni i të atit për makinat. Megjithatë, tani një makinë e Gardës i shoqëron vajzat për ku duan të shkojnë. Problemi më i madh i tyre është kur duhet t’i presin jashtë dhe kjo, jo si më parë, është paksa jashtë modës. Megjithatë, asgjë tjetër nuk e kanë ndryshuar në sjelljen e tyre. Ndonjëherë shoqet i marrin edhe në shtëpi dhe aty mund të kalojnë disa orë edhe pa u shqetësuar nga vështrimet ngacmuese të njerëzve.

G.Shqiptare