26 Feb
Pas përfundimit të spektaklit, flasin fituesja Kejsi Tola dhe dy Dorinat.
Kejsi Tola: “Qava kur përqafova Garucin”, Dorina Garuci: “Vendi i dytë?! Mirë dhe jo mirë”, Dorina Xërxa: “Jam më tepër rok, se pop”

Për Dorina Xërxën, “Ethet” kanë qenë vërtet një eksperiencë e bukur, gati si një lloj pikniku eksplorues në zona të panjohura dhe çlodhës njëkohësisht. Temperamenti i saj tërësisht sportiv nuk e lejon t‘i vendosë vetes barra të rënda psikologjike apo ankthe mbi fatin e saj. I mjafton një siguri mbi veten; një bindje se di të bëjë diçka dhe madje shumë mirë. Mbrëmë ajo ishte e eliminuara e fazës së parë të finales, pasi u kishte “mbijetuar” disa nominimeve, por që gjithmonë ia kishte dalë të mos ishte ajo që duhej të largohej. Mbrëmë nuk ndodhi kështu, por asgjë nuk ka ndryshuar në temperamentin e saj prej “macke të lezetshme”. Ja si shprehet për veten vajza nga Gjakova, e cila ndjek studimet e mesme për matematikë dhe informatikë?
Si është lidhja juaj me këngën?
Që e vogël më ka shoqëruar një prirje për të kënduar, por në skenë nuk isha ngjitur ndonjëherë, pasi aktiviteti im si këngëtare është zhvilluar deri më sot nëpër lokale, ku interpretoj live.
Si ishte vendimi për t‘u përfshirë në “Ethe”?
Unë i kisha parë edicionet e tjera të “Etheve” dhe më kishin hyrë në zemër. Ndaj sapo pashë reklamën në “Top Channel” për organizimin e tyre, vendosa menjëherë: do të shkoj të konkurroj.
Konkurruat me idenë për të qenë thjesht pjesëmarrëse, apo për të qenë fituese?
U futa me idenë që mund të fitoj. Dhe kjo ka të bëjë me temperamentin tim, formimin tim psikologjik. Jam person me shumë bindje dhe besim në vetvete.
Por ama duhet ta kishit llogaritur dhe humbjen?
Shiko, të treja ne ishim konkurrente të forta. Sa për veten, do të thosha që unë kam qenë më tepër për rrok e jo për pop, ndërkohë që kërkohej më tepër kjo e fundit.
Keni ndonjë trishtim?
Jo, unë kam qenë shumë e gëzuar edhe pasi dola nga gara. Madje nuk kam pasur as emocione. Unë në përgjithësi i kam përjetuar qetë “Ethet”, që në fillim e deri në fund.
Kush kanë qenë fansat tuaj mbrëmë?
Jo vetëm mbrëmë, ato që gjithnjë më kanë përkrahur e kanë bërë tifo për mua, janë të gjithë studentët nga Gjakova, të shkolluar në Tiranë. Ndërsa nga familjarët, mbrëmë në sallë ishte gjyshja ime dhe vajza e dajës.
Si i konsideroni “Ethet” tani që ato përfunduan?
Mbeten eksperienca më e madhe, shkolla më e madhe. Morëm shumë dije mbi muzikën, artin e interpretimit, por fituam dhe famë. Kjo do të thotë që “Ethet” na hapën dyert e karrierës…
Dorina Garuci: “Vendi i dytë?! Mirë dhe jo mirë”
Te Dorina Garuci, shkodrania elegante, për të cilën pati duartrokitje të tipit aristokratik pas çdo interpretimi, has vajzën e qetë, në dukje pa vrunduj moshe, racionale në përgjigje, aspak e përhumbur, tejet e mprehtë, e kujdesshme për hapin dhe fjalën që hedh, komunikon edhe me vështrimin, deri diku dhe tiparet e saj, shprehi e një personaliteti që tejkalon moshën e saj prej një 15-vjeçareje. Është e vështirë ta rrokësh me të parën nëse është apo jo e dëshpëruar për mosmarrjen e çmimit të parë. Dhe për të gjithë ata që tek “Ethet” nuk kanë parë thjesht aspektin artistik e argëtues, por dhe konstruktin psikologjik të çdo konkurrenti, është tërësisht e përligjur ndonjë dozë dëshpërimi te Garuci. Por çfarë na thotë vetë 15-vjeçarja shkodrane që studion në liceun “Preng Jakova” për violinë
Dorina, si ka qenë lidhja juaj me këngën?
Janë vitet e kopshtit fillesat e talentit tim. Në moshë minore fëmijët janë të pritur të këndojnë, kërcejnë e vizatojnë. Unë shkëlqeja te kënga, aq sa skenën, magjinë e saj, nervin e konkurrimit e shijova që e vogël.
Sa e vogël?
Që 5 vjeç e gjysmë, kur mora pjesë në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve me një këngë ku imitoja kafshët. Më pas, daljet në skenë kanë qenë të rregullta.
Si mbërritët tek “Ethet”?
I kam ndjekur me ëndje të gjitha edicionet e “Etheve” dhe që në fillim kisha shumë dëshirë që të isha pjesëmarrëse në këtë show të madh kënge.
Por unë në fillim i fitova një palë “Ethe”, siç ishte edicioni i parë i “Gjeniu i vogël”. Dhe kështu, duke pasur këtë eksperiencë si pjesëmarrëse dhe si fituese, doja të provoja dhe “Ethet” e mëdha.
Dhe u futët me mentalitetin e fitueses?
Po, pasi duke qenë se kisha fituar një spektakël, mund ta fitoja dhe këtë.
Ju Dorina nuk e provuat kurrë shijen e hidhur të nominimit për të qenë një prej dy të eliminuarave gjatë fazës finale, apo jo?
Jo kurrë. Atë e provova për herë të parë vetëm në finalen e finaleve.
Si u ndjetë në çastin kur u tha se ishte Kejsi fituese?
Mirë, por dhe jo mirë.
Pse?
Nuk ka ndonjë mister në këtë pikë. Është normale dhe e natyrshme për çdo kënd që në ato momente të ndihet edhe mirë, por dhe jo mirë.
Kur llogarisnit çastin e verdiktit final, nga anonit: nga fitorja apo humbja?
Sinqerisht e kisha llogaritur që dhe nuk mund të fitoja, por më shumë se do fitoja. Kjo ngaqë shumë njerëz me kishin komplimentuar e ma kishin shtuar besimin. Nga ana tjetër ishin dhe duartrokitjet e nxehta të spektatorit në sallë. Pra, gjithçka shkonte në favor të fitores, por..
Kush ishin më të afërtit tuaj gjatë “Etheve”?
Prindërit e mi të mrekullueshëm. Ata që me sakrificën, përkushtimin e mbështetjen më bëjnë të ndihem mirë dhe të jem e suksesshme. Pa ndihmën e tyre nuk do isha këtu sot.
Çfarë përfaqësojnë tashmë “Ethet” për ju?
Një eksperiencë të paharrueshme
Kejsi Tola: “Qava kur përqafova Garucin”

Tola Kejsi, me balluke. Kështu e portretizoi prezantuesi Adi Krasta, atë që pas dy orësh do ishte fituesja e edicionit të katërt të “Etheve”, teksa do dilte në skenë për të nisur konkurrimin në natën finale. Për të gjithë ata që duan të dinë më tepër për identitetin saj zonal, Kejsi Tola është me origjinë nga Gjirokastra që ka jetuar në Vlorë. 15 vjeçe ajo studion për kanto në liceun artistik “Jordan Misja”. Kur flet, i dallohet lehtë aksenti i Vlorës. Me tisin e një të pafajshmeje të lindur (edhe ndaj të qenit fituese e “Etheve”), mishërim i brishtësisë, ajo nuk jep fare për të kuptuar se 24 orë më parë, aty afër mesnatës, ishte njeriu “numër një” në gjithë hapësirat shqiptare, duke qenë fituese e spektaklit të madh të “Etheve”. E veshur thjesht dhe shumë sportive, një ditë më pas ajo është nxënësja e “Jordan Misjes”, ku i duhet që në shkollë të jetë që në orën 07:30 për të vijuar studimet në lëndën e përpunimit mjeshtëror të kordave zanore. Dhe kështu ka ndodhur, siç e shpreh dhe vetë
Si nisi dita sot?
Si zakonisht, veç faktit se kam fjetur shumë pak. Rashë aty nga ora 05:00 e mëngjesit dhe u ngrita në 07:00, për të shkuar në shkollë.
Cilët ishin ata që bënin aq tifo për ju në sallë?
Shoqëria ime dhe familja. Sigurisht, më shumë shoqëria.
Edhe ju, ashtu si dhe Garuci, asnjëherë nuk keni qenë e nominuar në dyshen e fundit gjatë fazës së “Etheve”, në mos gaboj?
Jo. Vetëm njëherë, mbrëmë, por që nuk e provova atë shijen e hidhur kur të thonë “nuk kalon!”
Por, me sa kam informacion, ju keni qenë dhe pjesëmarrëse në edicionin e parë të “Gjeniut”, ku Garuci është shpallur fituese?
Po. Unë kam qenë pjesëmarrëse dhe arrita deri në dhjetëshen finaliste.
Interesante kjo koincidencë. Edhe ju që e vogël keni kënduar?
Kam kënduar që e vogël, duke marrë pjesë në shumë festivale fëmijësh në Tiranë e Shkodër. Por fillimisht kam marrë pjesë në Festivalin e Zërave të Rinj, ku mora dhe çmimin e parë. Por, përgjithësisht, në të gjitha aktivitetet kam marrë çmime.
Si ishte vendimi për të marrë pjesë në “Ethe”?
Çdo herë që i kam ndjekur, më kanë pëlqyer. Gara, emocionet, madhështia si spektakël dhe gjithnjë i thosha vetes: duhet të shkosh. Pastaj ka qenë dhe shtytja e përkrahja e prindërve, që më bëri të përfshihesha në “Ethe”.
E kishit menduar që do fitonit në fillimet e konkurrimit?
Po them se çdo kush ëndërron, ndërton diçka të bukur në mendje. Kështu dhe unë e shihja veten dhe si fituese, sepse dhe u futa me idenë për të qenë fituese.
Po gjatë natës finale çfarë ju vërtitej në kokë më tepër: fitorja apo humbja? Ose si të thuash: vendi i parë, apo vendi i dytë?
Në të vërtetë, gjithmonë kam qenë në ankth e dilemë për rezultatin, sepse përballë kisha një konkurrente shumë të fortë si Dorina Garuci.
Ndaj ndodhi që kur u dha verdikti për ju si fituese nuk patët atë reagimin e zakontë të të tilla momenteve: me pak mbulim të fytyrës apo shkrehje në lot?
Po sikur nuk po e besoja, apo nuk e prisja, nuk di ç‘të them. Ndërsa lotët më kanë rrjedhur në momentet që po përqafoja Dorinën.
Ç`tip jeni? Mund ta thoni me fjalët tuaja?
Jam në përgjithësi tip i qetë, por jo se i kaloj gjërat pa emocione. Madje kam shumë emocione, sidomos kur jam në skenë.
Si i konsideroni tashmë “Ethet”?
Një eksperiencë e shkëlqyer dhe një ndihmë për të ecur përpara.
Gazeta Shqip
7 Komente per "Ne, vajzat e finales së madhe të “Etheve”"
kejsi e ki meritu ma e mira je kon e ktynve dyjave mos t ju vjen inati
kejsi ishe me te vertete shume mire suksese
pse gjithmon kosovaret vijn pas vendit te pare hmmmmmmmmmm
aiii kejsi valla se ka meritu valla dorina xerxa hallall a fort em ka pelqy a nuk po foli ma teper
ej une po votoj per dorona xerxa
Kejsi e meritonte fitoren. Kur degjoje Garucin, ia pelqeje zerin, por kur degjoje Kejsin, e harroje Garucin dhe te pelqente Kejsi me shume. ishte pak e cuditshme, por ne fund, ishte e dukshme qe Kejsi do fitonte. Persa i perket Xerxes vetem naten finale ka kenduar mire. Ishte e prirur per tjeter rryme muzikore, nderkohe qe ethet kerkojne te pershtatesh me te gjitha rrymat.
Ska dut mer me fitu kjo, ma mir me pas fitu Gjakovarje.. ehehe =D
Tung pershendes krejt Gjakovart ku do qe ndodhen .. MPUQ !
Pergjigju ose ler nje koment