Për Aldon Lipen mjafton pasioni dhe pak rëndësi ka nëse emisionin e tij e transmeton në “TV Klan”, “Top Channel” apo “BBF”.

Edhe pse e ka shtrirë pothuajse në të gjithë Shqipërinë me lidhje të drejtpërdrejta, e di që dëgjuesit nuk janë vetëm kaq. E ka pagëzuar “Aldo Morning Show”, “se do të zgjasë edhe për 105 vjet të tjera”, thotë ai.Për revistën ONE ai zbulon ambiciet që ka për një shtrirje më të madhe të një komunikimi krejt tjetër me publikun, ndërsa bashkëpunimi i parë me Ardit Gjebrean në “Kënga magjike” sapo i ka hapur rrugën projekteve edhe më të mëdha. Ikjen nga “Top Channel” e komenton me arsyet më të forta që e shtynë për një vendim të tillë, kurse fytyrën, mos prisni ta shfaqë asnjëherë në mëngjeset e emisionit të tij.
Suadela Balliu
Mëngjesi i tij fillon plot dy orë më parë se të dëgjohet përshëndetja që hap emisionin “Aldo Morning Show”. Mes ëndrrës së fundit që po i venitet – edhe pse ende nuk ka dalë dielli për t’ia grisur perden e gjumit – dhe cingërimës së telefonit celular – lënë gjithnjë në po të njëjtën qoshe, që çdo ditë “zgjohet” në të njëjtën kohë – i duhet të jetë më këmbë në orën pesë. Nuk e ka aspak problem të ngrihet menjëherë nga shtrati e t’ia nisë nga rituali i përditshëm. “Pak bukë, kafeja dhe cigarja e parë. Ardhja e makinës në orën 6:00 dhe në zyrë fiks në 6:07 minuta”, atëherë kur rrugët janë fare të zbrazura dhe hënës i duken ende gjurmët e zbehta në qiellin gri. Më pas, Aldon e pret interneti dhe gazetat, derisa ora të ketë shkuar shtatë e t’ia ketë nisur emisionit drejtpërsëdrejti. As një sekondë me vonesë, ndërsa mungesa e parë në emision ende nuk i është shënuar në regjistrin e profesionit. Prej muajsh ka ndërruar logon e kanalit, ka ndërruar edhe emrin e emisionit të përmëngjesshëm, por, bashkë me fytyrën që vazhdon ta fshehë, nuk ka ndërruar mënyrën e komunikimit e as atë të profesionalizmit. E di që një logo televizioni prestigjioz të përfaqëson denjësisht në publik, por mbi gjithçka për të mbetet puna dhe pasioni. E, po t’i kesh të dyja idetë, dhe gjetjet vijnë vetë. “Sekreti është ta duash atë që bën”, përgjigjet Aldo e këtë e ka treguar më së miri në tetë vite emisione mëngjesi. Formatin e ri e kishte menduar prej kohësh, ndërsa për largimin nga “Top Channel”, arsyet e forta ka vendosur t’i mbajë për vete. “Aldo Morning Show” ka shumë plane, ashtu siç ka edhe Aldo regjisor e skenarist. Pas shumë emisionesh dhe spektaklesh të suksesshme që krijoi për televizionin ku gjendej disa muaj më parë, të tjera projekte dhe surpriza premton të sjellë në “TV Klan”. Dhe, pasi ka mbaruar 120 minuta transmetim drejtpërsëdrejti, duke kapërcyer virtualisht sa nga Vlora në Devoll, në Shkodër e Durrës, për t’u rikthyer përsëri në Tiranë, i duhen edhe 30 minuta heshtje për të marrë veten plotësisht. Ndërsa ditët e lodhshme mjaftojnë Keti dhe Martini për t’ia kompensuar dhe shndërruar në kënaqësi.
- “Aldo Morning Show” tani ka disa muaj që ka nisur. Mendoni që çdo gjë ka rënë në brazdën e vet; është gjithçka ashtu si e kishit menduar në fillim?
- Faktikisht po përpiqemi, bashkë me stafin, që të arrijmë në pikën siç e kishim menduar që në fillim. Programi, të paktën teknikisht, është shumë më i ngarkuar se më parë; unë vetë po ashtu, ndaj edhe herë-herë më duket sikur do edhe pak kohë që të shtrohet. Tek e fundit, asgjë nuk është e thjeshtë, po të kihet parasysh edhe orari i mëngjesit, i cili ka sikletet dhe vështirësitë e veta.
- Si ndiheni me faktin që emisioni tashmë transmetohet në një tjetër kanal; e patët të vështirë të ambientoheshit me grupin e punës?
- Si në shtëpinë time, pa asnjë lloj problemi. Gjithnjë për mua ka qenë e rëndësishme ta bësh me qejf e pasion, qoftë në TVSH, në Klan, në “Top Channel” apo edhe në BBF. Jam rritur me punën dhe pasionin për të, jo me logon. Sigurisht edhe logoja të përfaqëson denjësisht në publik, por mbi gjithçka mbetet puna dhe pasioni për ta bërë atë. Po t’i kesh këto të dyja, edhe idetë dhe gjetjet të vijnë vetë. Sekreti është ta duash atë që bën.
- Po për formatin e ri të emisionit përse vendosët ta bëni pothuajse mbarëkombëtar me lidhje të drejtpërdrejta audio-vizive; çfarë donit të arrinit me këtë?
- Nuk është ide e tanishme, sepse që prej shumë vitesh kam dashur ta bëj këtë. Në Klan programi është marrë seriozisht, duke e kuptuar që në fillim rëndësinë dhe peshën e tij. Nuk mund të thuash që është një format 100% i ri, por… le ta themi që është një lloj evoluimi. Jashtë modestisë, jam i ndërgjegjshëm që programi nuk është se ndiqet vetëm në Shqipëri. Pikërisht për këtë jam duke punuar, bashkë me bashkëpunëtorët shumë fort, që në sezonin e ardhshëm të kemi një shtrirje edhe më të madhe dhe një komunikim krejt tjetër me publikun.
- E dimë që ka kaluar shumë kohë, por besoj se lexuesit do të donin të dinin: përse u largua Aldo nga “Top Channel”? E patët të vështirë të linit një televizion dhe një emision për të cilin kishit punuar që në fillimet e tij?
Arsyet për të cilat jam larguar nga “Top Channel” nuk i kam thënë dhe nuk kam ndërmend t’i them ndonjëherë në publik. Tek profesionistët dhe njerëzit e mençur ekzistojnë të ashtuquajturit “burrëri dhe dinjitet” dhe këtë kam ndërmend të bëj edhe unë. Kam pasur arsye shumë të forta, por nuk kam ndërmend t’i them. Vendimi për të ikur, nuk ka qenë i lehtë dhe ka qenë shumë i matur dhe i peshuar. Ka qenë një vendim i marrë dhe i menduar në 3 vitet e fundit. Kur kam ikur nga “Top Channel”, realisht nuk kam pasur as edhe një ofertë pune. Mendova të pushoj ca kohë dhe thellë-thellë me vete kisha vendosur të mos bëja më emision mëngjesi, pasi është shumë i lodhshëm. Megjithatë, ishte super-oferta dhe një tjetër lloj trajtimi e komunikimi për profesionin në “Klan” ajo që më bëri të pranoja. E rëndësishme për mua është të realizoj ëndrrat e mia dhe të jetoj normalisht me familjen time prej tyre. Për sa i përket vështirësive nën një logo të re, kam dëshirë të theksoj se te “Klan”-i komunikimi mes kolegëve është shumë i mirë. Ndaj, për këtë arsye, nuk mund të them që pata vështirësi. Për më tepër që me kolegët e Klan-it dhe sigurisht të shumë televizioneve e radiove të tjera ne kemi komunikuar prej shumë kohësh, duke shkëmbyer eksperienca apo edhe kafe me njëri-tjetrin.
- Gjatë kohës që po bënit përgatitjet për emisionin tuaj në TV Klan, ishit i sigurt që do të kishit sërish të njëjtën audiencë si më parë, që do të arrinit të kishit besnikërinë e tyre pavarësisht televizionit ku shfaqeshit?
Sinqerisht nuk e mendoja këtë dhe kam qenë realisht shumë i frikësuar, çka më bëri që të shtrohesha në punë shumë fort. Për më tepër, kur mësova që konkurrenti im do të ish Krasta, një peshë aspak e vogël në media. Ndonëse vazhdojmë të mbetemi miq që prej shumë vitesh, Adi është një emër me të cilin më parë kurrsesi s’do të dëshiroja të përballesha. Megjithatë… s’di ç’të them. Jam i kënaqur që audienca nuk më ka rënë aspak, përkundrazi. Nuk e di…!
Si ndiheni çdo mëngjes kur ju duhet të dëgjoni njerëz nga më të ndryshmit, me probleme nga më të çuditshmet, por edhe me halle nga më të përditshmet? Si e ruani ekuilibrin emocional nga një telefonatë në tjetrën, kur pas një telefonate gazmore ju vjen një telefonatë e trishtueshme? Cila ka qenë telefonata më e çuditshme që keni marrë dhe ajo më e dhimbshmja?
Shumë e vështirë për t’i shpjeguar të gjitha këto pyetje në një intervistë. Ka të bëjë me atë që ndoshta quhet “pjekje” profesionale ose ndoshta me vitet e eksperiencës… ku e di unë… ndoshta janë gjëra që shpjegohen pasi je plakur ca. Kam hyrë prej shumë muajsh në vitin e tetë të programit të mëngjesit dhe më është bërë shumë e natyrshme të kem vëmendjen e duhur ndaj çdo teme, sigurisht, pa humbur ritmin. Më është bërë natyrë reagimi dhe përshtatja e vetes sime me çdo lloj telefonuesi. Mbase e kam natyrë… tek e fundit, shenja e ujorit jam (qesh).
- Audienca juaj është më shumë ajo femërore. Nuk ju duket ndonjëherë vetja si Aldo mes “shtëpiakeve të dëshpëruara”?
Kam mendimin që ai është “truri” i një shoqërie. Sa më i vyshkur të jetë truri, as më e kalbur do të jetë shoqëria, sa më i mbyllur të jetë truri, aq më e trishtuar do të jetë shoqëria, sa më injorant të jetë truri, aq më shumë shoqëria do jetë handikap. Ky është publiku të cilin unë kam preferuar të kem nëpër telefonata. Për sa i përket audiencës, ajo i përfshin edhe meshkujt, pa asnjë dyshim.
- Për sa i përket imazhit tuaj misterioz, fshehjes së fytyrës, pse kjo dëshirë për të mbetur vetëm një zë i famshëm dhe jo fytyrë e njohur? Mendoni se vlen akoma citimi juaj: “Sa më pak të shfaqem në revista apo gazeta aq më jetëgjatë do të jetë emisioni”, edhe pasi jeni shfaqur disa herë në revista apo emisione televizive? A ju ka ndodhur ndonjëherë t’ju njohin në rrugë apo në ndonjë ambient vetëm nga zëri?
E nis nga fundi. Jetojmë në një vend të vogël, në të cilin bie o krushqi, o kushëri me këdo. Që në momentin e parë, jo vetëm që të njohin, por edhe dinë se nipi i kujt je dhe ç’prapësi ke bërë në lagje kur ke qenë i vogël. Të fshehurit e fytyrës ka të bëjë më tepër me këmbënguljen time që njerëzit të dëgjojnë atë që thuhet në emision dhe jo atë që shihet. Tek e fundit, “Aldo Morning Show” vazhdon të mbetet emision kryesisht radiofonik.
- Si arrini ta menaxhoni kohën prej dy orësh, duke e alternuar me telefonata në studio, këngë dhe lidhje të drejtpërdrejta me gazetarët në qytetet e ndryshme të Shqipërisë? U jepni të gjithëve dozën e duhur të hapësirës?
Përpiqem që po. Hapësira menaxhohet në varësi të temës si edhe të të kuptuarit dhe të përjetuarit të këtij programi si një emision 99% radiofonik. Kam këmbëngulur dhe shpresoj ta mbaj deri në fund që emisionit t’i jap frymën e radios, e cila është një shkollë shumë e madhe për këdo që merret me median. Pikërisht edhe menaxhimi i kohës me telefonata, me këngë, me lidhje direkte e me reklama i dedikohet eksperiencës në radio. Njerëzit në mëngjes nuk mund të vendosen 120 minuta pa lëvizur para ekranit. Përkundrazi, për të bërë detyrat e mëngjesit, njerëzit lëvizin nëpër shtëpi apo shkojnë me makina diku, kështu që dashur pa dashur ata, më shumë sesa shohin TV, dëgjojnë audion. Detyrimisht kjo përkthehet në radio, apo jo?!
- Po për emrin e emisionit, përse vendosët që kësaj here të identifikoheshit me emrin tuaj?
Sepse këtë program kam ndërmend ta vazhdoj edhe 105 vjet të tjera.
- Për t’ju larguar pak emision të mëngjesit, sa i përket karrierës suaj si regjisor, skenarist. Ju bashkëpunuat me Ardit Gjebrean në “Kënga magjike”; ndonjë projekt tjetër të afërt ku do ta shohim Aldon si regjisor? Në Top Channel ju kemi parë si regjisor i “Fiks Fare” në fillimet e tij dhe si regjisor i “Top Fest”, “Kjo ishte loja”, “Shqip” “Top Story” etj. Po në TV Klan keni ndër mend të sillni emisione e spektakle të ngjashme apo dëshironi të eksperimentoni në lloje krejtësisht të tjera?
Nuk e di nëse mund të quhet karrierë hobi dhe dashuria që unë kam për regjinë e produksionin televiziv. Në programet që ju përmendët më lart, unë nuk është se kam qenë thjesht regjisor. Në “Fiks Fare” kam qenë drejtori ku, bashkë me skuadrën që ndërtova, kam drejtuar 202 emisionet e para me një audiencë të paimagjinueshme për ato vite. Ishte një eksperiencë e paçmuar për mua. Më pas ndërtova dhe themelova festivalin e përvitshëm “Top Fest”, të cilin tani po e vazhdon Bojkeni. Edhe ajo ishte një tjetër eksperiencë e vyer në llojin e vet. Ndihem krenar për këto arritje, sepse edhe me largimin tim, struktura e tyre po vazhdon të funksionojë mirë. Ndërsa me Gjebrean, “Kënga Magjike 2007” ishte bashkëpunimi i parë në të cilin mësuam që kishim shumë ide të përbashkëta. Ndihem mirë në punë me Arditin, për më tepër që unë e theksoj më shumë forcë që Gjebrea është një super-shkollë produksioni artistik, e vetmja në llojin e vet. Ndihem me shumë fat që punoj me të dhe stafin e tij. Po bëhemi gati avash-avash për spektaklin e madh të së dielës.
- Ç’ është për ju një ditë e lodhshme? Çfarë e kompenson atë?
Një ditë e lodhshme është si për të gjithë thjesht e lodhshme. Merita e kompensimit sigurisht që i përket familjes dhe kënaqësisë që të dhuron ajo. Ndonëse punoj më shumë këto kohë, prapëseprapë gjej kohë të rri edhe më shumë me Ketin dhe Martinin.
- Si arrini të jeni gjithnjë spontan, energjik, në humor, pavarësisht se e përditshmja mund të mos jetë përherë e njëjta?
Është profesioni që kam zgjedhur, i cili më detyron të mbaj një regjim të hekurt, larg abuzimeve apo spontaniteteve të paplanifikuara. Vetëm regjimi të bën që për 8 vjet me radhë jo vetëm të mos mungosh kurrë në emision, por edhe të mos ndodhë kurrë që emisioni të fillojë 1 sekondë me vonesë.
- Shpesh epilogu i emisionit tuaj është: “Shëndeti mbi të gjitha”, po kur Aldon e zë gripi?
Me grip, pa grip, me lodhje, pa lodhje, emisioni duhet bërë. Dikur, e madhja Vera Zheji më ka thënë: “Në radio e televizion nuk lejohet as të vdesësh. Po ndodhi diçka e tillë, duhet të lajmërosh më parë”.
Si janë mëngjeset e Aldos? Ato që teleshikuesit nuk i shohin, që nisin shumë herët për ju, sepse kam lexuar në një intervistë kur thoshit se dita për ju nis shumë më herët se ora shtatë, kur nis transmetimi i drejtpërdrejtë i emisionit tuaj. A mund të na përshkruani një të tillë?
Natyrisht që mëngjesi fillon në orën 5:00. Ai ndërthuret mes fundit të ëndrrës që je duke parë dhe ziles së celularit. Ngritja nga shtrati nuk është problem. Më pas rituali, si i të gjithëve: pak bukë, kafeja dhe cigarja e parë, ardhja e makinës në 6:00 dhe në zyrë në 6:07 minuta. Hapja e internetit dhe parja e gazetave… e kështu me radhë.
- Po ditët e Aldos pasi ka kaluar ora nëntë e mëngjesit dhe u ka thënë mirupafshim dëgjuesve të tij? Po në fundjava, mëngjesi i Aldos mbetet sërish ai më i hershmi apo ia lejoni vetes pak orë më shumë në shtrat?
Realisht që pas emisionit, për nja 30 minuta nuk dëgjoj askënd dhe nuk flas pothuajse fare. Programi më lodh jashtë mase dhe e kam shumë të nevojshme nja gjysmë ore rikuperim të vetes. Problemin e kam në fundjavë, ku, për hir të ritmit të përditshëm, më del gjumi shumë herët. Që pas daljes sime me aktivitet privat, kam filluar të shijoj goxha mirë fundjavat. Me Ketin dhe djalin, herë-herë edhe me miq të tjerë, bredhim qyteteve, kryesisht në bregdet.
Revista One
aldo je shume kot
mirmengjesi sa per emisionin aldo morning show esht shum emisioni mir ju pergezoj per ket emision vazhdoni kshtu si keni vazhdu .