Olta Boka thyen “tabunë”. Pas tri vitesh, që Shqipëria qëndron larg natës finale në “Eurosong”, 16-vjeçarja, realizon ëndrrën.

Kënga shqiptare “Zemrën lamë peng” e kompozuar nga Adrian Hila me tekst të Pandi Laços, do të konkurrojë mes finalistëve mbrëmjen e nesërme, në skenën e madhe të Beogradit. “Jam shumë e lumtur që ia arrita qëllimit, që arrita të kualifikohem në natën finale pas shumë vitesh që Shqipëria nuk bëhej pjesë e saj dhe kjo më bën të mbledh forcat tashmë e të mendoj për mbrëmjen e së shtunës, për të arritur një tjetër qëllim, kualifikimin ndër më të mirët”, thotë e emocionuar shqiptarja për gazetën “Panorama”, pesë minuta pas shpalljes si fituese për në natën finale. Ndërkohë, teksa bëhej gati bashkë me grupin shoqërues, ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Spiro Koçi, Këshillin drejtues të RTSH, autorët e këngës dhe familjarët, Boka shton: Ia kemi arritur qëllimit si komb, si Shqipëri dhe këto ditë janë të mrekullueshme për ne.
Ndërkohë, një ditë para garës së djeshme në një intervistë po për gazetën këngëtarja, më e vogla e “Eurosong 2008″, është shprehur se ndihej plot emocione. “Sepse kam dëshira të mëdha për të kaluar në gjysmëfinale, pse jo edhe natën finale, saqë askush s’mund ta imagjinojë. Veç shpresoj t’ia arrij qëllimit, pasi Shqipëria ka vite që nuk është nonimuar në natën finale dhe kjo më bën të kem akoma më shumë emocione. Të gjithë dëshirojmë të japim më të mirën në skenë” ka thënë ajo. Ndërkohë, dje ajo dha më të mirën. Një zemër të madhe ngjyrë çiklami në skenë, në stadiumin “Beogradcka Arena”, ka shoqëruar gjatë gjithë kohës në sfond interpretimin e këngës shqiptare të kënduar nga Boka. E gjashta në radhë, me këngën “Zemrën e lamë peng” të shkruar nga Pandi Laço dhe kompozuar nga Adrian Hila, më e vogla e kësaj gare të madhe, 16 vjeçarja shqiptare, ka bërë që ta duartrokasin gjatë, të gjitha shtetet pjesëmarrëse. E veshur bardh e zi, veshje të mbështetura mbi motive popullore, që ngjason me një xhubletë, me flokët e kapur sipër, e lyer thjeshtë, Boka është shoqëruar në skenë nga tre instrumentistët, dy kitarist dhe një baterist të veshur gjithashtu bardh e zi. Shqipëria është ngjitur në skenë direkt në natën e dytë gjysmëfinaliste pas Irlandës, Suedisë, Turqisë, Norvegjisë dhe Lituanisë. Performanca e saj është komentuar gjatë edhe në faqen zyrtare të “Eurosong”, edhe në media të tjera. Ndërkohë kënga edhe kësaj here, ka qenë në shqip në skenën e “Eurosong”, ashtu sikurse ndodhi në skenën greke dy vjet më parë ku Shqipëria përfaqësohej nga Luiz Ejlli. Dje kanë marrë pjesë në garë 19 gjysmëfinalistët e dytë nga të cilët vetëm 10 janë përzgjedhur për në natën finale, ku do të konkurrojnë gjithsej 25. Po dje, janë ngjitur në skenë edhe vende të tjera si Hungaria, Letonia, Zvicra, Republika Çeke, Bjellorusia, Kroacia, Gjeorgjia, Danimarka, Malta, Qiproja, Maqedonia dhe Portugalia. Edhe vetë menaxherja e përgjithshme e “Eurosong”, Dushka Vuçiniç Lutiç, është shprehur optimiste për përfaqësuesen e Shqipërisë, Olta Boka pak minuta para nisjes së natës së dytë gjysmëfinale. Për të, këngëtarja shqiptare, ndonëse është konkurrentja me moshën më të vogël, është një këngëtare që premton shumë. “Unë e pëlqej këngën shqiptare dhe mendoj që këngëtarja që përfaqëson një shtet si Shqipëria, këngëtarja Boka është një vajzë shumë e ëmbël, kënga e saj ka një tekst dhe melodi shumë të bukur dhe me një zë tepër karakteristik duke pasur parasysh moshën që ajo ka”, thotë menaxherja. Sipas saj, Shqipëria përfaqësohet me një këngë shumë domethënëse në tekst dhe e kompozuar mjaft bukur. “Unë kam pyetur për kuptimin e asaj kënge dhe mendoj se do të mirëpritet dhe vlerësohet si nga juria, po kështu edhe nga njerëzit, por ajo është shumë e vogël për të qenë një konkurrente e fortë, edhe pse kjo nuk e pengon për të qenë fituese”, shprehet më tej Lutiç. Veç Shqipërisë dje janë shpallur edhe nëntë vende të tjera fituese si Ukraina, Kroacia, Islanda, Gjeorgjia, Danimarka, Suedia, Letonia, Turqia, Portugalia.
ANILA MEMA Gazeta Panorama
dhe edha maksimumin vertet te lumt olta se ishe nje nder me te miret mos te them me e mira. bravo
je ma e mir a mas agneses e qove shqiprin ne finale sukses
bravoooooooo olta
Ke qene e papare TE LUMTE shume suksese jemi me TY…