Është kthyer edhe në Shqipëri tash mënë një traditë të bukur ardhja e festave të fundvitit; Krishtlindjet dhe Viti i Ri, me pushime dhe dhurata. Shumë njerëz në fakt kanë bërë këtë gjë; kanë festuar dhe gëzuar në ambientet familjare apo edhe në restorante e lokale të ndryshme. Ndërkohë që ka pasur nga ata të tjerë, që janë vënë në shërbim të kënaqësisë së shumicës. Këta kanë qenë shumë prej këngëtarëve, që natën e Vitit të Ri e kanë kaluar në punë. Kjo, jo më shumë për kënaqësi të tyre, por të xhepit…

Emra të ndryshëm kanë zgjedhur kështu sheshe, lokale, restorante, qytete dhe kryeqytete të ndryshme, për të uruar përmes këngëve publikun dhe fansat e tyre. Kemi pyetur disa prej tyre, të cilët po i servirim në këtë shkrim post-festime.
Bleona Qerreti - Për këngëtaren Qerreti, festat edhe këtë herë u kombinuan me punën. Ajo ka qenë për festën e Krishtlindjeve në Bruksel, ku ishte e ftuar në një koncert atje. Ndërkohë që i pranishëm aty ka qenë padyshim edhe bashkëshorti i saj Gani e më pas, të dy sërish kanë qenë në natën e Vitit të Ri në Zvicër, ku ajo sërish ka kënduar në një koncert. “Koncertet i lënë vendin njëri-tjetrit dhe gjatë këtyre kohëve nuk kam as mundësi të pushoj. Megjithatë, të kënduarit është ajo që më bën mua të lumtur, kështu që nuk më lodh më kjo gjendje. Isha e pranishme në Bruksel për koncertin e Krishtlindjeve. Në datë 28 e 29 dhjetor isha në Tetovë në Golden Gate. Ndërkohë që në datat 31 Dhjetor dhe 1 janar, isha e ftuar në Genevë në diskon “Ulpiana”. Dhe tani vetëm pushiiiiiime”, – tregon ajo.
Blero – Edhe për këngëtarin kosovar Blero, festat hyjnë në axhendën e tij të koncerteve, e cila siç thotë ai vetë, është mbushur që para dy muajsh. “Unë isha në një koncert në Zvicër për Krishtlindje, në Gjenevë për datën 31 dhe në datën 1 janar në një koncert në Kosovë. Nuk bëhej fjalë për asnjë ditë pushimi dhe nuk munda të qëndroja edhe këtë fundviti me të afërmit e mi, por sërish festat për mua ishin vetëm në punë”. E në fakt ai e kishte planifikuar që në fund të vitit nuk mund të kishte pushime, kështu që për to mendoi më parë duke shkuar në Tailandë, ku qëndroi dy javë rresht para festave, për të qenë sa më në formë në koncertet e njëpasnjëshme ku ai ishte prezent.
Leonora Poloska- E njëjta gjë ndodhi edhe me këngëtaren bukuroshe nga Maqedonia. Ajo iu bashkua edhe këtë Vit të Ri koncerteve festive, duke e shndërruar festën në punë. Ka udhëtuar në disa vende të Evropës, (Zvicër, Genevë) nëpër koncerte me të tjerë kolegë të saj. Ndërkohë që tregon për “Bluetooth”, se “jam shumë e kënaqur me vitin që sapo u mbyll, ka qenë një vit ku kam realizuar mjaft projekte të mia, ndërkohë që po punoj që këtë fillimviti të sjell për fansat e mi, albumin tim të katërt”.
Aurela Gaçe - Ashtu si edhe për këngëtaret e tjera, edhe për këngëtaren e suksesshme, si në Shqipëri edhe në Amerikë, Aurela Gaçe nata e Vitit të Ri ka qenë një natë pune. Ka qenë prezente në një koncert në New York, gjatë ndërrimit të viteve, duke kënduar për gjithë bashkatdhetarët shqiptarë që ndodhen atje. “Koncerti i ndërrimit të viteve ishte parashikuar disa muaj më parë. Dhe ishte kjo arsyeja që unë nuk qëndrova në Shqipëri për të kaluar Vitin e Ri. Ka qenë një mbrëmje e veçantë dhe ndjehem mirë që isha atje, pasi kur publiku kënaqet, kënaqësia ime është e dyfishtë”.
Anjeza Branka e ka pritur mbrëmjen në qytetin e Lushnjës. Mos u lodhni të mendoheni nëse ajo ka ndonjë lidhje farefisnore atje, apo dhe tjetra, se ajo shkoi atje për të kaluar një Vit të Ri ndryshe. Absolutisht jo. Ajo ishte në krye të detyrës me disa nga këngët e saj më të njohura, për të pritur ndërrimin e viteve në koncertin e organizuar në sheshin qendror të qytetit të Lushnjës. Duke lënë mënjanë kështu festën familjare me bashkëshortin dhe fëmijën e saj.
Nga Ilda Lumani Gazeta Shqiptare