Më 31 dhjetor 2007 u bë publik në edicionin e lajmeve të orës 19’30-të në “Top-Channel” rezultati i votimit on-line në faqen e internetit top-channel.tv. Sondazhi “Personazhi i Vitit”, një traditë 3 vjeçare e këtij kanali televiziv, fituesi i të cilit përcaktohet nga votat vullnetare të teleshikuesve që klikojnë këtë faqe, ka nxjerrë fitues për vitin 2007 Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi. Një ekip i departamentit të informacionit të Top Channel ishte në zyrën e Presidentit për t’i dorëzuar Kryetarit të shtetit në një ceremoni të veçantë çmimin e publikut për vitin 2007

Endri Xhafo: Ndodhemi në zyrën e punës së Presidentit të Republikës ku do të zhvillohet një ceremoni e thjeshtë sikurse ju e anonçuat për t’i dhënë Presidentit të Republikës çmimin “Personazhi i Vitit”. Në këtë ceremoni janë të pranishëm në zyrën e Presidentit përveç Presidentit të Republikës edhe Aleksandër Flloko, Sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, Dashamir Xhaxhiu, Drejtor i Kabinetit dhe Mimoza Koçiu, Këshilltare për Median dhe Zëdhënëse e Presidentit. Nga Top-Channel për këtë ceremoni ndodhen Kryeredaktorët Mentor Kikia, Bledar Zaganjori, Arben Vata, Enkelejd Llanaj dhe web-masteri Igli Gjelishti.
Mentor Kikia: I nderuar zoti President, urime!
Presidenti Topi: Faleminderit!
Mentor Kikia: Zoti President, është një çmim dhe një vlerësim, që vjen direkt nga publiku, janë detaje të vlerësimit që është bërë në zyrën e marrjes së votave, janë rreth 5000 persona që janë përfshirë në këtë përzgjedhje, pra që kanë votuar dhe shumica prej tyre kanë dhënë vlerësimin për Juve. Dua t’ju them që ne shqiptarët jemi përgjithësisht të prirur për t’i paragjykuar të tilla vlerësime, por dua të jap garancinë për Ju dhe të gjithë ata që na ndjekin që ka qenë një vlerësim absolutisht shumë i drejtë dhe një numërim absolutisht shumë i saktë i të gjithë personave që kanë votuar dhe personazhin që kanë vlerësuar gjatë vitit 2007.
Presidenti Topi: Faleminderit zoti Kikia! Ndihem shumë i nderuar!
Sokol Balla: Zoti Topi, edhe një herë Ju uroj për këtë çmim që Ju keni fituar. Në fakt nuk është i pari, ju keni fituar disa vlerësime. Shumë analiza të pavarura mendojnë që viti 2007-të ishte viti juaj. Edhe një herë urime për këtë çmim. Do të doja t’ju pyesja shkurtimisht si ka nisur viti 2008-të për Presidentin e Republikës?
Presidenti Topi: Përpara se t’ju them se si ka filluar viti 2008-të më lejoni të falenderoj nga zemra Departamentin e Informacionit të stacionit televiziv “Top-Channel”, i cili më dha një gëzim të veçantë duke më dorëzuar çmimin e publikut, i cili ka klikuar në faqen e internetit të këtij stacioni prestigjioz. Më lejoni t’ju falenderoj gjithashtu për improvizimin e kësaj ceremonie të thjeshtë dhe me lejoni që ta përmbyll në kornizat e modestisë. Këtë çmim do ta konsideroj si një çmim inkurajues për të më motivuar që në punën time të rëndësishme në institucionin e Presidentit të zhvilloj më tej përmasat, dimensionet e angazhimit tim, sigurisht duke krijuar një klimë të ekuilibruar politike në funksion të sfidave madhore, që ka Shqipëria në momente mjaft të rëndësishme për historinë e kombit shqiptar, në funksion të atij angazhimi që të gjitha institucionet e shtetit shqiptar të sinkronizojnë vullnetin dhe dëshirën e tyre për të përmbushur pikërisht ato aspirata të cilat konsiderohen historike.
Marre nga www.president.al