Ndonëse stina e nxehtë e mambos tashmë ka kaluar, duket se asnjëherë nuk është vonë. Të paktën për Rozanën.Këngëtarja e cila kishte lançuar nisjen e një emisioni të ri veror me emrin “Mambo”, duket se e ka lënë për në dimër projektin e nxehtë.

rozanaradi1.jpg

Ndoshta jo vetëm për “faj” të Rozanës dhe impenjimeve të saj, por edhe për çështje teknike, që zakonisht shoqërojnë prjekte të tilla, emisioni i përfolur i këngëtares nuk u shfaq në ekranin e televizionit BBF ashtu siç ishte parashikuar. Megjithatë, mësojmë se shumë shpejt këngëtarja dotë jetë në këtë ekran në pozicionin e prezantueses televizive. Aq më tepër tashmë, që gjërat janë thuajse të përfunduara. Nuk dimë, nëse Rozi do të ndryshojë ndonjë element në formatin e emisionit nisur nga fakti, që ai ishte parashikuar për stinën e nxehtë. Ndoshta në këtë pikë do t’i duhet të bëjë disa ndryshime për t’ia përshtatur sezonit të dimrit.

Nga ana tjetër, tani është thuajse e përfunduar edhe sigla e emisionit. Bëhet fjalë për këngën “Mambo” të Elena Paparizos, e cila i ka dhënë edhe emrin emisionit të ideuar nga Rozana. Për këtë arsye, duke qenë së bëhet fjalë thjesht për një sigël televizive dhe jo për një këngë albumi, Rozit nuk i është dashur të mendohet dy herë, për të përdorur ritmet e një kënge të njohur greke. Janë këto ritme, të shoqëruara edhe nga një videoklip, që do të shërbejnë si sigla e emisionit me të njëjtin emër. Dhe sigurisht protagoniste e këngës dhe e klipit të realizuar nga “Max Production” është po ashtu ideuesja dhe drejtuesja e emisionit. Duke shfrytëzuar stinën e nxehtë kur janë xhiruar pamjet, Rozi ka përfituar të tregojë ca më shumë linjat e saj (elegante kohët e fundit), duke u zhveshur më shumë se zakonisht në plazhin e Divjakës. Sepse të njëjtën gjë ajo do të bëjë edhe me kolegët këngëtarë, që do të ketë protagonistë në emisionin e saj. Ata do të zhvishen nga çdo lloj serioziteti me të cilin ata prezantohen zakonisht nëpër intervista apo në emisione të ndryshme televizive dhe do të shfaqen në një format të ri. Rozana ka menduar, që kolegëve të saj t’iu japë më pak hapësirë për t’u shprehur dhe më shumë vend për të vepruar. Tani kur thuajse gjithçka është gati, këngëtarja premton, që shumë shpejt do të kemi mundësinë ta njohim edhe si prezantuese, duke kërkuar në këtë mënyrë të plotësojë imazhin e saj në art, përveç aktrimit dhe muzikës, ku e kemi parë të performojë deri tani. Mbase edhe pas rolit të saj të fundit, në një film me metrazh të shkurtër, për Rozanën është momenti më i mirë për t’u lidhur me ekranin.

PanoramaPlus

Foto te Rozana Radit http://www.galeriashqiptare.net/thumbnails-199.html