Parukierja shqiptare në Hollywood.Disa orë me Suzana Nezirin, vajzën që ndryshon imazhin e Roberto De Niros, Britney Spears, Sara Jessica Parker, Kim Cattrall, Julianne Margulies, Bridget Moynahan etj.

parukiere.jpg

Para se pop ylli amerikan, Britney Spears t‘i kapte vet në duar gërshërët, flokët e saj shpeshherë ia ka prerë dhe parukierja shqiptare, tetovarja Suzana Neziri. Por, lista e aktorëve të Hollywood-it që kanë punuar me Suzanën është shumë e gjatë. Ajo është shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare për punën e saj me njerëzit që kanë kërkesat më të çuditshme në botë. E stolisur me një “Emmy Award”, Suzana thotë se nuk është aspak e lehtë që të punosh me artistë, aktorë, gazetarë apo këngëtarë. Përveçse gjithmonë i kanë flokët të pastruara, ata kanë kërkesa shumë të mëdha. Në përpjekje për t‘u bërë sa më të bukur, shpeshherë aktorët dhe këngëtarët me të cilët ajo ka punuar janë të neveritshëm. Por nuk është i tillë aktori Robert De Niro.

Ishte hera e parë që Suzanës iu drodhën duart, para se të punonte me aktorin e madh De Niro. “Kam pas pak tremë, sepse është emër i madh. Por në fakt, ai është njeri shumë i butë, i këndshëm dhe i thjeshtë, madje edhe i turpshëm”, thotë Suzana. Ajo thotë se këta njerëz që i njeh tërë bota, janë vetëm klientët e saj. “Janë të shumtë aktorët e famshëm me të cilët kam punuar. Për mua nuk janë asgjë, ata janë njerëz shumë të thjeshtë si gjithkush tjetër”, shton ajo. Për t‘i shndërruar aktorët e Hollywood-it në njerëz të bukur, parukierja Suzana Neziri ka shumë punë për të bërë. Ajo kujton çaste të vështira që ka pasur me flokët e aktores Kim Cattrall. “Për Kim Cattrall është dashur shumë punë, flokët e saj janë të shkatërruar nga peroksidi”, tregon Suzana. Ndërsa në natën “Super Ball”, ngjarja më e ndjekur në Amerikë, ajo është dashtë të merret me aktoren Bridget Moynahan. Suzana tregon se ajo ditë ishte ferr. Në atë kohë aktorja Bridget Moynahan ishte shtatzënë, e ndjeshme dhe e stresuar, ngase do të dilte para publikut. “Ka qenë një dramë e vërtet. Kam pas shumë punë dhe është dashur t‘i ruaj nervat”, shton Suzana. Por, puna me aktorët e serialit ‘Sex and the City‘ që kanë thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ishte puna më e stresuar. Për katër vite rresht, Suzana me talentin e saj ka bërë që aktorët e këtij seriali të duken seksi. Për këtë punë ajo është shpërblyer me “Emmy” dhe shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Sarah Jessica Parker, Kim Cattrall, Kristin Davis, Cynthia Nixon, Chris Noth dhe David Eigenberg ndryshe janë dukur, para se të fillonin xhirimet. Për flokët e tyre, Suzana Neziri është përkujdesur personalisht për më shumë se katër vjet xhirime. Ajo thotë se këto katër vite i kanë marrë asaj shumë energji, por edhe i kanë sjellë shumë suksese në karrierë. “Kam punuar 16 deri në 20 orë në ditë. Ka qenë me të vërtet një punë shumë e lodhshme”, shton Suzana. Ajo përveç angazhimit në projekte të Hollywood-it, punon edhe në Televizionin publik NBC, në sallonin privat POSH, “Lincoln Center” etj. Por, çdo javë aktorë që jetojnë në New York e thërrasin Suzanën edhe nëpër shtëpitë e tyre, për t‘i rregulluar flokët. “Po shumica e aktorëve më thërrasin, shumica rrinë në New York me ia pre flokët”, shton ajo. Suzana tregon se shumë herë aktorët me të cilët punon çuditen me pamjen e tyre, pasi ajo është përkujdesur për flokët e tyre. Të gjithë ata që e njohin Suzanën janë informuar mirë edhe për prejardhjen e saj shqiptare. Sipas Suzanës, shumë nga aktorët çuditen kur iu thotë se është shqiptare dhe shumë prej tyre iu vjen mirë për këtë fakt. Ajo thotë se shumica e aktorëve, këngëtareve dhe gazetarëve që ka punuar janë të mirë, por ka pasur edhe të tillë që ka hezituar të punojë me ta. Sipas saj, nuk janë vetëm femrat që dinë të jenë të neveritshme. Ndërkohë, Suzana, asnjëherë nuk e ka harruar prejardhjen e vet. Disa herë ajo ka shkuar në Tetovë. Ajo po ashtu i është gëzuar pamasë pavarësisë së Kosovës. Ajo ka lindur në Amerikë, është shkolluar dhe punon kryesisht në New York, por edhe në vende tjera të Amerikës. Edhe motrat e saj, Shpresa dhe Merita, punojnë në televizione në New York si stiliste të flokëve. Ndërsa, babi i saj, Rexhep Neziri, është shumë krenar me punën e vajzave të tij. Ai thotë se ka arritur që fëmijët e tij të mos ta harrojnë kurrë gjuhën dhe traditën shqiptare. “Unë jam shumë i kënaqur, kanë arritur shumë dhe çka është më e rëndësishme nuk e kanë harruar gjuhën dhe traditën shqiptare”, shton ai. Tani Suzana po mendon për disa projekte që i janë ofruar me aktorë shumë të mëdhenj të Hollywood-it.

Gazeta Shqip