21 Feb
Këngë kushtuar Pavarësisë së Kosovës

Një numër i madh këngëtarësh ka nxjerrë këngë të shoqëruara me videolip kushtuar Pavarësisë së Kosovës.Por vetëm disa syresh kanë arritur të kuptojnë se çelësi i suksesit qëndron në ngjarjen e shumëpritur. Të vetëdijshëm se kënga do të ishte e suksesshme, ata kanë nxituar të hedhin në treg krijimet e tyre muzikore të shoqëruar me klip. Nuk ka rëndësi nëse kënga është bërë me pasion apo thjesht për arsye komerciale, ajo çka vlen për t’u theksuar është se këngët janë më të shkarkuarat në “YouTube”, por jo vetëm. Në krye të listës qëndron kënga “Kosova e Pavarur” nga Vagabondi dhe Hysni Zela. Mesa duket, repisti ka ditur të prekë ndjenjat e çdo shqiptari.
Komentet nëpër forume janë të shumta dhe kënga dëgjohet pa pushim në “You Tube”. “Është për t’u dridhur trupi dhe lotët rrjedhin spontanisht tek dëgjon fjalët e kësaj kënge”, shprehen disa syresh.Në një prononcim për gazetën “Korrieri”, Vagabondi rrëfen për arsyet se pse zgjodhi të bëjë një këngë në këtë çast kaq vendimtar: “Ideja për të bërë
një këngë për Kosovën, është një projekt që e kam menduar prej kohësh, por duke qenë se nuk kishte ardhur ende çasti i shumëpritur, e kisha lënë në sirtar. Me afrimin e “ditës së madhe”, nisa punën për të bërë një këngë që tashmë transmetohet nëpër stacionet e ndryshme muzikore”. Ndërkaq, pyetur nëse kënga e tij është burimi një suksesi të pashmangshëm apo më tepër se aq, Vagabondi përgjigjet:“Gjatë qëndrimit tim në Amerikë, kam pasur shumë shokë kosovarë që ishin në pritje të Pavarësisë së Kosovës.Kështu që me kalimin e kohës, edhe unë u bëra pjesë e kësaj dhembjeje”.Ndjenja kombëtare tek repisti shqiptar është gërshetuar në mënyrë të mrekullueshme me vokalin e Hysni Zelës, i cili interpreton edhe pjesën më kulmore të këngës. Vagabondi paraqet dy anët e medaljes; nga njëra anë retrospektiva e ngjarjeve të dhembshme që ka kaluar Kosova dhe ana tjetër, lumturia që solli festa, ku gjithë shqiptarët hedhin valle e këndojnë.Përpos të gjithave, këngëtari pohon se i është dashur një kohë e gjatë për të realizuar tekstin, i cili duhet të ishte sa më i rimuar. Ndërkaq, ideja e bashkëpunimit me këngëtarin polifonik,Hysni Zelën, i ka lindur rastësisht gjatë një takimi që ka pasur me këtë të fundit. Orkestrimi i këngës mban firmën e Gramoz Gazhelit. Ajo çka vlen për t’u përmendur, është fakti se shpeshherë tekstet e këngëve të tij prekin çështje dhe plagë të thella sociale. Kështu, vetëm pak kohë më parë ka nxjerrë një këngë për nënat shqiptare dhe vuajtjet e tyre.Por nuk kanë ndenjur më mbrapa edhe artistët kosovarë. Vetëm pak ditë para shpalljes së Pavarësisë, një grup rroku nga Kosova ka nxjerrë një video-projekt, kushtuar presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Për momentin kënga me titull “Presidenti” është lançuar në stacione të ndryshme muzikore dhe rezulton shumë e kërkuar. Muzikën dhe tekstin e kanë bërë tre anëtarët e grupit, ndërsa kompozimi është bërë nga Nexhat Macula. Gjatë klipit shfaqen imazhe nga Rrugova dhe axhenda e tij e ngjeshur.Mes artistëve kosovarë janë edhe Memli dhe Bubulina Krasniqi, dy emra të njohur të muzikës kosovare, me shumë fansa edhe në Shqipëri.Ishte krijuar përshtypja se pjesëtari i grupit kosovar “Ritmi i rrugës”, Memli Krasniqi, ishte shkëputur nga muzika, për shkak të angazhimeve të tij politike, tashmë si deputeti më i ri i Parlamentit të Kosovës.Por jo! Prej disa muajsh ai është duke u përgatitur për një klip të ri, që për herë të parë do e sjellë si një bashkëpunim me të motrën, Bubulina Krasniqin. Nuk mund të kalonin në heshtje një moment kaq të rëndësishëm, siç është pavarësia e Kosovës.Një tjetër artist që ka menduar ta gëzojë masën e gjerë të popullit është edhe Ilir Shaqiri. Kënga për të ka qenë thjesht pasion, por më vonë u kthye në mision.Ilir Shaqiri është një ndër këngëtarët më të njohur në Kosovë dhe në Shqipëri. Për 26 vite me radhë, zëri i
tij ka kumbuar fuqishëm në skenën shqiptare, duke ngritur peshë zemrat e shqiptarëve dhe duke e çuar në një stad shumë më të lartë këngën shqiptare. Disa këngë të tij si: “Jam
Evropë”, “Jam shqiptar” etj, janë bërë hite dhe kushtrim për Kosovën dhe patriotizmin kosovar, duke nxitur urrejtjen ndaj pushtuesit serb. Pothuajse në të gjitha këngët e tij i këndohet atdhetarisë, patriotizmit, mallit për vendlindjen, si dhe dramës së kurbetit, ku mijëra kosovarë, të detyruar për shkak të pushtimit serb, kanë braktisur vendlindjen. Ndër këngët që ka më për zemër është krijimi i parë mbi vargjet e Naim Frashërit, e cila u krijua në një kohë të vështirë për Kosovën.
Fjalët e Naimit dhe muzika që krijoi ai mbi këto vargje, hyjnë thellë në shpirtin e shqiptarëve.
Vagabondi & Hysni Zela - Kosova e Pavarur
http://www.albgaleria.com/v/Albanian-Music/Kengetaret/Kosova_e_Pavarur.html
Shkurte Fejza - Pavarsia
http://www.albgaleria.com/v/Albanian-Music/Muzike-Popullore/Pavaresia.html
Remzije Osmani - Lum e Lume Kosove
http://www.albgaleria.com/v/Albanian-Music/Muzike-Popullore/Lum_e_Lume_Kosove.html
Korrieri
Pergjigju ose ler nje koment