Këngëtarja simpatike, Vesa Luma, që pak muaj më parë do të shpallej mbretëresha e mbrëmjes në Festivalin Muzikor “Video Fest”

vesa-luma1.jpg

ku morën pjesë emrat më të njohur të momentit të muzikës mbareshqiptare, duket se është në “vështirësi”. Një bursë studimi prej 10 mijë eurosh e pret prej kohësh në sirtar. Ka vendosur të mos i ndjekë studimet, por nga ana tjetër ka marrë një vendim mjaft human. Pikërisht t’ia dhurojë këtë bursë dikujt që ka vërtet nevojë dhe dëshirë për të ndjekur këto studime. Veprim ky që i bashkëngjitet këngëtares bukuroshe Luma, e cila së fundi është zgjedhur edhe Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Ka qenë fundjavën e shkuar në Pezë, në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës me rastin e 65-vjetorit të Konferencës së Pezës. E në këtë takim me “Bluetooth”, ajo na tregon edhe për projektet që e presin, bashkëpunimet dhe albumi që do të dalë së shpejti në treg.


Jeni duke përfunduar studimet për Gazetari, ndërkohë që një bursë prej 10 mijë eurosh që fituat në “Video Fest”, po ju pret. Do t’i ndjekësh studimet në universitetin që u dha bursën?
Po, është e vërtetë që çmimi i parë në “Video Fest” më dha dhe bursën për të vazhduar një tjetër fakultet për të cilin falenderoj Universitetin që ma dha. Në fakt e kam menduar dhe për momentin nuk kam ndonjë dëshirë të vazhdoj studime të tjera. Kjo, pasi tani po përfundoj studimet për Gazetari, ndërkohë që punoj si gazetare në televizionin RTK dhe nga ana tjetër është edhe kënga. Pra janë mjaft impenjime, që aktualisht më kufizojnë për të vazhduar një shkollë të dytë. Pastaj jam e kënaqur me fakultetin që po mbaroj.
Atëherë çfarë do të bëni me këtë bursë?
Në fakt, në fillim mendova që t’ia dhuroja motrës sime, por ajo pëlqen degën Arkitekturë, që në Universitetin mbretëror “Iliria”, i cili më dha dhe bursën, ende nuk është çelur si degë. Kështu që kam menduar t’ia dhuroj dikujt që studion vërtet dhe ka dëshirë për të vazhduar këtë universitet dhe nga ana tjetër të jetë një person që nuk ka mundësi t’i ndjekë studimet universitare. Dua t’ia dhuroj dikujt që ka vërtet dëshirë dhe që e ka të pamundur ta paguajë vetë shkollën.
Domethënë, çmimin tënd po e jep bamirësi?
Po, mendoj që ta marrë dikush që i nevojitet vërtet. Dhe përderisa mua për momentin nuk më duhet, është më mirë që ta marrë dikush tjetër, që do t’i hyjë vërtet në punë.
Në fakt, ju jeni ndër këngëtaret më aktive në Kosovë për vepra bamirësie.
Eh, le të themi që jam përpjekur të sjell një frymë të tillë në Kosovë edhe ndër këngëtarë të tjerë, por që është edhe pak e vështirë. Jam përpjekur të organizoj disa koncerte bamirësie, por nuk është se këngëtarët kanë qenë mjaft të gatshëm. Gjithsesi, unë si Vesa do të pranoja çdo ftesë që më bëhet për çfarëdo koncerti, edhe në vendin më të largët shqiptar.
Aktivitetet e këtij lloji kanë lidhje me faktin se ju jeni zgjedhur Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga Ministria e Kulturës?
Po, mund të them se arsyeja që unë u zgjodha Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga Ministria e Kulturës ka qenë, pasi unë kam bërë një fushatë kundër trafikimit dhe disa koncerte e aktivitete humanitare.
Para pak ditësh keni qenë e pranishme në koncertin që u organizua në Pezë, mund të na tregoni disa nga emocionet që keni përjetuar?
Së pari mund të them një të vërtetë, që publikun shqiptar e dua fort dhe ndjehem shumë mirë sa herë që vij në Shqipëri. Të njëjtën atmosferë mikpritëse kam ndjerë edhe në Pezë dhe mund të them se ishte bukur dhe se të tilla organizime janë vërtet të këndshme. Më vjen mirë që në Shqipëri organizohen të tilla veprimtari dhe aktivitete, pasi në Kosovë tani vonë kanë nisur të bëhen.
Aktualisht me çfarë po merret Vesa?
Po e kam diçka në dorë në fakt. Është një bashkëpunimi me një reper shqiptar të njohur në Kosovë. Kam regjistruar këngën dhe do bëj klipin e po përgatitem për një koncert Gala në televizionin RTK. Koncerti do të shoqërohet nga Big Banda e këtij televizioni dhe aty do të jenë gjithë këngëtarët kosovarë, të cilët do të këndojnë ‘live’ dhe është një emocion i madh në të vërtetë. Këtë herë kam zgjedhur Teuta Kurtin për një duet dhe aty po përgatitem aktualisht.
Ndërkohë, publiku po pret për albumin tuaj. Kur do të jetë ai në duart e tij?
Albumi është gati, por me vështirësi, sepse s’funksionojnë si duhet puna me produksionet. Ka kohë që albumi është gati në fakt dhe i kërkoj falje publikut që nuk është ende në treg. Po pres momentin më të përshtatshëm për të dalë në treg. Albumi do të ketë këngë të reja por edhe përmbledhje të bashkëpunimit me Teuta Kurtin dhe Ronën. Pastaj është një album, që unë do ta shfrytëzoj si pasaportë të Vesës.
A ke menduar për një titull për albumin?
Po në fakt dhe do të jetë një titull që do të më identifikojë mua. Por, po e lë surprizë për në kohën e duhur.

Nga Ilda Lumani Bluetooth

  • Postoje tek LajmeWeb
  • Postoje tek Kapsit
  • Postoje tek Ngjarjet
  • Facebook
  • Technorati
  • MySpace

Random Posts