VIP-at shqiptarë, të vetëdijshëm se edhe pse sot janë në majë të suksesit, një ditë ndoshta u duhet të bëjnë edhe diçka tjetër në jetë. Përpos kësaj është edhe rëndësia e të shkolluarit. Por ajo që ndoshta të bën përshtypje, është se degët për të cilat ata studiojnë tashmë në universitete, thuajse nuk kanë lidhje fare me atë çfarë ata bëjnë aktualisht. Kemi sjellë në fokus disa prej tyre, që pasi janë promovuar në skenat dhe ekranet tona, janë ulur mes të tjerëve në bankat e shkollës, për të marrë edhe ata statusin e studentit.

Elvana, jo vetëm këngëtare
Elvana Gjata, një nga këngëtaret më të suksesshme të momentit nuk lë asnjë çast pas dore studimet e saj. Ajo është studente e vitit të tretë të regjisurës në Akademinë e Arteve. Regjisura, ky është pasioni i Elvanës, të cilën publiku dëshiron gjithë kohës ta shohë në skenë duke kënduar. Por siç duket, ambiciet e saj janë për më tepër dhe në një tjetër fushë të artit, atë të filmit. Por derisa këngëtarja të përfundojë studimet dhe të nisë karrierën si regjisore, neve na duhet ta shijojmë atë nëpër skena dhe klipet e saj të nxehta.
Juristja Zanfina Ismajli
Përpos koncerteve, klipeve e albumeve, Zanfina Ismajli, bukuroshja nga Kosova studion për Drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Drejtësia është në fakt larg këngës, por siç duket, kjo është zgjedhja e këngëtares seksi, që ta shohë veten një ditë pse jo edhe në njësallë gjyqi. Kështu që herë pas here këngëtares i duhet t’i lërë angazhimet e saj muzikore, për të qenë e pranishme në auditoret e shkollës për të ndjekur leksionet e radhës.
Arkitektja e ardhshme Zajmina Vasjari
Në vitin 2002, kohë kur bukuroshja Zajmina Vasjari do të vendoste kurorën e “Miss Shqipëria 2002”, kishte dy ëndrra për të ardhmen: Të vazhdonte studimet për arkitekturë dhe të hynte në botën e muzikës. E tashmë për të, këto ëndrra janë një realitet. Ka arritur të promovohet si këngëtare e njëkohësisht të realizojë ëndrrën e saj për të vazhduar studimet e larta në degën e saj të preferuar. Ajo sot është studente në vitin e dytë, dega Arkitekturë, në një prej universiteteve private të kryeqytetit. Fakti që ajo është një vajzë e ekranit, duket se e ka ndihmuar jo pak edhe në universitet. Siç është shprehur edhe ajo vetë, “dega që unë kam zgjedhur kërkon shumë impenjim, dhe duke qenë se unë merrem edhe me spektaklin, ka pasur raste kur mund ta kem lënë shkollën pak pas dore. Për këtë arsye, për disa mungesa ose orë të humbura, pedagogët më kanë toleruar”. Kënga me të cilën ka pasur sukses mund të jetë e përkohshme, pasi ajo tregon se “arkitekturën e mendoj si profesionin tim në të ardhmen, kurse aktivitetet e tjera do të jenë në plan të dytë”.
Eralda Hitaj, ëndrra një regjisore
Brunia me sy bojëqielli që do të përfaqësonte për herë të parë Shqipërinë në “Miss Univers”, Eralda Hitaj, që në fillimet e saj në botën e modës do të rrëfente se ëndrra e saj është të bëhet një regjisore. Ndërsa ka kohë që shfaqet në një emision në një televizion shqiptar, modelja bukuroshe e krahasuar me Angelina Jolie duket se po e kthen në realitet ëndrrën e saj. Është e dashuruar pas kinemasë dhe teatrit, ndaj ambiciet e saj lidhen vetëm me një karrierë si regjisore, ku preferon të bëhet e suksesshme si regjisore filmi. Është regjistruar shtatorin që shkoi në Akademinë e Arteve, dhe ashtu siç thotë dhe vetë, “jam e gatshme të vë në funksion të gjitha energjitë e mia dhe do të studioj e do të punoj shumë për ta arritur atë që dua”. E që është sigurisht regjisura.
Studentja e zellshme Orinda Huta
Tashmë duket si një kohë e largët, kur ajo do të ishte një prej mjaft të rinjve në emisionin veror “Kërkohet një yll”. Zbulimi i saj aty do të bënte, që më pas të ishte një nga këngëtaret e reja mjaft të preferuara të publikut, e sidomos pas këngës që u kthye në një hit “Tani e di”. Edhe pse këngët dhe sukseset e saj do të ndiqnin njëri-tjetrin, Orinda aktualisht duket se i është larguar disi muzikës. Kjo për arsyen se i është përkushtuar tërësisht studimeve të saj. Ajo është studente në vitin e dytë në Universitetin Evropian, ku vazhdon studimet e larta për Publik Relation në këtë universitet të Tiranës.
Turi s’do vetëm ekranin
E rastësisht me të në të njëjtën klasë dhe detyrimisht degë, për Publik Relation është edhe këngëtari Turian Hyska, anëtar i grupit “Product 28”. Koha e tij tashmë është edhe më e ngjeshur. Aktiviteti me grupin e tij, me të cilin sapo ka hedhur në treg albumin e ri “Një kat më lart”, puna e tij në një televizion në kryeqytet dhe nga ana tjetër studimet e larta, duket se nuk i lënë asnjë hapësirë boshe djalit simpatik. Megjithatë, ai ka treguar se di t’ia dalë mbanë çdo gjëje. Dhe këtë e ka vërtetuar.
Xhemi Shehu, më së fundi studente
Ka kuptuar që tani është koha e duhur të ndjekë studimet e larta. Kështu show-girl Xhemi Shehu, ka nisur studimet për marrëdhënie me publikun në universitetin Evropian, e njëherazi duke u larguar edhe nga spektaklet, apo edhe nga projektet që e lidhnin atë me Italinë. Tani për të është vetëm shkolla. Edhe pse zërat e përfshijnë atë në një projekt të madh, ku këtë fillimviti ajo do të rishfaqet si prezantuese. Megjithatë, tashmë janë vetëm zëra. Vetë Xhemi nuk e ka pohuar një gjë të tillë, por e pranon se ka dëshirë që të shfaqet sërish në ekran e ndoshta me një spektakël edhe më të madh se “Portokallia”, ku ajo do të jetë e vetme për të mbizotëruar skenën. Le të presim atëherë.
Shpati, pse jo larg skenës
Çuditërisht edhe këngëtari Shpat Kasapi ka zgjedhur një degë që nuk ka lidhje me atë çfarë bën. Në fakt edhe pse e habitshme, ai është një prej studentëve të universitetit të Shkupit, ku studion për Shkenca Politike. Ndoshta kjo është një dëshirë e Shpatit për t’u bërë diçka krejt ndryshe nga ajo me të cilën është promovuar dhe bërë i suksesshëm ndërkaq. Le të urojmë që fati ta ndjekë ashtu si edhe në skenat muzikore.
Paloma, një universitet të dytë
Rudina Mneri, ose vajza e pagëzuar nga Aldo Lipe si Paloma dhe e bërë mjaft e njohur në emisionin “Goodmorning Albania”, duket se ka vendosur të mos u ndahet bankave të universitetit. Verës së 2007-ës u dha fund studimeve për gazetari. Diplomimi në këtë degë për të duket se është i pamjaftueshëm. Kështu që pak muaj më pas, ajo si shumë personazhe të njohur që kanë zgjedhur Universitetin Europian, nisi studimet në degën Shkenca-Komunikim. Një zgjidhje kjo mjaft premtuese për gazetaren.
Çili, e joshur nga diplomacia
Çiljeta Xhilaga, këngëtarja që përveç zërit, magjeps publikun edhe me hiret e saj, është njëherazi edhe studente në vitin e katërt për Diplomaci Evropiane. E pranon se ndihet mirë në shkollë dhe është një degë që e pëlqen. Por në fakt të gjithëve na duket e çuditshme dhe ndonjëherë e paimagjinueshme ta shohim Çilin nën lëkurën e një kostumi zyrtar. E kjo në fakt do të ndodhë nëse vetë ajo do të braktisë një ditë muzikën, për t’iu përkushtuar asaj çfarë ajo po studion. Ose ndoshta Çili do të zgjedhë të shfaqet në të dy dimensionet.
Rezarta Shkurta, nesër një psikologe
Rezarta Shkurta, këngëtarja që në fëmijërinë e saj kishte studiuar për pikturë, do t’i habiste të gjithë kur do të zgjidhte të studionte në një degë që nuk ka lidhje me dy gjinitë e artit të lartpërmendura. Ajo ka zgjedhur Psikologjinë dhe është studente në vitin e dytë në Universitetin UFO. Megjithatë, ajo ia del t’i kombinojë shumë mirë, si këngën që nuk e braktis për asnjë moment, po ashtu edhe ndjekjen e leksioneve.
Mjeku i ardhshëm Arbër Arapi
Djaloshi që do të bëhej i njohur në konkursin “Ethet e së shtunës mbrëma”, ka zgjedhur një fushë shumë larg asaj për të cilën njihet. Këngëtari i ri ka nisur studimet për mjekësi, e megjithatë, ai ka qenë prezent në skenat e festivaleve, duke gërshetuar shumë mirë kështu skenën e muzikës me sallën e operacioneve. Ndoshta ky kombinim nuk do të shkojë edhe për shumë kohë, megjithatë, ndërsa aktualisht ai është vetëm një student, mund t’ia dalë mbanë.
Gazeta Shqiptare
Fotografi Vipat Shqiptare http://www.galeriashqiptare.net/index-23.html
OH KADAL SE U QAJTE MOS I HAP SHUM KOMT SE POT QAHEN HAHAH:PP JUHU TAKE ISHTEEEEEEEEEEEEEEEEEEE
U ARE BEATIFUL GIRL PERNIME E KAMMM I LOVE U