24 Jan
Ka lënë pas një vit, fundi i të cilit e kurorëzoi si fituesen e Festivalit të “Kënga Magjike”. Aurela Gaçe, këngëtarja që me këngën “Hape veten” solli një interpretim të mrekullueshëm, në këtë intervistë ekskluzive, më shumë se për këngën, projektet dhe punën e saj, ka vendosur të hapë tërësisht veten. Aurela Gaçe në rrëfimin e saj na tregon pikëpamjet e saj për lumturinë, dashurinë, për jetën, për arritjet dhe pendesat e saj. Aurela vjen në një këndvështrim të ri. Duke na pohuar edhe të vërteta që shumë nga ne nuk do të guxonim t’i thonim me zë të lartë.
Kemi lënë pas vitin 2007, ndërsa ka nisur një vit tjetër. Si ka qenë viti që shkoi për ju?
Tani që bëj bilancin them, që ka jo pak gjëra që mund t’i kisha bërë më ndryshe. Megjithatë e them me bindje se 2007-a si vit në tërësi, më mirë nuk bëhet…
Cila është ideja jote për lumturinë?
Në radhë të parë mund të zgjasë me sekonda. Lumturia mund të jetë shumë sekondare. Mund të them që jam e lumtur, sepse ideja ime për lumturinë është pasuria shpirtërore, por edhe të kesh ca para më shumë nuk është asnjëherë keq. Pastaj lumturi është të jetosh me atë që të jep më shumë kënaqësi. Të bësh atë që di të bësh më mirë, kjo të bën të lumtur.
Cila është frika jote më e madhe?
Frika ime më e madhe është të martohem. Kam shumë frikë të martohem. Por nga ana tjetër, më tremb vetmia. Ndonjëherë kur nuk më bie telefoni gjatë gjithë ditës, mërzitem dhe më duket sikur jam vetëm. Vetmia është e frikshme.
21 Jan
Pasi fitoi çmimin e parë në edicionin e sivjetshëm të “Këngës magjike”, Aurela Gaçe deklaroi se do të fluturonte drejt SHBAve, për të nisur punën rreth albumit të ri. Prej ditës që shkoi atje e në vazhdim, ajo ka punuar vetëm për albumin e ri, i cili do të përmbajë 10 këngë të karakterit folklorik e popullor të Shqipërisë së jugut. Në jo pak raste, Aurela ka treguar se kënga labe, sidomos ajo vlonjate, është e parapëlqyera e saj, aq
sa edhe daljen e parë në vitin 1995 në spektaklin “12 në Hollywood”, ajo e kishte po me këngë labe. Ndaj e shtyrë nga nostalgjia, ajo do të nxjerrë një album të tërin me këtë zhanër muzikor, të cilin do ta publikojë së shpejti edhe në Shqipëri.
Korrieri

26 Nov
Fenomeni Aurela Gaçe rrëmben trofeun e “Kënga Magjike”.
E rikthyer nga Amerika enkas për këtë festival të mrekullueshëm me këngën “Hape veten”, këngëtarja e njohur vlonjate, me zërin e saj potent, ka ngritur në këmbë sallën e Pallatit të Kongreseve. “Hape veten”, një këngë e shkruar nga Timo Flloko, orkestruar nga Darko Dimitrov dhe me muzikë të Flori Mumajezit, ka rrëmbyer përveç çmimit të parë me 529 pikë edhe çmimin e kritikës. Në vendin e dytë të “Kënga Magjike 2007” është renditur çifti Soni&Flori me këngën “Fluturimi 3470” me 403 pikë. Me këtë këngë dy këngëtarët e njohur kanë rrëmbyer edhe çmimin “Kënga hit”. Ndërsa me vendin e tretë me 384 pikë është vlerësuar këngëtarja Elvana Gjata, “Ku jeton dashuria”, me të cilën Gjata është vlerësuar edhe me çmimin diskografik. Dje në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve festivalin e njohur e ka nderuar edhe vetë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, por edhe deputetë të tjerë shqiptarë, si Blendi Klosi, Ben Blushi etj. Po dje në natën finale të “Kënga Magjike 2007” kanë qenë të pranishme edhe dy vajzat e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Nada dhe Etida. Mbi një skenografi të mjeshtrit Bashkim Zahaj, ku ngrihen të larta porta kalash, me mure të rënda gri, ku ndërthuren elementet e mesjetës dhe metropolitanen, për tri net me radhë kanë performuar rreth 40 artistë të njohur mbarëshqiptarë. Spektakli i njohur “Kënga Magjike 2007”, i cili ngriti siparin në Pallatin e Kongreseve mbrëmjen e së premtes, është pritur me mjaft duartrokitje të zjarrta përgjatë tri netëve. Por gjatë gjithë spektaklit, regjisorët Agron Vula dhe Astrit Idrizi, të dy nga Kosova, kanë sjellë te publiku një imazh për t’u admiruar.