zucchero98.jpgKantautori numëron 15 milionë disqe të shitura nëpër botë

Ylli i rrokut flet për peripecitë e karrierës së tij dhe dhimbjen e madhe për humbjen e Pavarotit

Personalisht, teknologjinë e urrej. Më kanë dhuruar dy iPod, por nuk i mbajta”, thotë Xukero. “Babi, po pse nuk m‘i dhe mua?”, ankohet Blu, djali i tij nëntëvjeçar. “Shpirt, një ia dhashë Aliçes dhe tjetrin Irenës”. “Ufff”, shfryhet vogëlushi, ndërsa luan me Kikon, qenin rrugaç që tashmë është përshtatur me luksin dhe që nuk denjon të lëvizë nga jastëku i butë i kolltukut. Me bashkëshorten Françeska Mozer dhe djalin Blu (Aliçe dhe Irene, vajzat që ka me gruan e parë, tashmë janë në moshë madhore),
Xukero ka preferuar të jetojë në periferi, i rrethuar nga malet, në një zonë
afër kufirit, midis Emilias, Ligurias dhe Toskanës. Vendlindjen e ka rreth një orë larg me makinë. Në rezidencën e tij, pranë lumit Verde, ku madje ndodhet edhe një mulli i restauruar në mënyrë perfekte, ndihet një atmosferë familjare dhe njëkohësisht ndërkombëtare.

Kjo për shkak të asaj studioje regjistrimi që
ndodhet në atë shtëpi të bluzit plot me
kujtime, që ka pritur Bono dhe Sting, Erik
Klapton dhe Brajan Mei të Kuins. Por
gjithsesi jemi në Itali, pranë Pontremolit,
komunë e drejtuar nga duka i Parmës dhe
Toskanës. Kalojmë qendrën dhe pastaj
në të djathtë shtrihet varreza, tek e cila të
shpie një rrugë plot me gëmusha rozmarine.
Në Nju-Orlinsin e tij të vogël, Xukero
u përgatit për tre koncertet e tij të tri
ditëve më parë në Verona. Madje po përgatitet
edhe për provën e madhe të datës
28 shtator në Nju-Jork. Për këngëtarin ky
është një vend çlodhjeje, frymëzimi dhe
përgatitjeje. Tavolina është shtruar mirë,
spageti ragu, proshuta të ndryshme,
djathëra të zgarës, perime dhe fruta të
mbledhura nga oborri i shtëpisë.
Kujtohet për aksidentin që ndodhi
një muaj më parë te “Strofulla e Dhelprës”,
një lokal VIP-ash, ku filloi të grindej
me publikun. “I provokova disi, vetëm
e vetëm për të gjallëruar sadopak
mbrëmjen. Jepini, dëfrehuni edhe pse
jeni të pasur, le të bëjmë pak rrëmujë”.
Shkurt, gjithçka nga fjalori im i zakonshëm.
Në përgjithësi nuk jam i druajtur.
Pastaj pati një reagim nga tavolina e Santanke:
“Komunist, komunist, komunist”.
Pas kësaj m‘u errën sytë. Më ngushëlloi
fakti që njerëzit e rrugës, ata të festave
fshatare këtej rrotull dhe pleqtë më
mbështetën me thjeshtësi. Xukero është
kundër konformizmit dhe arrogancës
së politikanëve. “Ishte këngëtari im i
preferuar, por tani nuk i këshilloj askujt
të blejë albumet e tij”, tha Santanke. “Por
çfarë kujtonte ai, se isha një guaskë nga
porosia e tij njëmijë euroshe? Rroku në
teori është një rrumë muzikore “kundra”,
por tashmë e balancuar nga disa norma
fjalori. Një herë e një kohë ka qenë Guçini
dhe De Andre që e “fshikullonin” shoqërinë
me këngët e tyre. Pastaj ka qenë
Xhino Paoli, i cili publikut të Busolës i
bërtiti: “Borgjezët e m…”.
Unë jam për së mbari, nuk heq dorë
nga thjeshtësia ime, nga fjalori im. Unë i
paedukuar? Ma kanë thënë disa herë
këtë. Një herë ndodhi kur doja të publikoja
një këngë të titulluar: “Pipo çfarë k… bën”
dhe ata të shtëpisë diskografike bënë
gjithçka për ta ndaluar daljen në treg.
Ngulnin këmbë që teksti të ndryshohej
me “Pipo çfarë po bën”. Në atë kohë nuk
isha shumë i pushtetshëm për të influencuar,
por arrita që mos ta ndërroja tekstin.
“Rruga ime drejt suksesit ka qenë
vërtet e gjatë. Fillova në moshën 16-
vjeçare, pikërisht në vitin 1971. Luaja me
saks atëherë, ndonjëherë improvizohesha
si baterist ose kitarist. Pastaj, një
ditë, këngëtari i orkestrës nuk u paraqit,
sepse kishte bërë fjalë me të fejuarën dhe
mua më detyruan ta zëvendësoja. Ishim
në Alhambra, jo shumë larg prej këtej.
Kështu filloi pelegrinazhi im nga një grup
muzikor te tjetri. Me “Sugar & Candies”
(1977) regjistruam 45 disqe, prej të cilave
nuk u shit asnjë (tashmë i gjen te eBay
me çmim fillestar 50 euro). Verës luanim
çdo natë te “Busola”. Atëherë të
parapëlqyerit ishin Fred Bongusto dhe
Pepino di Kapri, ndërsa ne plotësonim
orarin deri në pesë të mëngjesit. Më pas
fillova të shkruaja tekste për të tjerë si:
Bongusto, Mikele Pekora, Fiordaliso, Stefano
Sani etj. Por, gjithsesi, unë qëndroja
në hije. Më donin vetëm si autor. Unë jam
një i pasionuar pas muzikës. Futem në
studio nga ora dhjetë e paradites dhe
përfundoj nga darka. Nuk jam nga ata që
e shkruaj një këngë ashtu si një rrufe”.
Asnjë artist italian nuk ka bashkëpunuar
kurrë me aq shumë yje të muzikës
rrok dhe xhaz, sa ka arritur Xukero.
Ai ka bashkëpunuar me më të famshmit
dhe gati me të gjithë ka arritur të bëjë një
duet. Në fillim u duk si një lakmi e madhe
provinciale. Dikush shkroi: “Nuk e kuptoj
pse Miles Davis luajti me të, ndoshta
i ka dhuruar një Ferrari…”. Por atëherë
unë nuk kam pasur asnjë kacidhe! Miles
ra nga qielli. Isha në Maldive me time
shoqe, sapo ishim ndarë atëherë dhe po
mundoheshim të ribashkoheshim.
Mimo D`Alesandro, që ishte promovuesi
i Davis në Itali, ishte në makinë me trombistin
dhe ndërkohë po dëgjonin një diskun
tim. Kur filloi kënga “Duna të zhvendosura”,
Miles i pyeti: “Kush është ky?
Dua të luaj më të”. Mimo më telefonoi në
orën katër të mëngjesit. Aq doja unë.
Ndërpreva pushimet për t‘u nisur dhe
aty martesa ime u shkatërrua përfundimisht”.
Pasioni i Adelmos lindi në famulli.
Priftërinjtë në atë kohë akoma nuk e
dinin që rryma bluz ishte muzika e djallit.
“Shkoja dhe ndiqja seminaret në
kishën afër shtëpisë time, për t‘u shlyer
me priftin, i cili më lejonte të përdorja një
organo shumë të bukur, madje me dy
tastiera. Atëherë mësova të luaja këngët
e Prokol Harum. Të fusha në të cilën
grumbulloheshim për të luajtur me top,
unë dhe tre shok të mi të tjerë organizonim
minispektakle, nëse mund t‘i quaj
kështu. Isha nëntë vjeç atëherë dhe isha
i zoti të imitoja. Specialiteti im ishte Rugero
Orlando. Pastaj filluan vitet e vështira.
Një nga anëtarët e grupit tonë, pikërisht
ai që i binte organos, humbi jetën në
një aksident rrugor, 500 metra larg shtëpisë
së tij, pikërisht natën e Vitit të Ri.
Nuk na paguanin mirë dhe sikur kjo të
mos ishte pak, të gjitha ëndrrat tona u
zbehën kur lokali u përpi nga flakët. Ne
humbëm një piano fringo të re, madje
edhe dritat. Kemi qarë si të çmendur atë
natë. Kishim akoma kredi për të shlyer.
Gjatë varrimit të Luçianos, më erdhi në
mendje një kooperativë ku vinim për të
dëgjuar Verdin dhe Puçinin. Gratë, që të
dielave në mëngjes fillonin të këndonin
pjesë operash, ndërsa gjyshja ime, Diamante,
përballë gramafonit, dhe gjyshi
im, Kanela, që dimrit shkonte në teatër,
ishin të gjitha gjëra të asaj kohe, jeta e atyre
viteve. Unë nuk kuptoja gjë, por e ndjeja
që muzika bluz më pëlqente vërtet
shumë. Në fakt filloi të përhapej shumë
si rrymëë muzikore. Në Modena dëgjohej
shumë, Parma, në zonën e Emilias etj.
Në darkë, pas ceremonisë mortore të
të ndierit Luçiano Pavaroti, Xukero,
Bono, “The Edge” dhe zonjat e tyre, shkuan
për të drekuar në “Klub Europa”,
me Nikoleta Mantovanin, për të kujtuar
vitet e Pavarotit dhe shoqërisë së tij.
“Dhe ja një ditë që më kujtohet kur kam
ndjerë një refuzim nga ana e mjeshtrit.
Një ditë, ndërsa prisja për të folur me
drejtorin e përgjithshëm, dëgjova nga
dera gjysmë e hapur që mjeshtri i thoshte:
“Dërgojeni në shtëpi, në fund të fundit
ky nuk ka për të shkuar gjëkundi”.
Kam qarë gjithë natën prej asaj që dëgjova.
Isha i martuar, madje kisha edhe një
fëmijë. Më tha: “Duhet të gjesh një punë
serioze, 150 mijë lireta në natë nuk mjaftojnë
më”.
E luajti letrën e fundit në një udhëtim
për në San Françisko. Një mik i tij, që
shiste pantallona xhins, i dhuroi një biletë
që e kishte fituar në një lotari që e
kishte organizuar kompania “Levis”.
“Atje u vura në kërkim të Korado Ruçistit
dhe falë tij dhe Narada Majkëll Ualden.
U regjistrova falas në studion e tij. U ktheva
në shtëpi i gëzuar bashkë me
regjistrimin tim, që brenda kishte edhe
“Donne”. E shpërndava në të gjitha shtëpitë
diskografike duke përdorur emrin
e atij që më kishte ndihmuar. I pari që më
kërkoi ishte njëri që më kishte hequr një
herë qafe, por nuk e kishte kuptuar që
isha unë”.
Adelmo “Xukero” Fornaçari, sot e
kësaj ditë ka shitur 15 milionë albume në
të gjithë botën. Ka një histori të bukur për
të treguar, nga ditët më të këqija e deri te
koncertet në “Carnegie Hall”. “Kurrë nuk
kam ëndërruar të bëhem një rrokstar.
Nuk mbaja poster të Elvis Preslit dhe
Bitëllsave në dhomën time. Doja të bëja
disqe dhe të ndërmerrja turne, të isha
një muzikant i ndershëm, madje të
punoja me kohë të plotë. I madhi
Luçiano ishte bërë një pjesë e familjes.
Kur Nikoleta i propozonte listën e
këngëtarëve që do të merrnin pjesë në
projekt, ai më thërriste dhe fillonte të
këshillohej. Fillonim të përmendnim të
gjithë emrat. “Si thua, a e marrim këtë
Bobi Babi Bubi… Bavi, si quhet? David
Boui? Po, pikërisht ai. I thashë: “Duhet
të bësh “You Are So Beautiful” me Xho
Koker”. “Po…, boh… A thua? Po kush
është? Hë, më dërgo ndonjë regjistrim
për ta dëgjuar”. E imiton jashtëzakonisht
mirë mjeshtrin, duke shqyer sytë
dhe duke bërë xhestet e tij, madje arrin
t‘i ngjajë edhe fizikisht. “Sa shumë kurajë
më ka dhënë Luçiano. Ishte gjithmonë
dinamik. Nuk rrinte kurrë pa bërë ndonjë
projekt. Të gjithë ishin të gatshëm të
paguanin me flori për të bërë një duet
me të. Një herë Brajan Adams më thotë:
“Im at më konsideroi një këngëtar serioz
vetëm kur më pa në skenë me Pavarotin”.
Më kujtohet një darkë në apartamentin
e tij në “Central Park”. Ka qenë i
jashtëzakonshëm…
Nxjerr në shesh dy çanta që i kishte
marrë me vete nga Italia. Kishte sjellë
salcë, spageti, sallamra të ndryshëm dhe
djathëra. “Mos e prek sallamin, do të
nisim të hamë të gjithë së bashku”, urdhëronte.
Ishte sikur të ishim një familje
e vjetër. Unë e shikoja i habitur, një gjigand
i operës që ndante makaronat. Sa
dashamirës. Pas darkës e shihja në
kolltukun e tij tek eglendisej me puron
nëpër dhëmbë dhe një gotë “Varneli” në
dorë. Me Bonon kujtuam atëherë kur
ishim në helikopterin ushtarak që do të
na shpinte në inaugurimin e shkollës
muzikore “Moxart”. Kur ndodheshim në
një lartësi të konsiderueshme, madje
kishte edhe re përreth, Luçiano zhyt duart
në çantën e vet duke kërkuar me vëmendje.
Menduam se po kërkonte ndonjë
ilaç qetësues. Përkundrazi, nxjerr nga
çanta një copë të mirë parmixhano: “Ky
vjen nga Rexho!”, bërtet i gëzuar dhe fillon
ta ndajë me gjithë të tjerët. Tashmë
që Luçiano ndërroi jetë, nuk do të bëj
duete për një kohë të gjatë.

G.Shqip