Këngëtarja tregon edhe për raportet e shumëpërfolura me motrën e saj, Adelina Ismaili

Ka ardhur në Tiranë pas shumë vitesh. Duke e ndjerë shkëputjen e gjatë me publikun shqiptar, që nga koha kur ishte fëmijë, pikërisht atëherë kur merrte pjesë në festivalet muzikore, Zanfina Ismajli mendoi se ky ishte momenti më i mirë, për të qenë në një event në Shqipëri. E shoqëruar nga nëna dhe e motra Ema, ajo ka kënduar dy ditë më parë në festivalin e muzikës moderne “Top-fest”, ndërsa motra më e madhe Adelina i shkruante herë pas here në celular për t’i dhënë kurajo, apo ndonjë këshillë të vogël përpara daljes në skenë. Por pavarësisht mungesës së gjatë të Zanfinës në skenat shqiptare, lajmet për të e sidomos të rejat në lidhje me jetën private kanë ngjallur gjithmonë interes. I tillë ka qenë edhe lajmi i publikuar nga gazetat shqiptare, se këngëtarja kosovare ka pasur një marrëdhënie sentimentale me futbollistin Lorik Cana. Por për Zanfinën, në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një thashethem, mes shumë thashethemeve të tjera, që kanë dalë rreth marrëdhënieve të saj me motrën e madhe Adelina. Të gjitha këto, e kanë bërë bukuroshen nga Kosova ta humbasë disi besimin tek gazetat dhe gazetarët, ndaj ka vendosur të mos flasë asnjë fjalë në lidhje me jetën e saj private. Sa për marrëdhëniet me Adelinën kanë qenë dhe do të mbeten të shkëlqyera edhe pse kohët e fundit, duket se motra e vogël Zanfina, po fiton më shumë terren në fushën e muzikës. Studente në vitin e tretë për drejtësi, Zanfina Ismajli shprehet se pas karrierës muzikore synon një karrierë të suksesshme edhe si juriste.


Cila është arsyeja që vendose të jesh në një festival muzikor në Tiranë?
Së pari, zgjodha “Top-fest”-in, sepse që nga fillimet më ka pëlqyer shumë si festival. Në Kosovë quhet edhe versioni shqiptar i MTV-së. Kam parë, se fryma e këtij festivali është ndryshe nga të tjerët. Eshtë shumë rinor, ka shumëllojshmëri zhanresh dhe më ka pëlqyer mënyra se si organizohet finalja, ndaj edhe këtë vit meqenëse kisha këngë të reja vendosa të marr pjesë dhe ta promovoj këngën time në një mënyrë shumë të mirë dhe të jem për herë të parë në një festival në Shqipëri, që nga fëmijëria.
Vjen në Tiranë për të marrë një çmim, apo për të qenë pranë publikut?
Kisha menduar se i kisha munguar publikut në Shqipëri dhe duhej të isha e pranishme në një festival, në mënyrë, që adhuruesit e mi këtu të më shihnin nga afër. Përsa i përket çmimeve asnjëherë nuk i kam parë si qëllim në vetvete, sepse nuk mendoj që gjithmonë duhet të fitohet diçka.
Ke pasur emocione, duke qenë se prej vitesh nuk e njihje pritjen e publikut në Tiranë?
Them që publiku ka një sy të mprehtë dhe emocionet janë të pranishme, por besoj që pritja ishte e mirë.
Me çfarë je duke u marrë momentalisht në Kosovë?
Aktualisht kohën time kryesore e merr shkolla, por edhe koncertet në Kosovë e diasporë, të cilat kohët e fundit kanë qenë të shumta.
Shpesh kemi dëgjuar që marrëdhëniet e tua me Adelinën, nuk janë të mira…
E vërteta është që ne kemi marrëdhënie shumë të mira, ashtu siç mund të kenë dy motra me njëra-tjetrën. Thashethemet nëpër gazeta kanë bërë që njerëzit të mendojnë, se ne kemi marrëdhënie të këqija, por si mund të kemi ne të tilla marrëdhënie kur jetojmë nën një kulm, kemi të njëjtin profesion dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta! Ç’është më e mira, këshillohemi, rrimë bashkë dhe jemi shoqe, përpara se të jemi motra.
Të ka ndihmuar Adelina dhe emri i saj që të ecësh në fushën e muzikës?
Në disa raste ka pasur ndihmë emri i saj, në disa raste jo. Mendoj, që më shumë më kanë ndihmuar këshillat dhe sugjerimet e saj profesionale, sesa emri.
Në raport me Adelinën, e gjen veten më të suksesshme, apo më pak të suksesshme?
Them, që Adelina është më e suksesshme, sepse ajo ka një karrierë të gjatë, të cilën askush nuk mund t’ia shkelë e as t’ia marrë, ndërsa mua më duhet ende shumë punë, që të arrij aty ku është ajo… Dhe shpresoj që t’ia arrij.
Ka gjëra në të cilat do doje t’i ngjaje Adelinës apo ta imitoje atë?
Inovacionet që Adelina ka bërë kanë qenë aq të mëdha saqë askush nuk mund t’i përsërisë dhe do të doja që karriera ime të jetë po aq inovative sa edhe e saj.
Ç’mund të na thuash për jetën tënde jashtë skenës? Ndonjë djalë…?
Para disa kohësh kam folur edhe për jetën time private, por ka filluar të më keqpërdoret, ndaj edhe jam ndalur. Nuk flas më për jetën private, vetëm për atë profesionale.
Po për marrëdhënien tënde me futbollistin Lorik Cana?
Ky është një thashethem që ka filluar nga Tirana dhe më pas në Kosovë e diasporë, ka marrë përmasa shumë të mëdha. Por ja që në të vërtetë atë futboller unë nuk e njoh, e madje as nuk e kam parë ndonjëherë në jetë dhe nuk ka asgjë të vërtetë në fjalët që janë shkruar.
Si mendon ti, cila është arsyeja apo baza e këtij thashethemi?
Të gjitha këto fjalë unë i kam parë si mënyrë për të shitur gazetën, sepse kur dikush dëshiron të ketë një lajm të ri sensaci-onal, përdor emrin e një këngëtareje, e cila është më atraktive në këtë moment. Mendoj se më është keqpër-dorur pak emri, por ja që keqkuptimet u pastruan, pasi unë pata treguar e para, që nuk e njoh, nuk e kam parë dhe nuk kam pasur asgjë me të.
Je e kujdesshme, ndaj asaj që mediat shkruajnë për ty?
Mundohem të jem, por mediat nuk mund t’i kontrolloj.
Cila ka qenë gjëja që të ka dëmtuar më shumë?
Thashethemi për Lorik Canën, sepse unë po thosha që nuk e njoh, ndërsa ai nuk po fliste dhe kjo më bëri pakëz në dyshim. Edhe fjalët që kam marrëdhënie shumë të këqija me motrën, të cilën e dua shumë, më kanë lënduar. Mendoj që njerëzit, për të arritur diçka në profesion përdorin mënyra nga më të ndryshmet dhe kjo nuk është e drejtë.
Je shpallur këtë vit këngëtarja më seksi mes disa këngëtareve shqiptare. Je e kënaqur?
Jam ndjerë shumë mirë, sepse ka qenë konkurrenca e madhe. E falënderoj shumë publikun, që më ka votuar. Në të vërtetë nuk e kam pritur dhe kisha besuar se mund të fitonte tjetërkush.
Kë shihnit si fituese të mundshme?
Ndoshta Bleona Qerretin, ose ndonjë tjetër.
Sa e rëndësishme është për një këngëtare të jetë seksi?
Mendoj se kjo e ndihmon karrierën, sepse syri kërkon bukuri. Gjithmonë kur shohim diçka në ekran, kërkojmë të jetë e bukur.

G.Panorama

Foto te Zanfina Ismaili http://www.galeriashqiptare.net/thumbnails-71.html